Tryezë e rrumbullakët për vizitën e kancelarit Scholz në Kinë
2022-11-08 15:26:27

Të ftuar në studio: Arta Dade, ish ministre e jashtme e Shqipërisë; Prof. dr Enver Bytyçi drejtor i institutit të Studimeve të Europës Juglindore; Gëzim Podgorica analist; Astrit ibro korrespondent i mediave gjermane; Fatos Çoçoli ekspert i ekonomisë

Kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi një vizitë zyrtare 11 orëshe të premten e kaluar në Pekin, e para e tij si kreu i qeverisë gjermane, por  dhe si lideri i parë i G7 që viziton Kinën që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 në fillim të vitit 2020. Scholz u takua me presidentin Xi Jinping dhe kryeministrin Li Keqiang.  Duke qenë se Kina është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë, ai u shoqërua nga një grup liderësh biznesi.

Tryezë e rrumbullakët me ekspertët G. Podgorica, F. Çoçoli, E.Bytyçi dhe A.Ibro (Foto CMG)

Tryezë e rrumbullakët me ekspertët G. Podgorica, F. Çoçoli, E.Bytyçi dhe A.Ibro (Foto CMG)

CMG: Cili është komenti juaj për këtë vizitë?

Prof.dr.Enver Bytyçi: Vizita e kancelarit Scholz në Kinë ishte e një rëndësie të veçantë jo vetëm për marrëdhëniet midis dy vendeve, por një ngjarje globale në kuptimin e mirëfilltë, jo vetëm për protokollin e vizitës, por dhe për rezultatet e saj. Marrëdhëniet Kinë-Gjermani janë ndër marrëdhëniet më të mira që ekzistojnë midis fuqive të mëdha dhe janë kryesisht marrëdhënie ekonomike, të biznesit dhe investimeve të përbashkëta. Mendoj që vizita e kancelarit Scholz pati dhe një impakt politik dhe gjeopolitik shumë të rëndësishëm sepse përfundimisht bota mësoi nga kjo vizitë se Kina është në anën e aleancave për paqen, stabilitetin, rendin botëror dhe nuk është në krahun e asnjë fuqie ose shteti, i cili prish rregullin botëror në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.

Premtimi i presidentit Xi për të dënuar çdo kërcënim bërthamor ishte kulmi i suksesit të kësaj vizite, madje unë e jam konsideruar në një koment timin si një dhuratë për kancelarin Scholz, ose si një shërbim të Kinës në funksion të paqes,stabilitetit dhe rregullit botëror. Kjo dëshmon përgjegjshmërinë që ka Kina për rregullin botëror, marrëdhëniet botërore, për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe sa kohë që do të zhvillohen ngjarje të tilla bota duhet të jetë e kënaqur me qëndrimet e Kinës. Mendoj që ky ishte një kontribut i të dy palëve, një kontribut për paqen. Kjo vizitë u shoqërua me shumë skepticizëm në disa qarqe në vendet e Europës. Por vizita, duke shënuar këtë rezultat bindi dhe skeptikët se marrëdhëniet midis Kinës dhe Gjermanisë, por dhe Europës dhe Kinës janë marrëdhënie të nevojshme që i shërbejnë gjithë planetit.

Ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, Arta Dade

Ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, Arta Dade

CMG: Në lidhje telefonike do të bisedojmë me ish ministren e jashtme të Shqipërisë Arta Dade. Në takimin midis Presidentit kinez Xi Jinping dhe Kancelarit gjerman Olaf Sholz  ndër të tjera është riafirmuar angazhimi i përbashkët  për stabilizimin  dhe konsolidimin e lidhjeve dypalëshe dhe promovimin  e bashkëpunimit Kinë- Europë. Si e shikoni ju këtë angazhim?

