Lumi i Verdhë konsiderohet si "lumi mëmë" i kombit kinez. Pellgu i tij ka qenë qendër politike, ekonomike dhe kulturore në historinë mijëravjeçare të qytetërimit kinez. Sot, lumi 5 464 kilometra i gjatë, ushqen 12 për qind të popullsisë kineze, ujit 17 për qind të tokës së punueshme të vendit dhe është burim i furnizimit ujor për më shumë se 50 qytete të mëdha dhe të mesme të Kinës. Për shkak të rëndësisë së pakrahasueshme historike, kulturore dhe ekonomike, së bashku me ndikimin e tij në mjedis, kërkohen më shumë përpjekje për mbrojtjen e Lumit të Verdhë dhe pellgut të tij.
Lumi i Verdhë në Gannan(Foto:VCG)
Pasi buron nga malet Bayan Har dhe hyn në Rrafshnaltën Qinghai-Tibet, Lumi i Verdhë përmban vetëm 20 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tij. Por pasi kalon 433 kilometra përmes prefekturës Gannan të provincës Gansu, lumi përvetëson 10.8 miliard metra kub ujë, sa 58.7 për qind e vëllimit të përgjithshëm. Kështu që prefektura autonome tibetiane Gannan, e cila ushqen Lumin e Verdhë prej maleve të mbuluara me dëborë, vlerësohet si rezervuari i Lumit të Verdhë. Ndërkohë, i vendosur në skajin lindor të rrafshnaltës Qinghai-Tibet, Gannan është gjithashtu një zonë kullote për banorët e disa pakicave kombëtare dhe një bazë e rëndësishme e prodhimit blegtoral në Kinë. Vitet e fundit në rajon ka nisur një fushatë masive e mbrojtjes ekologjike të livadheve dhe reformës në sektorin e blegtorisë.
Mburojë e sigurisë ekologjike
Luqu, që do të thotë "uji i Zotit" në gjuhën tibetiane, është një konte e karakterizuar nga malet e bukura dhe luginat në Gannan. Lumi Taohe, dega e dytë më e madhe e Lumit të Verdhë, kalon përmes tij, duke ushqyer ferma dhe kullota aty pranë. Burimet e këtushme natyrore e transformuan Luqu-n në një zonë kyçe për ruajtjen dhe furnizimin me ujë në rrjedhën e sipërme të Lumit të Verdhë dhe Lumit Jance. Ajo është një mburojë natyrore për sigurinë ekologjike të pellgut të Lumit të Verdhë. Luqu përballet me probleme të zakonshme ekologjike që prekin rajone të tjera në rrjedhën e sipërme të pellgut të Lumit të Verdhë, si shkretëtirëzimi, shfrytëzimi i tepërt i kullotave dhe degradimi apo erozioni i dheut.
Prefekturë Gannan(Foto:VCG)
Vitet e fundit, konteja ka përcaktuar si prioritet mbrojtjen ekologjike dhe mjedisore dhe po merr masa për të ndrequr problemet ekzistuese. Ndër to, janë përpjekjet për reformimin dhe përmirësimin e teknikave tradicionale të përdoruara në blegtori. Baza Ekologjike Liqiaru për Jakë ndodhet në një luginë 3 900 metra mbi nivelin e detit. Atje, qindra jakë të zinj të zgjedhur me kujdes shëtisin lirshëm mbi tokat plot bar, nëpër malet e gjelbëruara, nën qiej blu të kristaltë dhe re delikate, duke dhuruar një pamje të mrekullueshme piktoreske.
Baza është pionieri dhe modeli i reformës blegtorale të Luqu-së. Për të lehtësuar presionin mbi kullotat natyrore për të mbajtur bagëtitë dhe për të përshpejtuar transformimin dhe përmirësimin e blegtorisë, në korrikun e vitit të kaluar, Luqu prezantoi teknologjitë e reja dhe ndërtoi bazën e demonstrimit, e cila zë rreth 13 milionë metra katrorë. Këtu përdoret një mënyrë inovative dhe miqësore me mjedisin për rritjen e jakëve në tre dimensione, përkatësisht për kullotje, rritje në stallë dhe ushqim plotësues, gjë që mund t'i lejojë barinjtë të shkurtojnë kohën e ciklit të rritjes, të ulin shkallën e sëmundjeve dhe të përmirësojnë shijen e mishit. Më e rëndësishmja është se ajo krijon një ekuilibër midis ekologjisë së livadheve dhe blegtorisë. Kështu thotë Li Yuanfeng, menaxher i përgjithshëm i Kompanisë Bujqësore Gaxiu që drejton bazën Liqiaru. Kjo metodë e rritjes së jakëve po promovohet mes barinjve vendas.
Një jetë më e mirë për vendasit
Prefekturë Gannan(Foto:VCG)
Historia e bazës Liqiaru është vetëm një pasqyrim i përpjekjeve të Luqu-së dhe të Gannan-it për të mbrojtur ekologjinë dhe mjedisin në djepin e Lumit të Verdhë, me të cilin si prioritet, rajoni po përpiqet të sigurojë një jetesë më të mirë për banorët e tij. "Rreth 75 për qind e tokës në Luqu i përket zonës ekologjike, ku ndalohet zhvillimi industrial. Megjithatë, ne nuk mund të presim vetëm ndihma ekonomike nga vendi, por duhet të rrisim aftësinë tonë për zhvillim", - thotë Li Shizhong, drejtor i Byrosë Bujqësore të kontesë. Përveç modelit të bazës Liqiaru, konteja po eksploron sistemin e bashkëprodhimit në zonat rurale, duke kombinuar çdo dhjetë familje për të zhvilluar blegtori dhe turizëm, duke synuar konsolidimin e arritjeve në zbutjen e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave për banorët.
Pasi panë këto mundësi, më shumë njerëz po joshen për t’u kthyer në vendlindjen e tyre. Tani Gannan po ndjek një rrugë të zhvillimit të gjelbër dhe të qëndrueshëm në bazë të kushteve specifike vendore. E gjithë prefektura është përfshirë në zonën e mbrojtjes ekologjike kombëtare dhe më shumë se 97 për qind e tokave nuk lejohen për shfrytëzim industrial. Prefektura ka miratuar disa projekte të mëdha për të frenuar në mënyrë efektive shkretëtirëzimin dhe degradimin e kullotave për të siguruar furnizimin me ujë të Lumit të Verdhë. Për më tepër, rajoni ka nisur një fushatë të gjerë për të realizuar objektivin e madh "pa mbetje, pa plehra kimikë, pa plastikë, pa ndotje", duke përmirësuar më tej zhvillimin e gjelbër.
Prefekturë Gannan(Foto:VCG)
Me peizazhe të ndryshme dhe kultura shumëngjyrëshe, provinca Gansu është bërë një destinacion tërheqës për turistët nga brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2021, të ardhurat nga turizmi i prefekturës Gannan i kaluan 10 miliardë juanë, duke ruajtur një rritje dyshifrore për pesë vite me radhë.