Vera Ndrecaj ne Universitetin e Cardiff (Foto personale)
Dr. Vera Ndrecaj u largua nga Shqipëria bashkë me familjen e saj në vitin 2002 në kërkim të një jete më të mirë në Britaninë e Madhe. Ajo përfundoi studimet në Bachelor për biznes dhe menaxhim pastaj një master, një certifikatë pasuniversitare në arsimin e lartë dhe një PhD. Aktualisht punon si pedagoge dhe menaxhere e projektit në Universitetin Cardiff Metropolitan. Fëmijët e saj gjithashtu kanë studiuar të dy për të arritur pozicione të larta drejtuese, duke ndjekur hapat e nënës së tyre. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për integrimin në Britaninë e Madhe, vështirësitë që ka hasur në fillimet e saj si dhe arritjet profesionale.
CMG: Znj.Ndrecaj përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Vera Ndrecaj: Përshëndetje nga Britania e Madhe dhe faleminderit, kënaqësia është e imja.
CMG: Sa vite keni që jetoni në Britaninë e Madhe, dhe si u integruat në fillim me jetën atje?
Vera Ndrecaj: Në Britaninë e Madhe ne kemi emigruar në vitin 2002, kështu që jetojmë pothuajse 20 vite këtu. Fillimet natyrisht që ishin shumë të vështira, ashtu siç mund ta imagjinoni sepse të prekësh një realitet të ri ndoshta kalon në disa zhgënjime. Unë besoj që ja kemi dalë dhe jemi në një pozicion shumë të mirë, të paktën ndjehemi që jemi integruar plotësisht.
CMG: Sa e vështirë ishte për ju dhe familjen tuaj nisja e një jete të re në një vend tjetër?
Vera Ndrecaj: Ishte shumë e vështirë sepse vështirësitë ishin të gjithanshme. Kur kemi emigruar në Britaninë e Madhe vështirësia e parë ishte gjuha dhe nuk ishim në gjendje që të komunikonim. Kjo gjë në fillim e bënte çdo gjë të vështirë për ne sepse kur nuk arrin të komunikosh për gjërat shumë domosdoshme, është diçka që e bën gjithçka më të vështirë.
CMG: Cilat kanë qenë sfidat tuaja më të mëdha gjatë këtyre 20 viteve që jetoni në Britaninë e Madhe?
Vera Ndrecaj: Në fillimet e mia ka qenë gjuha si dhe fazat e integrimit. Natyrisht për ne ishte një realitet i ri dhe jemi munduar që në kontekstin e asaj që ne e kemi kuptuar realitetin në Britani të Madhe dhe çfarë mund të bëjmë që të integrohemi, si mund të ecim. Mendimi i parë që na erdhi ishte që të shkojmë në kolegj e të mësojmë gjuhën angleze dhe aty ishte fillimi i çdo gjëje.
Vera Ndrecaj (Foto personale)
CMG: Si ka ardhur shkollimi dhe rrugëtimi juaj profesional atje?
Vera Ndrecaj: Ka ardhur gradualisht dhe natyrshëm mendoj unë sepse ishte një diçka e domosdoshme të paktën për mua sepse nuk e imagjinoja veten time që të qëndroja në shtëpi dhe të isha pasive. Kështu që vendosa të aplikoj për universitet pasi mbarova me rezultate të mira kolegjin. Unë kam marë dy diploma kombëtare këtu në biznes dhe pastaj vendosa që të shkoj në universitet. Që nga ai moment mendoj se çdo hap që është hedhur ka ardhur natyrshëm.
CMG: Sa vite keni që e ushtroni profesionin e pedagoges në Universitetin e Cardiff dhe si ndjeheni në këtë profesion?
Vera Ndrecaj: Në fakt kam 10 vite, nga shtatori i vitit 2012 që më është dhënë një kontratë me kohë të plotë 2 vjeçare dhe që nga ajo kohë unë kam vazhduar me kohë të plotë të jem pedagoge. Në fillim kam punuar për Univeristetin e Wellsit të jugut dhe që nga viti 2018 punoj për Universitetin Metropolitan të Cardiff.
CMG: Tashmë një pedagoge me përvojë dhe një studiuese në këtë universitet. Si janë marrëdhëniet tuaja me kolegët e tjerë dhe studentët?