Arta Dade: Sigurisht që shtetet përkatëse  kanë angazhimet e tyre dhe interesat e tyre kombëtare dhe dihet që marrëdhëniet në mënyrë të veçantë tregtare dhe investitorët gjermanë në Kinë kanë qenë të pranishëm prej kohësh. Është normale që kancelari Scholz pikë së pari do të shikojë interesat kombëtare të vendit të tij. Dihet që në kushtet e krizës që ka mbërthyer jo vetëm vendet europiane por  në përgjithësi mbisundon në mbarë botën, secili shtet mundohet të gjejë rrugët e veta efikase për të lehtësuar krizën ekonomike dhe për të krijuar mirëqenien që ju duhet qytetarëve. Ka një shqetësim edhe tek qytetarët gjermanë lidhur me krizën energjitike dhe dimensione të tjera të krizës, kështu që me një ekip dhe një grup biznesmenësh kancelari Scholz rikonfirmoi angazhimin dypalësh. Dihet që volumi i shkëmbimeve në tregun kinez në mënyrë të veçantë për industrinë automobilistike të Gjermanisë është një treg i konsiderueshëm. Ata rikonfirmuan bashkëpunimin dypalësh në nivel ekonomik-tregtar. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, përtej faktit që mjaft analistë dhe përfaqësues të vendeve të tjera të BE-së e shikojnë këtë si një mbikalim të marrëdhënieve që BE në tërësi dhe vendet e Unionit, duke e konsideruar Gjermaninë si shteti më i fuqishëm i BE-së. Në këtë rast unë gjykoj që kancelari Scholz ka parë interesat e Gjermanisë dhe ka lënë mënjanë elementët që kanë të bëjnë me kundërshtitë që në përgjithësi BE mund të ketë shfaqur lidhur me qëndrimet e Kinës ndaj Ukranës dhe sanksionet që BE ka ndërmarrë ndaj Rusisë.

Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli (Foto CMG)

Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli (Foto CMG)

CMG: Fatos Çoçoli jeni një ekspert i ekonomisë dhe kjo vizitë ishte shumë e rëndësishme edhe në planin ekonomik. Cili është komenti juaj?

Fatos Çoçoli: Kjo ishte një vizitë shumëplanëshe.Përveç mesazheve kryesore gjeopolitike, do të thoja që në nivel ekonomik realisht hap një kuadër të ri shumë premtues jo vetëm për eksportet gjermane, sepse e dimë që Gjermania në potencialin e saj ekonomik është “lokomotiva e Europës”, por dhe për vetë marrëdhëniet ekonomike të vendeve të zhvilluara  europiane si dhe të vendeve në zhvillim që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Vizita i jep një mesazh shumë të fuqishëm rritjes së investimeve kineze edhe në rajonin tonë.Këto investime deri tani kanë qenë vetëm në ndihmë të përmirësimit të infrastrukturës së rajonit dhe të zhvillimit të aftësisë konkurruese të vendeve të rajonit. Ndaj gjykoj që vizita e kancelarit, vendimarrësit kryesor të ekonomisë gjermane në nivel publik në Pekin këtë mesazh jepte në nivelin e politikave ekonomike. Mendoj se kanë qenë një sfidë e vërtetë marrëdhënie ekonomike dhe investimet kineze gjatë periudhës së pandemisë sepse e dimë që ekonomia kineze u godit e para nga pandemia, por e mori veten shumë shpejt. Në momentin që flasim është ekonomia me rritjen më të fuqishme në botë, me zhvillimin ekonomik më premtues.Kuptohet që ekonomia më e mirë e Europës me ekonominë me zhvillimin më të fortë në botë i kanë të hapura të gjitha mundësitë.

Kanë qenë një traditë marrëdhëniet shumë të mira në fushën ekonomike dhe të investimeve gjermano-kineze. Ndaj shikoj dobi të lartë nga kjo vizitë edhe për të gjithë Europën dhe vendet e rajonit tonë. Sa më shumë kapital dhe investime si dhe shkëmbime të mallrave konkurruese kineze të ketë Europame Kinën, aq më mirë është për të gjithë. Para disa ditësh ishte nisma dhe Samiti i Procesit të Berlinit, që është një proces integrues për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ndaj gjykoj që ndikon në rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve, si dhe krijimit të vendeve të reja të punës për ne dhe gjithë rajonin.


