Shkurte Hadergjonaj: Duhet ta kultivojmë sa më shumë folklorin tonë
2022-11-05 17:14:43

Shkurte Hadwrgjonaj (Facebook)

Shkurte Hadwrgjonaj (Facebook)

Shkurte Hadergjonaj është këngëtare e muzikës popullore folklorike nga Deçani i Kosovës. Ajo ka nisur të këndojë këngën e mirëfilltë popullore që në moshë të vogël, duke u frymëzuar nga instrumenti i kavallit. Ka realizuar shumë këngë popullore të shoqëruara me videoklipe, të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku. Së fundi Shkurte ka sjellë për artdashësin e saj një kolazh me këngë popullore dasmash dhe pret që të publikojë dhe materiale të tjera muzikore, duke i qëndruar gjithmonë besnike traditës dhe origjinalitetit të këngës popullore. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon për rrugëtimin e saj muzikor si dhe projektet në të ardhmen.

Shkurte Hadergjonaj. (Facebook)

Shkurte Hadergjonaj. (Facebook)

CMG: Znj.Hadergjonaj të falenderoj për pjesëmarrjen në emisionin Bio Folk.

Shkurte Hadergjonaj: Faleminderit shumë për ftesën, kënaqësia është e imja që të jem sot në Radio Ejani në emisionin Bio Folk, ku vetë emri tregon se gjithçka është bio.

CMG: Edhe ju këndoni bio, në të gjitha këngët që keni interpretuar e keni ruajtur traditën e folkut shqiptar.

Shkurte Hadergjonaj: Faleminderit shumë për vlerësimin. Unë e dua shumë këngën folklorike sepse jam rritur me të dhe kur diçka e do shumë e ruan me fanatizëm. Për këtë arsye unë e kam ruajtur dhe kam dëshirë për ta kultivuar, që të  harrohet se është diçka që na përfaqëson si shqiptarë. Kështu që është uni jonë, kur e ruan me fanatizëm edhe e ruan traditën, prandaj dhe unë mundohem të jem sa më shqip.

Shkurte Hadergjonaj me kostum popullor (facebook)

Shkurte Hadergjonaj me kostum popullor (facebook)

CMG: Kur realizoni videoklipet e këngëve e vishni kostumin tradicional popullor?

Shkurte Hadergjonaj: Edhe veshja popullore i përket po këtij fanatizmi timin që unë e dua aq shumë, dhe i bëj me aq krenari. Me thënë të drejtën unë jetoj jashtë, por edhe këtu ku jam nuk e kisha heq kurrë prej trupit veshjen popullore, sidomos kur vesh veshjen e burrave me plis edhe zëri më duket se më shkon më mirë dhe më pastër, më jep fuqi dhe ndjehem shumë krenare.

CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore dhe e keni trashëguar nga familja këtë traditë muzikore?

Shkurte Hadergjonaj: Fillimet e mia kanë qenë që në moshë të vogël, ndërsa për të vazhduar dhe të hyj në rrjedhën e muzikës kam filluar prej vitit 1995. Unë jam frymëzuar nga tingujt e kavallit të babait tim sepse që i vogël ai i ka rënë kavallit, dhe ato tinguj më kanë shtyrë për ta dashur më shumë këngën dhe për ta vazhduar ta këndoj. Dikush nuk ka kënduar nga familja, po ashtu unë jetoj në një fshat të Deçanit dhe jemi në kufi me Tropojnë, dhe unë jam inspiruar nga këngët e Fatime Sokolit dhe Fatmira Breçanit.

Shkurte Hadergjonaj gjate realizimit te nje videoklipi (facebook)

Shkurte Hadergjonaj gjate realizimit te nje videoklipi (facebook)

CMG: Sa vite keni që jetoni në Gjermani, dhe si jeni përshtatur me jetën artistike atje?

Shkurte Hadergjonaj: Unë e përmenda më lart që kam kënduar që prej vitit 1995 me shoqërinë “Isuf Gërvalla” në Deçan, pastaj “Shqiponja e Dukagjinit” në Gjakovë. Në vitin 2003 jam martuar dhe kam ardhur në Gjermani, ku jetoj prej 16 vitesh. Fillimi ka qenë pak i vëshirë për t’u pështatur sepse është një vend tjetër derisa njeriu të përshtatet e të njihet me vendasit. Megjithatë unë kam bërë dhe një pushim të gjatë nga muzika sepse erdhën në jetë fëmijët dhe jam kujdesur për ta. Jam rikthyer prapë dhe unë vazhdoj të këndoj dhe të jem pjesë e dasmave dhe koncerteve këtu për festa dhe gëzime familjare kudo që më kërkojnë.

CMG: Përveç këngëve solistike keni realizuar dhe disa duete me këngëtarë të tjerë. Si janë pritur këto materiale muzikore nga publiku?

