Talentet e reja, Shqipëria renditet e 65-s mes 133 vendeve
2022-11-08 11:07:25

Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2022 e rendit Shqipërinë në vend të 65-të mes 133 vendeve, citojnë disa media shqiptare.

Ky indeks i publikuar çdo vit nga “Shkolla e Biznesit për Botën”, në bashkëpunim me “Portulans Institute”, mat se si shtetet rriten, tërheqin dhe ruajnë talentin, duke i siguruar atyre një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar strategji dhe për të qenë më të konkurrueshëm.

Krahasuar me edicionin e vitit të kaluar shihet se Shqipëria ka pasur përmirësime duke u rritur në renditje me 8 pozicione. Gjatë vitit 2021, Shqipëria renditej në vend të 73-të mes 134 vendeve në total.

Në rajon, renditjen e kryeson Mali i Zi, i pozicionuar në indeksin e përgjithshëm në vend të 47-të, pasuar nga Serbia në vendin e 52-të.

Nga të dhënat duket se Shqipëria ka lënë pas Maqedoninë e Veriut, të renditur në vendin e 68-të dhe Bosnje Hercegovinën, e 88-a.

Në nivel global, podiumi kryesohet nga Zvicra, Singapori dhe Danimarka. (Fatosi)