CMG: Si mendoni se do të ndikojë vizita e kancelarit gjerman në Pekin në shkëmbimet midis Kinës dhe Gjermanisë, por edhe midis Kinës dhe BE-së?

Astrit Ibro: Vizita e kancelarit Scholz u parapri nga debate politike, nga kërkesa nga forcat politike të Brukselit dhe Berlinit, por mendoj se kjo vizitë megjithëse e shkurtër ishte shumë intensive dhe kishte në agjendë dy elementë të rëndësishëm: forcimin e marrëdhënieve dypalëshe qoftë në aspektin politik, diplomatik dhe ekonomik. Të mos harrojmë se qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1972 Kina ka qenë një partner shumë i rëndësishëm për Gjermaninë. Por mesazhet që kërkonte të çonte kancelari gjerman në Pekin i tejkalonin marrëdhëniet dypalëshe. Kina është një faktor shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave globale dhe dy nga elementet më të rëndësishëm që kancelari Scholz i diskutoi me presidentin dhe kryeministrin kinez ishte që të shfrytëzojë influencën e saj ndaj Rusisë për ndërprerjen e luftës në Ukrainë si dhe për të ndaluar Rusinë për përdorimin e forcës bërthamore. Kjo u duk nga deklarata që konfirmoi presidenti kinez.

Mendoj se kishte dhe elementë të tjerë të rëndësishëm për përballimin e sfidave si ndryshimi i klimës dhe Kina është një shtet, për të mos thënë një kontinent i madh që ka ndikim me masat që mund të marë për të zvogëluar efektin serë. Lufta për vendet e varfëra për të përballuar mbingarkesën e borxheve dhe lufta kundër urisë ku Kina ka ndikim të madh si një shtet i fuqishëm, që nuk mund të anashkalohet.Me kontributin e Kinës mund të kapërcehen shumë sfida.

Ndonëse në fillim pati pak skepticizëm se kjo vizitë ishte e shpejtë dhe e shkurtër dhe vinte menjëherë pas zgjedhjes në mandatin e tretë të presidentit kinez, kjo vizitë sapo mbaroi, duke parë rezultatet e saj, u përshëndet dhe në Bruksel e Uashington.


CMG: Vizita e kancelarit gjerman Scholz dhe pritshmëritë e saj në opinionin e analistit Podgorica

Gëzim Podgorica: Vizita e kancelarit gjerman kishte një impakt të jashtëzakonshëm në relaksimin e marrëdhënieve, mbi të gjitha midis Kinës dhe BE-së. Duke patur parasysh që Gjermania është shtet lider i Europës, impakti në këtë rast rritet edhe më shumë.U tejkalua skepticizmi, që në mënyrë të vazhdueshme ka penguar realizimin e marrëdhënieve normale midis vendeve, që janë aq të domosdoshme. Ekonomia sidomos pas pandemisë ka pësuar goditje shumë të mëdha dhe nëse do të shoqërohet me paragjykime të fuqishme politike, ose përtej kësaj, sigurisht që ekonomia do ta ndjejë më shumë se të gjithë. Nëse do të kemi vizita siç ishte kjo e kancelarit gjerman dhe identifikimit të mundësive për t’i çuar më përpara bashkëpunimet, kjo do të japë efektet e veta pozitive edhe në ekonomi. Vendosja e mureve është një periudhë tashmë e tejkaluar dhe muret nuk mund të ngrihen më midis vendeve sepse ekonomia pavarësisht ngarkesave politike funksionon.

Analisti Gëzim Podgorica (Foto CMG)

Analisti Gëzim Podgorica (Foto CMG)

Kina është sot një treg shumë i madh. Ajo komunikon me të gjitha vendet dhe ndikimi i saj, jo vetëm nëpërmjet nismave që ka marrë si “Një brez, një rrugë”, pr edhe nismave të tjera janë të ndjeshme në ekonominë botërore. Vendet duhet të përfitojnë nga njeri-tjetri. Gjermania është më pragmatiste në këtë drejtim, i ka tejkaluar paragjykimet politike dhe prej vitesh ka Kinën partner kryesor  tregtar. Firma të fuqishme prodhojnë në Kinë ku kanë hapur filialet e tyre dhe ekonomia gjermane merr frymë nëpërmjet tyre dhe është rritur nëpërmjet këtyre investimeve të fuqishme.

