Në qershor të këtij viti, u vunë themelet e Kompanisë së Automobilave të Energjisë së Re “Audi-FAW” në qytetin Changchun të Kinës verilindore. Kompania gjermane “Audi” investoi rreth 2.6 miliardë euro në këtë projekt, që pas përurimit do të jetë fabrika e parë e automobilave elektrikë luksozë “Audi” në Kinë.
Presidenti i “Audi China” Jurgen Unser tha:
“Për ne, është një vendim shumë i rëndësishëm që të shkojmë tek partneri ynë i besuar FAW në provincën Jilin. Ne do të punojmë së bashku me ta për të ardhmen. Audi ka një kompani të automobilave të energjisë së re në Changchun dhe kjo tregon qartë zotimin tonë të vazhdueshëm për transformimin elektrik të industrisë automobilistike kineze.”
Vitet e fundit është zgjeruar shumë shpejt tregu kinez i automobilave të energjisë së re, duke tërhequr gjigantë automobilistikë ndërkombëtarë, përfshirë kompani gjermane.
Ndër të tjera Presidenti i “Audi China” Jurgen Unser theksoi:
“Ne kemi besim të plotë në tregun kinez, ndaj parashikohet që deri në vitin 2030, kapaciteti i tregut kinez të automobilave luksozë të rritet në 5.8 milionë. Për ne, tregu kinez është një drejtues i prirjes në fusha të automobilave të energjisë së re, të ndërlidhjes, të drejtimit automatik etj.”
Siç bëhet e ditur, deri tani më se 5000 kompani gjermane kanë investuar në Kinë, njëkohësisht mbi 2000 kompani kineze po prodhojnë në Gjermani. Bashkëpunimi praktik me përfitime të përbashkëta është gjithmonë themeli i marrëdhënieve kino-gjermane.
Studiuesi i lartë i Institutit Financiar “Chongyang” të Universitetit të Popullit Kinez, Liu Zhiqin u shpreh:
“Në 5 dekadat e kaluara, marrëdhëniet kino-gjermane kanë shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat, pavarësisht në fushën ekonomike, apo në fusha të bashkëpunimit me teknologji të lartë, të shkëmbimeve njerëzore etj. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë midis dy vendeve ishte rreth 250 miliardë euro, Kina është bërë partnerja e parë e madhe tregtare e Gjermanisë për 6 vjet me radhë. Kjo tregon se marrëdhëniet kino-gjermane janë nga marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, veçanërisht në fusha të përballimit të ndryshimit të klimës, të tregtisë, të gjeopolitikës, të çështjeve ndërkombëtare etj.”
Foto nga VCG
Sivjet shënohet 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Gjermanisë, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe presin mundësi të reja zhvillimi. Tani situata botërore po ndryshon në mënyrë të paparë, zhvillimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve kino-gjermane e kino-evropiane ka rëndësi të madhe për forcimin e gjallërimit të ekonomisë globale dhe përballimin e paqëndrueshmërisë së gjeopolitikës.
Kryetari i Këshillit të Shoqatës Federale Gjermane për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë e Jashtme Michael Schumann tha:
“Së pari, kjo është një mundësi shumë e mirë për kremtimin e marrëdhënieve të suksesshme e harmonike dypalëshe në 5 dekadat e kaluara, të cilat janë në dobi të të dy vendeve, duke na sjellë shpresë në këtë kohë plot me sfida.”
Me provokimin e superfuqisë, vitet e fundit, në Gjermani e në BE kanë lindur ide kundër Kinës dhe shkëputjes nga Kina. Nën këtë sfond, vizita e kancelarit gjerman Olaf Sholz në Kinë që nis nesër, ka rëndësi shumë të madhe. Kjo tregon se qarqet politike e tregtare gjermane mbajnë qëndrimin e qartë për zhvillimin e marrëdhënieve kino-gjermane dhe kino-evropiane.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit u shpreh:
“Kancelari Scholz ka shprehur shumë herë kundërshtimin e shkëputjes nga Kina. Ai është shprehur qartë gjithashtu se Gjermania kërkon multilateralizmin dhe kundërshton konfrontimin mes Lindjes e Perëndimit.”
Media ndërkombëtare ka vënë re se në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së të sapombyllur u lëshua sinjali i fortë për zgjerimin e hapjes me botën e jashtme. Kjo do të jetë vizita e parë e kancelarit Scholz në Kinë, duke qenë njëherësh udhëheqësi i parë perëndimor që viziton Kinën pas Kongresit. Besohet se vizita e tij do të nxitë bashkëpunimin praktik mes Kinës e Gjermanisë si dhe midis Kinës dhe BE-së. (Fani)