Guximtar Rushani (Foto nga instagrami)
Në fund të tetorit u realizua koncerti i parë recital i këngëtarit Guximtar Rushani, i titulluar “Vjeshtë e vendit tim”. Kjo ishte një endërr e këngëtarit për të realizuar koncertin në në qytetin e tij të lindjes, Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke interpretuar këngët që artisti ka publikuar ndër vite. Të pranishmit në koncert ishin jo vetëm nga qyteti i Strugës, por dhe nga qytete të tjera, të cilët përveçse morën kënaqësi nga koncerti, nderuan dhe këngëtarin me prezencën e tyre duke kënduar bashkë me artistin. Një punë të palodhshme dhe profesionale kanë bërë djemtë dhe vajzat e Band-it duke filluar nga Besfort Ibraimi - Kitarë Akustike, Blerand Lena - Tastierë/Piano, Arsim Stafai - Bas Kitarë, Muhamet Redjeposki - Sax/Klarinetë, Burim Memeti - Solo Kitarë, Armend Stafai- Bateri, Eranda Ismaili & Jonida Ibraimi- Back Vocals, Menderes Lumani - Special Guest, por edhe Avni Qahili – Moderator.
Në koncert u interpretuan gjithsej 14 këngë të përzgjedhura nga muzika e lehtë dhe ajo e trevave tradicionale shqiptare. Disa këngë janë të kompozuara posaçërisht për të, e të tjera të kënduara më parë nga zëra të njohur të muzikës shqiptare, të cilat erdhën të ripërpunuara në stilin xhaz. Koncerti solistik ishte mjaft i arrirë, duke u mirëpritur nga publiku që e ndoqi në Pallatin e Kulturës në Strugë. Guximtar Rushani ka marë pjesë në shumë kompeticione në Shqipëri, disa herë në Festivalin e RTSH-së, në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, ku është ndarë edhe me çmime. Për realizimin e koncertit kontribuoi dhe ekipi teknik i përbërë nga inxhinieri i zërit Mevlan Osmani, por dhe kompozitori Vullnet Ibraimi, i cili ka shkruar edhe shumë këngë të bukura, pjesë e repertorit të artistit Guximtar Rushani në këto dy dekada. Gjithashtu një punë të palodhur kanë bërë edhe Atdhe Marku në ripërpunimin dhe orkestrimin e këngëve të bukura shqiptare, Jonid Ibraimi për orkestrimin, Labino Sound për punën profesionale me zërin dhe ndriçimin, Abidin Trena për realizimin e Dizajnit, mbështetur nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, International University Of Struga, Qëndra për Kulturë Strugë,etj. Për artistin Guximtar Rushani, ky koncert recital do të mbetet gjatë në kujtesën e tij si një mbrëmje magjike e paharrueshme.