Kancelari Scholz jo rastësisht, por përmes një vizioni të qartë ka tejkaluar skepticizmin europian, i cili kësaj radhe u bind pas vizitës që nuk mund të ecet në këtë rrugë, por duhet të ecet në rrugën e bashkëpunimit, që i ka dhënë frutet e veta.


CMG: Ky vit shënon 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Gjermanisë. Ish kancelarja gjermane Angela Merkel nga Kina konsiderohet si një mike për sigurimin e këtyre marrëdhënieve të frutshme dypalëshe. A pritet që kancelari aktual Scholz të ndjekë të njejtën rrugë në këto marrëdhënie?

Prof.dr. Enver Bytyçi: Fatmirësisht vendet demokratike dallohen nga qëndrueshmëria politike dhe diplomatike dhe Gjermania është një vend tipik diplomatik. Së dyti, ka një veçori se politika e ish kancelares Merkel është konstruktuar nëpërmjet koalicionit të përbashkët të dy partive më të mëdha, partisë së kancelarit Scholz sot dhe të CDU-së. Në këtë pikëpamje politika dhe diplomacia e Merkelit ka qenë e njejtë, e ekuilibruar, madje e harmonizuar me politikat e socialdemokratëve të zotit Scholz. Në këtë kuptim Scholz nuk ka asnjë vështirësi të vazhdojë politikat diplomatike të Merkelit edhe në marrëdhëniet me R.P të Kinës. Zonja Merkel ishte iniciatore dhe bartësja kryesore e një marrëveshje shumë të rëndësishme midis Kinës dhe BE-së për investimet në dhjetor të vitit 2020 dhe ajo e mbylli atë marrëveshje vetëm dy ditë para se të përfundonte kryesimin e BE-së dhe për pasojë mendoj që Scholz po vazhdon të njejtën politikë, të njejtin qëndrim. Nuk duhet të harrojmë faktin se politikat e kancelarëve, kushdo që të jenë në Gjermani  diktohen kryesisht nga opinioni publik, por edhe nga interesat e biznesit dhe të investitorëve. Asnjë kancelar nuk mund të dalë jashtë interesave të kompanive të mëdha, për të rritur produktet, të ardhurat dhe impaktin ekonomik.

Në këtë funksion edhe Scholz është i detyruar dhe socialdemokratët në Gjermani nuk kanë asnjë pengesë ideologjike,ndaj do të vazhdojë këtë rrugë. Scholz ka dëshmuar se është vazhdues i politikave të Merkelit edhe me rigjallërimin e  Procesit të Berlinit.


CMG: I kthehemi opinionit të ish ministres së jashtme Arta Dade nëpërmjet linjës telefonike. Në takim me kancelarin Scholz, presidenti kinez Xi  kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë  çdo përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës dhe të kundershtojnë së bashku përdorimin ose kërcënimin për përdorim të armëve bërthamore për të parandaluar që zona euroatlantike  të shohë një krizë bërthamore. Nëse do të ketë një konsensus të gjerë  pas kësaj thirrjeje, është e mundur të arrihet  shmangia e këtij kërcënimi që ka tensionuar globin  ?

Arta Dade: Unë besoj që patjetër aty duhet shkuar sepse edhe autoritetet më të larta, madje dhe të NATO-s janë shprehur që krahas mbështetjes që i ka dhënë Ukrainës për të zbrapsur forcat ruse, ata asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga zgjidhja diplomatike. Është e domosdoshme që të vazhdojnë përpjekjet për zgjidhje diplomatike. Kina si një aktor i fuqishëm dhe në mënyrë të veçantë të gjitha shtetet e fuqishme, që kanë një rol të spikatur në Këshillin e Sigurimit duhen të vazhdojnë dhe të koordinojnë përpjekjet që të shmanget një katastrofë në përdorimin e armëve bërthamore, të cilat unë personalisht nuk besoj që ky konflikt do të përshkallëzohet deri në këtë nivel. Sigurisht që ka shqetësime, retorikë dhe kundëretorikë por besoj që Kina do të luajë rolin e vet në bashkëveprim edhe me fuqitë e tjera  që kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur.

