Ekspozita per 50 Vjetorin e Kongresit te Drejtshkrimit - foto ATSH
Këto ditë mbushen plot 50 vjet nga koha e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit (20-25 nëntor 1972). Kongresi shënon një ngjarje të rëndësishme për gjuhë, kulturën dhe kombin shqiptar. Vendosja e standardit i tregoi njëherazi botës se jemi një komb dhe kemi një gjuhë kudo ndodhemi.
Në nderim të kësaj dite, në Shqipëri dhe në trevat shqipfolëse, gjatë gjithë këtij viti janë zhvilluar mjaft veprimtari, në formë tryezash, debatesh, ekspozesh, të cilat do të vijojnë edhe në ditët pasuese.
Por, ndërkohë, duke i mëshuar rëndësisë së këtij akti, në konsolidimin e tipareve kombëtare, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, prezantoi në Korçë ekspozitën mbi 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, veprimtari e hapur në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli” të këtij qyteti. Ajo prezanton rrugëtimin e gjuhës shqipe në çdo trevë. Ekspozita e përgatitur me dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror, përvijon rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972).
Kreu i aktivave, Ardit Bido, kumtoi se kjo ekspozitë, e prezantuar fillimisht në Korçë, do të rishfaqet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si edhe në Bibliotekën e Kryeministrisë (COD).
Gjithashtu, në nderim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit dhe njësimit të shqipes letrare, në Shkup është emetuar një pullë e re postare. Emisioni postar për këtë ngjarje përmban si kryeshenja vulën historike të Kongresit të Drejtshkrimit, pllakatin e njoftimit të kohës së mbajtjes së kësaj ngjarjeje, si dhe një foto të delegatëve në sallën e kongresit. Pulla mban shenjimin trigjuhësh: maqedonisht, shqip e anglisht: “50 vjet prej Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe”. Përurimi i këtij edicioni filatelik të ri do të bëhet më 14 nëntor, në prag të datës së fillimit të punimeve të Kongresit historik të Manastirit.
Pjesemarresit e Kongresit te Drejtshmrimit 1972
Ndërkohë, tryeza të ndryshme shkencore janë mbajtur e po mbahen në Tiranë e më gjerë, duke nxjerrë në pah argumente shkencore që akoma nuk janë shterruar, e që lidhen me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit. Gjuhëtarë dhe studiues nga të gjitha trevat shqipfolëse vazhdimisht ndër vite, kanë prezantuar qëndrimin e tyre rreth gjuhës letrare dhe standardit të saj.
Dihet që me Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972-in u ra dakord që shqipja të kishte një normë drejtshkrimore të vetme. Përpos kësaj u përcaktua që do të kishim një gjuhë standarde, ose siç mund të quhet ndryshe, gjuhë letrare e njësuar. Kjo normë u bë e detyruar në të gjitha fushat e jetës publike dhe u mbështet nga shqiptarët brenda trojeve amë, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi, tek Arbëreshët e Italisë dhe mbarë Diasporën.
Arritja e dytë po aq e rëndësishme ishte hartimi i veprave gjuhësore kodifikuese; pas Kongresit u hartuan, siç dihet, “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” e më tej vepra të tjera madhore, po ashtu kodifikuese, si “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, etj. Me këto vepra iu dha mbështetje edhe kulturës së gjuhës.
Drejtshkrimi - foto Radi and Radi
Të gjithë e pranojnë rëndësinë e unifikimit të gjuhës shqipe, por jo të gjithë janë të mendimit se është bërë më e mira, sa i takon rrugës me të cilin është bërë ky standardizim. Nga ana tjetër, gjuha si një organizëm i gjallë, që jeton, zhvillohet dhe ndryshon bashkë me njerëzit, kurrsesi nuk duhet konsideruar si një gjuhë e mbyllur. Pikërisht ky këndvështrim mbi gjuhën letrare dhe vendimet e Kongresit, e kthen çështjen e gjuhës stadarde në një debat shkencor, që kurrsesi nuk ia heq vlerat rëndësisë që mbart unifikimi.
Pesëdhjetë vjet në histori e një populli dhe në kulturën e tij nuk janë shumë. Realiteti tregon se gjatë kësaj periudhe në gjeografinë shqiptare kanë ndodhur zhvillime të shumta politiko-shoqërore, përfshirë këtu edhe zhvillimet që kanë ndodhur në gjuhë. Këto zhvillime kanë tejkaluar kornizat e standardit të vitit 1972, prandaj sot kemi aq shumë debate për mënyrën e krijimit të këtij standardi, rikthimin dhe përmisimin e normës ekzistuese. Në këtë debat janë të përfshirë gjuhëtarë, studiues dhe akademikë nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe është një debat i gjatë që vazhdon.
Si kujtesë, nënvizojmë se shkrimi i njësuar dhe gjuha letrare shqipe nuk janë thjesht fryt i një akti të vetëm, siç qe Kongresi i Drejtshkrimit; ato janë kurorëzim i përpjekjeve të punës së disa brezave, i punës së intelektualëve, atdhetarëve, shkrimtarëve dhe gjuhëtarëve. Gjuha shqipe ka njohur shumë barriera gjatë historisë së saj, që nga “Meshari” i Gjon Buzukut, deri tek nismëtarët e Rilindjes Kombëtare që identifikuan përpjekjet për një alfabet të përbashkët. Këto përpjekje më së miri pasqyrohen në mbi 100 shkrime të botuara nga autorë të ndryshëm në revistën “Albania” të Faik Konicës.
Pjesmarresit ne Kongres- foto Nacionale
Ndërkohë ndodhin dy ngjarje të rëndësishme kombëtare: Kongresi i Manastirit më 1908, dhe Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës më 1916-1918. Këto dy ngjarje i vunë bazat e alfabetit dhe të drejtshkrimit të përbashkët të shqipes.
Mandej pasuan dy ngjarje tjera të rëndësishme kombëtare, Kongresi i Lushnjës 1920 si dhe Dekreti i veçantë i mbretit Zog 1923 që vendosi elbasanishten si gjuhë zyrtare, për administratën dhe institucionet e tjera shtetërore. Ky është procesi i parë i standartizimit të shqipes, përkatësisht vendosjes së një norme shqipe, e cila është zbatuar deri më 1952 në Shqipëri dhe deri më 1968 në Kosovë. Pas gjithë këtyre përpjekjeve standardizimi i gjuhës shqipe përfundimisht u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.
Neritana Kraja