Festivali i blerjeve për Ditën e Beqarëve këtë vit në Kinë pati një bum të madh kërkesash dhe blerjesh që në orët e para të hapjes, me shfrenimin e konsumatorëve për t’u dyndur në faqet online dhe në platformat e transmetimit të drejtëpërdrejtë. Sipas statistikave të deritanishme përqindra e blerjeve ishte shumë më e madhe nga ajo e një viti më parë. Sipas ekspertëve, festivali i blerjeve të Ditës së Beqarëve po luan një rol jetik në stimulimin e oreksit të blerësve, duke forcuar besimin e tyre dhe duke rritur rikuperimin e konsumit.
Shangai në prag të Festivalit të Blerjes, 4 nëntort 2022(Foto:VCG)
Festivali i blerjeve të Ditës së Beqarëve pati rritje të kërkesave për blerje, me një hapje madhështore që në ditën e parë të startimit, në orën 20:00 të së hënës, katër orë më herët se në vitet e mëparshme, me markat vendase dhe platformat e transmetimit të drejtpërdrejtë duke fituar popullaritet ndër konsumatorët kinezë.
Ekspertët e industrisë thanë se furia e blerjeve gjatë ngjarjes më të madhe të blerjeve në internet në Kinë shfaqi vitalitetin e madh të konsumit dhe elasticitetin e fortë të ekonomisë së vendit.
Të dhënat nga “Tmall”, platforma nga biznesi te klientët e “Alibaba”-s, treguan se xhiroja e 102 markave tejkaloi 100 milionë juanë (13.75 milionë dollarë) në orën e parë të fushatës promovuese. Që nga ora 21:00 e së hënës, shitjet e markave vendase, të tilla si “Blackdeer” dhe “Sembo”, tejkaluan atë të 1 nëntorit të vitit të kaluar.
Konsumatorët preferojnë gjithnjë e më shumë të blejnë nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në platformat e tregtisë elektronike, me numrin e ndjekësve nga “Taobao Live”, segmenti i transmetimit të drejtpërdrejtë të “Alibaba”, me 600 për qind rritje nga viti në vit në orën e parë të promovimit.
Supermarket në prag të Festivalit të Blerjes, Nankin(Foto:VCG)
Shitjet e produkteve të pajisjeve shtëpiake përmes tregtisë online të “JD” tejkaluan 1 miliard juanë në minutën e parë të startimit të festivalit të blerjeve, ndërsa vëllimi i transaksioneve të telefonave celularë si “Oppo”, “Vivo”, “Samsung” dhe “OnePlus” u rrit 100 për qind nga viti në vit në 10 minutat e para të promovimit, sipas “JD”.
Për më tepër, 253 marka të kozmetikës dhe kujdesit për lëkurën panë shitjet në rritje më shumë se 100 për qind nga viti në vit në 10 minutat e para, ndërsa shitjet e më shumë se 1500 markave sportive u rritën 100 për qind në baza vjetore gjatë këtij harku kohor.
Wang Yun, studiues në Akademinë e Kërkimeve Makroekonomike, deklaroi se festivali i blerjeve të Ditës së Beqarëve po luan një rol jetik në stimulimin e oreksit të blerësve, duke forcuar besimin e tyre dhe duke rritur rikuperimin e konsumit.
Sipas tij, duhet të bëhen më shumë përpjekje për të mbështetur dhe inkurajuar përmirësimin e furnizimit të produkteve të prodhimit vendas, për të lançuar mallra të personalizuara dhe për të nxitur një numër markash të nivelit të lartë në sektorët e automjeteve, tekstilit dhe veshjeve, elektronikës së konsumit, pajisjeve shtëpiake, produkteve ushqimore dhe kozmetikës.
Një raport nga konsulenca “Bain&Company” bëri të ditur se konsumatorët kinezë po blejnë gjithnjë e më shumë nëpër platforma të shumta. Rreth 69 për qind e të anketuarve thanë se planifikojnë të vizitojnë tre ose më shumë platforma, nga 56 për qind në vitin 2021.
Shangai në prag të Festivalit të Blerjes, 4 nëntort 2022(Foto:VCG)
Çuditërisht, 37 për qind e të intervistuarve planifikojnë të përdorin pesë ose më shumë platforma këtë vit. Kompania anketoi rreth 3000 klientë kinezë për qëndrimet e tyre ndaj festivalit vjetor të blerjeve.
Mo Daiqing, analist i lartë në Institutin e Ekonomisë në Internet, tha se transmetimi i drejtpërdrejtë është bërë një metodë kyçe e miratuar gjerësisht nga markat e konsumatorëve për të mbajtur përdoruesit ekzistues, për të tërhequr të rinj dhe për të rritur të ardhurat nga shitjet.
“Konkurrenca në sektorin e tregtisë elektronike të transmetimit të drejtpërdrejtë është intensifikuar pasi një numër në rritje i markave dhe tregtarëve po përdorin dhomat e transmetimit të drejtpërdrejtë të platformave të shkurtra video, duke përfshirë “Douyin”, “Kuaishou” dhe “Xiaohongshu”, një faqe e rrjeteve sociale e fokusuar në stilin e jetesës”,- tha Mo.
Sipas tij, shitësit me pakicë në internet duhet të bëjnë rregullime strategjike për të reduktuar varësinë e tepërt të tyre nga faqet kryesore të transmetimit të drejtpërdrejtë dhe për të mbështetur platformat e reja.
Tmall, 4 nëntor 2022(Foto:VCG)
Konsumi po luan një rol gjithnjë e më të madh në forcimin e zhvillimit të ekonomisë reale në ekonominë e dytë më të madhe në botë, tha Wang Qiang, profesor i asociuar i Shkollës së Biznesit në Universitetin Renmin të Kinës, duke shtuar se blerjet në internet kanë ofruar mbështetje të fortë për rritjen e konsumit në Kinë dhe kanë ndihmuar në lehtësimin e jetesës së njerëzve gjatë pandemisë Covid-19.