Analisti prof.dr.Enver Bytyçi (Foto CMG)

Analisti prof.dr.Enver Bytyçi (Foto CMG)

CMG: Z. Çoçoli si ekspert i ekonomisë ju jeni marrë gjerësisht me zhvillimin e Gjermanisë, si vendi më i zhvilluar në BE. Pavarësisht ndikimit të COVID-19, tregtia dypalëshe midis Pekinit dhe Berlinit ka ruajtur një vrull të fortë rritjeje gjatë dy viteve të fundit, duke arritur nivele rekord. Vitin e kaluar, tregtia totale e dyanshme tejkaloi 240 miliardë euro dhe Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë për gjashtë vjet rresht.

Fatos Çoçoli: Nëse do të shohim një bilanc të gjysmë shekulli, 50 vite marrëdhënie midis dy vendeve mund të themi pa frikë se tregu kinez ka qenë ndër kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike jo vetëm të Gjermanisë, por në tërësi të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

 

CMG: Ky vit shënon 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Gjermanisë. Dy vendet kanë thelluar bashkëpunimin pragmatik me vëllimin e tregtisë dypalëshe që është rritur me rreth një mijë herë.

Fatos Çoçoli: Këto shifra janë domethënëse për faktin se rëndësia e zgjerimit të marrëdhënieve, sidomos të investimeve të shteteve të zhvilluara të Europës Perëndimore, që përbëjnë shtyllën kurrizore të BE-së e gjejnë fuqinë në investimet dhe klimën shumë miqësore për investimet e huaja që aplikohet prej dekadash në Kinë. Jo vetëm është një treg i pamatë me një fuqi blerëse gjithnjë në rritje për shkak të niveleve shumë të kënaqëshme të rritjes ekonomike të këtij vendi gjigant, por njëkohësisht është vendi që të bën më të lehtë investimin. Këtë e kanë shumë mirë parasysh, pikërisht një politikë pragmatiste e shtetit gjerman. U fol për kontributin e ish kancelares Merkel, por si vijueshmëri e këtij pragmatizmi vjen kjo vizitë e kancelarit aktual Scholz. Këto shifra i shikon jo vetëm biznesi gjerman, por edhe vendimmarrja gjermane i analizon shumë thellë dhe e kuptojnë që të mos e kenë ekonominë e tyre në stanjacion.

Nëse i kthehemi sfidës së pandemisë është shumë  e vërtetë që në një moment të caktuar tregtia u tkurr në dy muajt e bllokimit. Investimet gjermane në Kinë dhe anasjelltas janë realisht si dallandyshet që tregojnë shumë mirë drejtimin apo kahun nga duhet të shkojë jo vetëm ekonomia gjermane, por në tërësi të 28 shtetet e BE-së. Kjo nuk mundet të mos jetë një sperancë e vërtetë ankorimi edhe për mundësitë e arta të investimeve kineze në ekonomitë e vendeve tona të Ballkanit.

Gjithçka çon ujë në mullirin e rritjes së këtyre marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, por sidomos të investimeve përkatëse.

Kjo është vizita e duhur që erdhi në kohën e duhur dhe për këtë përparësi absolute që kanë në radhë të parë qytetarët europianë, të cilët duhet të kenë nga vendimmarrësit e tyre garancinë që nuk do të ketë stanjacion. Pavarësisht situatës që urojmë të mos shkojë në recesion, ashtu si tha dhe presidenti kinez për lehtësim të situatës në Ukrainë. Gjykoj se nga të gjitha anët kjo vizitë dha mesazhet e duhura në nivel ekonomik.

