Anisa Grenazi(Foto personale)
Këngëtarja
Anisa Grenazi e ka nisur muzikën që në moshë të vogël. Ka qenë
pjesëmarrëse dhe konkurrente në shumë aktivitete muzikore në vend si,
The Voice Kids ku ka arritur deri në finale, apo Festivali Amol ku ka
fituar Çmimin e tretë. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në Festivale të
organizuara në Qëndrën Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Kuksit, në
Festivalin Di-Fest ku është ndarë me Çmimin e Publikut, etj. Por
sigurisht që nuk kanë munguar edhe pjesëmarrjet e ndryshme si aktiviteti
i organizuar nga kantautori Gjergj Leka, Festa e Këngës Shqiptare.
Anisa Grenazi ka qenë pjesë e spektaklit “Këngë Moj”, ku ka interpretuar
në Duet me Yjet, Natën e këngës Italiane, etj. Dashuria e saj e madhe
është për muzikën e lehtë, baladat si dhe muzikën xhaz, por ajo ka
interpretuar mjaft bukur edhe muzikën popullore qytetare. Në Festivalin
Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare, Anisa është vlerësuar me Çmimin e
tretë, gjithashtu edhe në Gjallica Festival. Momentalisht ajo studion
në gjimnazin publik "Havzi Nela" në Kukës dhe vazhdon të ndjekë
privatisht mësime kantoje, që kur ka qenë në klasën e dytë. Për Grupin
Mediatik të Kinës, ajo na tregon për fillimet e saj në muzikë, si dhe
synimet që ka në vazhdimësi.
Anisa Grenazi(Foto personale)
CMG: Si nisi pasioni për muzikën?
Anisa Grenazi: Që e vogël kisha dëshirë të këndoja dhe u pikasa nga mësuesja e muzikës së Qëndrës Kulturore të Fëmijëve, në përzgjedhjen që do të bënin për Festivalin e Fëmijëve në Kukës dhe kështu nisi rrugëtimi im për muzikën.
CMG: Cili ishte personi që insistoi, se ti mund të bëheshe një këngëtare e mirë?
Anisa Grenazi: Ishin prindërit si edhe mësuesja e Qëndrës Kulturore të Fëmijëve që insistoi për ta kultivuar këtë pasion timin.
CMG: Cila ishte kënga e parë që ke interpretuar në një skenë?
Anisa Grenazi: Kënga e parë që kam interpretuar në një skenë ka qenë kënga "Lemza" e të madhes Vaçe Zela.
CMG: Do na interpretosh një pjesë kënge drejtpërdrejt?
Anisa Grenazi: Patjetër!
Anisa Grenazi(Foto personale)
CMG: Si vazhdoi rrugëtimi yt në art?
Anisa Grenazi: Rrugëtimi im vazhdoi me pjesëmarrje në festivale të ndryshme në Tiranë, Kukës, Dibër të Madhe, Kosovë, etj. Në fillim kam punuar me mësuese Aishe Ademi, ndërsa momentalisht po punoj me mësuesen Alma Strazimiri. Gjej rastin që t’i falenderoj të dyja sepse për mua kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një mbështetje e madhe në rrugën e muzikës.
CMG: Ti ke marë pjesë në spektakle të talenteve të rinj, si kanë qenë këto konkurse?
Anisa Grenazi: Kam qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete për të rinj ku kanë qenë shumë domethënëse si konkurse. Një ndër to është është edhe "The Voice kids" ku arrita deri në finale. Të gjitha këto spektakle më kanë shtuar dëshirën për muzikën.
CMG: Gjithashtu ti ke qenë pjesëmarëse e disa festivaleve, ku je ndarë edhe me çmime. Çfarë ke fituar nga këto eksperienca?
Anisa Grenazi: Sigurisht që kam marë pjesë edhe në disa festivale ku jam ndarë me çmime të ndryshme. Të gjitha për mua kanë qenë eksperianca shumë të bukura dhe domethënëse. E them pa frikë se kanë qenë një gurë themeli për karrierën time.
Anisa Grenazi(Foto personale)
CMG: Ti ke kënduar në konkurse të muzikës së lehtë, por edhe për muzikën popullore. Si e sheh orientimin tënd në të ardhmen, në cilën rrymë muzikore?
Anisa Grenazi: Më pëlqejnë të gjitha rrymat muzikore dhe më pëlqen të eksperimentoj me to. Gjithashtu më pëlqen edhe muzika popullore qytetare , por aty ku e ndjej veten më mirë janë baladat dhe muzika xhaz.
CMG: Momentalisht cili është angazhimi yt?
Anisa Grenazi: Jam fokusuar tek shkolla, ku përveç studimeve edhe aty merrem me aktivitete të ndryshme.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur?
Anisa Grenazi: Kam dëshirë që hapat t’i hedh shkallë- shkallë dhe të sigurta. Dëshira ime është që në të ardhmen të këndoj këngët e mia, dhe të publikoj albumin tim muzikor, gjithmonë pa lënë mënjanë dhe studimet.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe uroj të të realizohen të gjitha dëshirat! Suksese!
Anisa Grenazi: Të falenderoj për mundësinë që na jepni ne talentëve të rinj. Ishte kënaqësi të isha pjesë e kësaj interviste dhe emisionit “Muzika shqip”.
Intervistoi: Sava LENA
Anisa Grenazi(Foto personale)