Vera Ndrecaj: Marrëdhëniet e mia me kolegët janë të shkëlqyera sepse ne shqiptarët jemi shumë komunikues, por edhe punojmë shumë. Kështu që puna ime vlerësohet nga kolegët e mi, gjithashtu puna dhe mbështetja e kolegëve të mi vlerësohet shumë nga ana ime. Kjo gjë e ka bërë shumë të thjesht për mua që të kem një marrëdhënie shumë të mirë me kolegët. Në kontekstin e studentëve mund të them që kam një raport të shkëlqyer me studentët. Natyrisht që mësimdhënia dhe angazhimi im është kryesisht në nivelin master, por ndoshta kjo vjen si rrjedhojë e eksperiencës time studentore sepse shkollimi im ka marrë gati 14 vite që nga fillimi dhe për të mbaruar doktoraturën. Kështu që ka qenë një udhëtim i gjatë për mua, por ky udhëtim të ndihmon jashtëzakonisht shumë që të krijoja një marrëdhënie shumë të mirë dhe të qëndrueshme me studentët e mi.
Vera Ndrecaj gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr më shumë malli për vendlindjen tuaj?
Vera Ndrecaj: Shqipëria është destinacioni jonë i preferuar dhe më merr malli për çdo gjë, për këdo që unë kam njohur, por kryesisht për familjen time. Kështu që Shqipëria është dhe do të jetë gjithmonë një destinacion shumë tërheqës për ne. Zakonisht vij në Shqipëri një apo dy herë në vit, mesatarja mund të jetë dy herë në vit.
CMG: Kur vini në atdhe a shikoni ndryshime të bëra në Shqipëri?
Vera Ndrecaj: Patjetër, por ka një gjë këtu sepse ne kur vijmë e shohim Shqipërinë me syrin e vizitorit dhe në këtë kontekst unë mendoj që Shqipëria ka ecur shumë përpara. Mendoj që Shqipëria është në rrugën e duhur dhe ajo do të jetë një ndër vendet më të zhvilluara në rajon, dhe natyrisht do të jetë një destinacion shumë tërheqës për turistët e huaj. Për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë natyrisht që do të jetë, por gjithashtu do të bëhet shumë tërheqëse kur infrastruktuara të përmirësohet. Në fakt dëgjoj që njerëzit flasin shumë për Shqipërinë dhe jam shumë optimiste që do të ketë të ardhme sepse është një perlë në rajon.
Vera Ndrecaj me studentet e saj (Foto personale)
CMG: Flasim për familjen, ku fëmijët tuaj janë shkolluar në Britaninë e Madhe, dhe sot punojnë në institucione dhe kompani presigjoze atje.
Vera Ndrecaj: Patjetër, por më lejoni të nënvizoj faktin që nuk janë vetëm fëmijët e mi të cilët janë angazhuar plotësisht në shoqërinë britanike, por është një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që janë të moshave të ndryshme të cilët janë integruar shumë mirë, që punojnë në vende shumë të mira pune dhe kanë përgjegjësi shumë të mëdha mbi supe në kompanitë që ata punojnë. Tani në kontekst të fëmijëve të mi, të dy ata janë shkolluar këtu dhe kanë ndërtuar karrierën e tyre.
Djali është drejtor në një kompani shtetërore, ndërsa vajza ka mbaruar për drejtësi dhe punon për një bankë ndërkombëtare në departamentin e ligjeve. Gjithashtu dua të theksoj se djali im është një shembull sepse në tre vitet e fundit ai ka marrë tre tituj të ndryshëm për rolin e tij në udhëheqje në drejtimin e asaj kompanie. Ajo ka qenë një arritje shumë e madhe jo vetëm për të personalisht, por mendoj edhe për komunitetin tonë sepse është çmim në rang të Britanisë së Madhe dhe jo çmim në rang të një kompanie apo një rajoni. Unë mendoj se kjo është një arritje e madhe e tij që duhet vlerësuar.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Vera Ndrecaj: Dëshiroj të përshëndes të gjithë dëgjuesit tuaj, dhe kam vetëm një mesazh shumë të thjeshtë që të punojnë dhe tregojnë kudo që ata të jenë, në Shqipëri apo jashtë vendit, t’i tregojnë komuniteteve ku ata jetojnë që kanë vlera, dhe të ecin në drejtimin e dijes sepse dija gjithmonë sjell prosperitet.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Vera Ndrecaj. (Foto personale)