 

Gëzim Podgorica: Dua të theksoj faktin që këto ditë është hapur në Shangai Ekspozita e 5-të e Importit të Kinës, ku marrin pjesë rreth 280 kompani ndër më të fuqishme të botës. Me këtë nënvizoj faktin se Kina është një ofertë e madhe, por edhe oferton për të tjerët. Gjermania në këtë rast ka sensibilitetin për të shfrytëzuar këtë ofertë, por këtë sensibilitet duhet ta kenë dhe vendet e tjera të Europës. Fakti që prej vitesh mijëra trena vijnë nga Kina drejt Europës tregon që është krijuar një kanal i tillë komunikimi tregtar, që është shumë më i madh se sa disa vite më parë.Ky treg i madh dhe kjo fuqi e madhe që oferton duhet shfrytëzuar me efektivitet. Normalisht që kjo  nuk është vetëm për Gjermaninë, por edhe për vende të tjera si dhe për rajonin tonë.

Porti i Hamburgut është një ndër destinacionet e trenave që vijnë nga Kina për në Gjermani, të cilët kanë fuqizuar në mënyrë të ndjeshme zhvillimin ekonomik, komunikimin tregtar, i cili i jep efektet e veta gjithë ekonomisë,sepse nuk vijnë vetëm produkte të gatshme, por dhe lëndë të para. Nga ana tjetër merren lëndë të para nga Europa, që duke i çuar në një treg të madh rritet vlera e tyre dhe del nga ngërçi që ka pasur sidomos  në periudhën e Covid 19.

 

Astrit Ibro: Do të shtoja që qeveritë gjermane qysh nga vendosja e marrëdhënieve dipomatike me Kinën kanë ndjekur një politikë konstante dhe pragmatiste sepse e shohin Kinën si një potencial dhe treg të madh. Firmat më të mëdha gjermane janë prezente në Kinë si Mercedes Benz, Volkswagen, BMW apo firma të tjera kimike dhe rritja e vëllimit tregtar është një konstante midis dy vendeve. Lexova një raport të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë ku gjatë vitit 2021 shkëmbimet tregtare arrinin 245 miliardë euro.

Gjermania e sheh Kinën si një vend ku mund të zhvillojë ekonominë. Fakti që jo vetëm kancelari Scholz, por edhe Merkel e kancelarë të tjerë para saj, kur kanë vizituar Kinën gjithmonë janë shoqëruar nga delegacione me biznesmenë të fuqishëm gjermanë. Ky është një treg që i pranon. Në rastin e kancelarit Scholz marrdhëniet midis Berlinit dhe Pekinit kanë qenë “më të dashura” dhe kjo ka ardhur dhe nga koha kur Scholz ka qenë kryetar i Bashkisë së Hamburgut. Në 2015 ai ka bërë një vizitë në Pekin dhe është pritur sikur të ishte kancelar, ky ka qenë komenti i mediave gjermane. Në këtë rast mirëkuptimi midi dy palëve ka qenë i lartë.

Rruga e Mëndafshit ka vazhduar prej kohësh dhe kompani private kineze me mbështetje shtetërore kanë kërkuar të privatizojnë një pjesë të sektorit cargo,në portin e Hamburgut, duke kërkuar 35 për qind. Megjithëse pati polemika politike, përsëri ishte kancelari Scholz që vendosi veton dhe 2-3 ditë përpara vizitës së tij u arrit një marrëveshje do të privatizojë 24 për qind të atij territori. E thashë këtë për të treguar që raportet janë të domosdoshme.

Gjermania e ka gjetur rrugën, por Bashkimi Europian ka mundësi të mëdha bashkëpunimi, sepse Kina nuk mund të shmanget, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në përballjen e krizave.

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

Presidenti kinez Xi Jinping takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz(Foto:Xinhua)

CMG: Gjatë takimit me kancelarin Scholz, ndërsa shkëmbyen pikëpamjet e tyre për krizën në Ukrainë, presidenti kinez Xi Jinping i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbështesë çdo përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës, të kundërshtojnë së bashku përdorimin ose kërcënimin për përdorimin e armëve bërthamore për të parandaluar që zona euroaziatike të shohë një krizë bërthamore dhe të bëjë përpjekje për të siguruar stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit. Komenti juaj?

