Kryediplomati: Kina përkrah gjithmonë një rol më të madh të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
2022-11-08 15:13:10

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Kina gjithmonë ka dhënë mbështetje të plotë për kauzën e OKB-së dhe mbështet luajtjen e një roli më të madh nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, u shpreh të hënën këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi gjatë një takimi virtual me kryetarin e sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Csaba Korosi.

Duke vënë në dukje se Kina ka përkrahur përherë rolin e rëndësishëm të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme, kryediplomati kinez tha se vendi i tij do të vazhdojë të marrë pjesë në bashkëpunimin ndërkombëtar mbi çështjen e ndryshimit klimatik dhe do të japë kontribut pozitiv për suksesin e sesionit të 27-të të Konferencës së Palëve (COP27) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin e Klimës.

Përballë trazirave globale, Kina do të përkrahë fuqimisht sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb, rendin ndërkombëtar të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, shtoi Wang.

Duke vënë në dukje se modernizimi kinez këmbëngul në bashkëjetesën harmonike ndërmjet njeriut dhe natyrës, ministri i Jashtëm tha se Kina do të ndjekë rrugën e zhvillimit të gjelbër, me karbon të ulët dhe të qëndrueshëm.

Korosi, nga ana e tij, uroi për zhvillimin e suksesshëm të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së, duke thënë se OKB-ja mirëpret forcimin e bashkëpunimit me Kinën për të nxitur suksesin e COP27 dhe për të përballuar ndryshimin e klimës.

Ai shtoi se OKB-ja gjithashtu mirëpret forcimin e bashkëpunimit me Kinën për të ndihmuar vendet më të prekshme të përballen me sfidat e përdorimit dhe administrimit të ujit.