Shkurte Hadergjonaj: Këngët janë pritur shumë mirë dhe kam mbetur e kënaqur sidomos me këngët e fundit që kam publikuar. Unë mendoj se çdo këngë e imja pritet shumë mirë sepse njerëzit e dojnë zërin tim, sidomos këngë “Çikë Dukagjini” të cilën e ka shkruar Nevruz Zymeraj  dhe ai kujdeset për tekstet e mia. Kjo këngë është pritur shumë mirë dhe ka gati 700 mijë klikime, po ashtu më vonë kam bërë dhe një këngë tjetër që titullohet “Mori çikë që del në bahçe” e cila ka më pak se dy javë që është publikuar dhe ka marrë 100 mijë klikime në YouTube. Pra këto këngë janë pritur shumë mirë, dhe besoj se do të priten akoma më mirë. Përsa i përket bashkëpunimeve nuk kam aq shumë, megjithëse kam një bashkëpunim kohët e fundit me Llesh Prengën nga Lezha, ku dhe kjo këngë është pritur shumë mirë, dhe ka një tekst perfekt “Dukagjinëse më thërrasin në emër”. Për mua çdo këngë që këndoj, çdo fjalë, çdo rresht që them, e them me shpirt, dhe kur e don diçka dhe e këndon me shpirt patjetër që del bukur.

Shkurte Hadergjonaj me kostum popullor tradicional (Facebook)

Shkurte Hadergjonaj me kostum popullor tradicional (Facebook)

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?

Shkurte Hadergjonaj: Unë nuk kam ndonjë bashkëpunëtor të veçantë që mund ta përmend. Normal bashkëshortin tim e kam në krah gjithmonë sepse ai më ndihmon për ide. Kam realizuar këngë në Kosovë, Shqipëri te Albert Xhemali dhe Radio Oroshi, në Prishtinë, Drenicë dhe çdokund. Pra aty ku e gjej veten më mirë, ku dhe mua më përshtatet i bëj këngët, dhe nuk e kam dikë të veçantë.

CMG: Jetoni prej 16 vitesh larg vendlindjes në Gjermani, por kur riktheheni në Deçan keni mall për vendin ku jeni rritur?

Shkurte Hadergjonaj: Kam nostalgji aq shumë saqë tani për momentin burri kishte blerë disa gështenja, dhe gështenjat kur i shoh më duket se jam në Deçan. Kam shumë mall saqë nuk mund ta përshkruaj me fjalë, dhe pse shkojmë shumë shpesh, dy ose tre herë në vit varet prej mundësive, e ndjejmë nostalgjinë në çdo kohë, në çdo stinë viti sepse ne prej atje vijmë. Sot kudo që jetojmë mundohemi me u përshtat, por prapë se prapë ne prej atje i kemi rrënjët, atje ndjehem vetvetja.

CMG: Keni pasur aktivitete muzikore në Gjermani?

Shkurte Hadergjonaj: Kam pasur koncerte, dhe tani në nëntor janë festat e nëntorit, ku jemi të ftuar në disa festa. Gjithashtu na ftojnë dhe për festa familjare, dhe unë deri tani nuk kam qenë aq e angazhuar sepse jam përkujdesur për fëmijët, por tani ata janë rritur dhe aty ku më ftojnë aty jam.

CMG: Keni ndonjë projekt artisitk ose këngë të re për të publikuar së afërmi?

Shkurte Hadergjonaj: Kam disa këngë që jam duke i punuar, dhe kam publikuar edhe një potpuri, kolazh me këngë të dëgjuara dhe besoj se do të pritet mirë.

Shkurte Hadergjonaj me veshje popullore dhe plis (Facebook)

Shkurte Hadergjonaj me veshje popullore dhe plis (Facebook)

CMG: Ju deri tani keni sjellë krijimtari të re popullore dhe tashmë po sillni kolazh me këngë të njohura popullore.

Shkurte Hadergjonaj: Unë kam sjellë më shumë këngë të reja, por ka dhe disa të tjera që kanë qenë të dëgjuara, por këtë herë do të jetë një kolazh me këngë të dëgjuara dasmash.

CMG: Nga zhanret e muzikës popullore, kë keni më përzemër kur këndoni, këngët e gëzueshme apo ato epike?

Shkurte Hadergjonaj: Unë kam kënduar edhe këngë folklorike në odë të burrave ulur këmbëkryq me plis, dhe të gjitha zhanret e muzikës i dua. Dihet se këngët e dasmave janë këngë të gëzueshme, por kur rreh teli i çiftelisë mua zemra më rreh bashkë me telin e çiftelisë sepse e dua shumë folklorin, sepse gjithë historia jonë është ruajtur përmes këngëve. Kështu që kur e këndon vetë, duket se ti je duke e përjetuar ose duke e çuar një mesazh me anë të këngës folklorike.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për artistët e rinj që duan ta kënojnë dhe ruajnë pastër këngën popullore shqiptare?

Shkurte Hadergjonaj: Mendoj se tani të rinjtë kanë krejt tjetër zhanër muzikor, por mesazhi im për të gjithë të rinjtë, dhe të gjithë ata që duan ta ruajnë traditën tonë, me e ruajt plisin dhe veshjen kombëtare, folklorin në përgjithësi, që të mos i ikin traditës. Ndoshta pak duhet me e ndryshuar diçka, por mos me ik nga ajo që është e jona. Ta kultivojmë sa më shumë folkun bio.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.

Shkurte Hadergjonaj: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, dhe të gjithë adhuruesit e mi me zemër, duke ju thënë që ta duan njërin tjetrin më shumë.

Intervistoi: Gazmend Agaj