Prof. dr. Enver Bytyçi: Sa i përket krizës në Ukrainë tre mesazhe u dhanë gjatë vizitës së kancelarit Scholz në Kinë, mesazhe të cilat i dha presidenti Xi dhe kryeministri i Kinës. Mesazhi i parë ishte kundërshtimi i çdo lloj kërcënimi bërthamor dhe ky ishte mesazhi kryesor dhe më domethënës që pushtoi mediat botërore, që për mendimin tim ka dhënë një lloj qetësie shpirtërore te njerëzit, sepse ishte krijuar një situatë frike se ndoshta Putin mund të përdorë këto armë dhe nuk dihej ende pozicioni i Kinës.

Që nga fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë deri më sot bota ka bërë një pyetje: Kina ç’pozicion do të mbajë? Sepse një aleancë ruso-kineze në këtë konflikt do të ishte shkatërrimtare për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe për jetën e zakonëshme të njerëzve.

Në këtë kuptim njerëzit panë që kemi të bëjmë me një vend të madh, i dyti në botë nga pikëpamja ekonomike, i pari nga ajo demografike, por edhe ushtarake e politike kemi të bëjmë me një pozicionim të jashtëzakoshëm.

Së dyti, këtë refuzim të përdorimit të armëve bërthamore autoritetet kineze e shoqëruan me kërkesën që të fillojnë bisedimet për zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe për t’i dhënë fund sa më shpejt, gjë që u takua nga presidenti kinez dhe në takimin e mbajtur në Uzbekistan. Ky është një avantazh dhe një përvojë shumë e mirë.

Së treti, ka të bëjë me bllokimin e drithërave dhe tregtisë me Ukrainën dhe Rusinë, gjë që u theksua dhe në këto takime, përsëri ishte në favor të paqes dhe sigurisë e stabilitetit. Kina nuk është neutrale, por është pozicionuar plotësisht në krah të forcave progresive që punojnë për rendin botëror, për sigurinë dhe për paqen në botë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe i hap rrugë të gjitha problematikave të tjera. Ky qëndrim kinez sot sa i përket krizës më të madhe në botë hap rrugë besueshmërie dhe tek ata skeptikë, të cilët mendojnë që investimet kineze janë “investime robërie”, që mendojnë se ekonomia kineze ka qëllime ekspansioni etj. Bota sot është e ndërvarur dhe nuk është bota klasike e shekullit të 19-të, apo gjysmës së parë të shekullit të 20-të kur ekzistonin kolonitë. Është e pamundur që bota të orientohet nëpërmjet ekonomisë në skllavërimin e popujve dhe kombeve të tjerë. Në çdo rast çdo komb që vendos marrëdhënie ekonomike, financiare, investimesh me Kinën apo me ndonjë vend tjetër bën llogaritë e veta njësoj si në një marrëveshje që e bëjnë dy investitorë dhe bien dakord me interesat e përbashkëta.. Nuk ka më imponim marrëveshjesh, prandaj sot bota është më e hapur, më e qetë dhe më e sigurtë.

Kina është në një rrugë të mbarë me një politikë vërtet impresionuese dhe jep optimizëm për zhvillimet e mëtejshme.

 

Korespondenti i mediave gjermane Astrit Ibro (Foto CMG)

Korespondenti i mediave gjermane Astrit Ibro (Foto CMG)

CMG: Z. Ibro ju si korrespondent i medias gjermane, cilat kanë qenë komentet rreth vizitës së kancelarit Scholz në Kinë?

Astrit Ibro: Vizita u parapri nga shumë komente të forcave politike dhe mediave. Ka pasur anketime se si duhet të jenë marrëdhëniet me Kinën dhe çfarë roli do të luajë Gjermania dhe është kërkuar nga analistët kryesisht një strategji e re në marrëdhëniet me Kinën.

Forcat politike kanë shprehur opinione sipas interesave të tyre. Kina është një faktor i rëndësishëm me një potencial të madh në bashkëpunimin ekonomik, por ka dhe forca politike që e shohin Kinën si një rival të BE-së apo të SHBA-së.

Mediat kanë raportuar shumë reagimin kinez, kjo parë dhe në bisedimet me BE-në dhe SHBA-në. Gjithësesi përballja nuk është opsioni më i mirë, paqja, rendi botëror dhe zhvillimi, sfida ndaj urisë, ndryshimet klimatike janë çeshtjet më akute.Këto e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin e vendeve dhe në këtë aspekt vendet e BE-së dhe Gjermania janë shumë të ndjeshme.

Fatos Çoçoli: Ka pasur gjithashtu dhe reagime të tregjeve të kapitalit, Menjëherë pas vizitës së kancelarit gjerman në Pekin, por dhe gjatë saj ishte një valë botërore qetësimi deklarata e presidentit kinez shumë e vendosur ndaj përshkallëzimit të konfliktit  në Ukrainë. Të parat që reaguan ishin bursat si ajo e Nju Jorkut, Tokios, bursa e Frankfurtit dhe e Parisit, duke reagur me rritje të vëllimit dhe sidomos të aksioneve të kompanive kryesore të listuara në bursë, që kanë marrëdhënie dhe interesa investimi në Kinë, por jo vetëm. Kjo vizitë pati një reagim të menjëhershëm pozitiv  në të gjitha tregjet financiare botërore, Kjo do të thotë se mesazhet janë për rritjen e investimeve të ndërsjella që është shumë pozitive dhe tashmë epoka e skepticizmit dhe mosbesimit nuk ka më baza ku të qëndrojë. Ndërkohë që politika pragmatiste jo vetëm në nivel të pozicionit gjeostrategjik të vendeve por dhe të interesave ekonomike të qytetarëve europianë dhe në mbarë botën, apo pozicioni i qeverisë kineze në zhbllokimin e krizës humanitare të grurit në Ukrainë, kjo politikë e Kinës i largoi mosbesimet.

Të kesh një treg të tillë kaq të hapur, kaq mikpritës për investimet e huaja dhe një qeveri me qëndrim pacifist por dhe ndihmën e qeverisë kineze me vaksina sidomos për vendet në zhvillim në Afrikë dhe Azi ishte një kontribut shumë konkret.

 

CMG: Zonja Dade, kancelari Scholz shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të intensifikuar bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik midis dy vendeve. Mendoni se pas këtij intensifikimi do të ketë ulje të efekteve të të krizës që ka shtrirë pasojat pas konfliktit në Ukrainë?

Arta Dade: Unë mendoj që çdo përpjekje për të ulur efektet e krizës ekonomike është e mirëpritur, por sa do të ndikojë në vendet e tjera do të shihet. Një gjë është e qartë që lidhur me gjendjen ekonomike të Gjermanisë dhe të shteteve që ato kanë marrëdhënie  tregtare apo ekonomike besoj se do të jetë një lehtësim. Ndërsa në Gjermani do të vazhdojnë të punojnë industritë e fuqishme të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës dhe në degjenerimin e mëtejshëm të krizës ekonomike dh energjitike.

Gëzim Podgorica: Desha të ritheksoj këtë frymë lehtësuese pas deklaratës së presidentit kinez lidhur me zgjidhjen paqësore dhe ndërhyrjen e menjëhershme të të gjithë rrugëve të domosdoshme, sepse konflikti në Ukrainë  ka mbërthyer gjithë botën,vemendjen e opinionit publik ndërkombëtar se çfarë mund të ndodhte nëse do të kishte një tejkalim të armëve bërthamore që do kishte impakt global. Kina ka ripërsëritur në mënyrë të vazhdueshme dhe ka riafirmuar politikën e vet paqësore dhe po ta ndjekësh në historinë e vet ka qenë gjithnjë një shtet pacifist, por  në këtë rast pritej një qëndrim që u artikulua qartë nga presidenti kinez dhe u mirëprit nga opinioni publik. Mbështetja që ka dhënë Kina në krizat humanitare ka qenë shumë e fuqishme dhe kjo është dëshmi e politikës paqësore që ka ndjekur në vite.

 

Intervistoi Eda Merepeza