“Mikrofoni i Artë Vaçe Zela”, një festival për zërat e rinj në muzikë
2022-11-04 10:56:09

Aktiviteti kulturor “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela” i organizuar në fund të muajit tetor ishte një arritje e madhe për Shoqatën Kombëtare Mbështetje të Grupeve Vulnerabël të Degës Lushnje.  Ideja e këtij festivali lindi në Itali mes gazetares Etleva Rrapa dhe  Presidentit të kësaj shoqate, Adriatik Gega të cilët menduan për të sjellë një event me vlera për qytetin e tyre. Ata së bashku i gjetën vlerat brenda qytetit, nëpërmjet figurave të shumta që ka nxjerrë qyteti i Lushnjes dhe një nga figurat e njohura të këtij qyteti, e cila ka bërë histori në muzikën e lehtë shqiptare është edhe “Artistja e Popullit” Vaçe Zela. Si fillim u mendua që të realizohej një event dedikuar kësaj artisteje, për të risjellë në vëmendjen e të rinjve kulturën, pa harruar historinë e muzikës, duke kujtuar ata që kanë lënë gjurmë në jetën kuturore  të vendit tonë.  Kështu nisi Edicioni i Parë i Festivalit “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela”, e ideuar nga Etleva Rrapa dhe organizuar nga Adriatik Gega. Prezantimi dhe skenari i festivalit nga Etleva Rrapa, përcolli mjaft emocion në publik, si nga konkurentët e vegjël, por edhe stafi i festivalit i cili u përfshi nga emocionet që në minutat e para dhe deri në momentet e fundit, duke u larguar me një përshtypje shumë të mirë.

Në konkurimin e edicionit të parë të festivalit u paraqitën mbi 40 artistë të vegjël, por stafi zgjodhi vetëm 20 prej tyre të interpretonin në skenë. Të gjithë interpretuesit e vegjël e  përcollën emocionin direkt tek publiku, duke sjellë këngët e kënduara më parë nga  “Artistja e Popullit” Vaçe Zela, një ide e  mirë kjo që arti i saj të jetojë përgjithmonë dhe pikërisht aty, në vendlindjen e artistes.  Juria u zgjodh të ishte një ndërthurrje mes artistëve që kanë lënë gjurmë në historinë e artit shqiptar, por edhe të rinj, për t’i sjellë jurisë mendimin e ri, jo vetëm për repertorin e artistes, Vaçe Zela, por për të vlerësuar artistët e vegjël jo vetëm nëpërmjet vokalit, por edhe për mënyrën interpretative, duke vëzhguar reagimin e publikut. Juria ishte  e përbërë nga pesë anëtarë, Presidente Jurie, Margarita Xhepa "Nderi i Kombit",  Kryetar jurie, Maestro Zhani Ciko, Sopranoja Mariana Leka, gazetarja Sava Lena  dhe aktori i suksesshëm shqiptar në Itali, Antonjo Gjonaj. Për të gjithë artistët që interpretuan në skenë u ndanë certifikata pjesëmarrëse, ndërsa juria vlerësoi me tre çmimet e para artistët që interpretuan nga repertori i këngëtares Vaçe Zela. Ata ishin këngëtarët:  Arbias Pepa (Çmimi i tretë), Marina Dako (Çmimi i dytë), Fjona Resuli (Çmimi i parë), e cila interpretoi mjaft bukur këngën “Natën vonë”, duke e emocionuar edhe publikun. Gjithashtu u vlerësuan me disa çmime speciale këngëtarët;  Ria Malo e cila fitoi Çmimin e Publikut, ndërsa Çmimi Bilbili i Artë shkoi për  Erida Tushin, Çmimi Horizonti për këngëtaren Ejza Hoxha. Juria veçoi gjithashtu edhe dy këngëtarë të tjerë duke i vlerësuar me Diplomë si Jerina Limaja dhe  Samuel Guri.

E ftuar nderi, ardhur posaçërisht  për këtë festival nga Zvicra ishte dhe Irma Rodiqi, vajza e “Artistes së Popullit” Vaçe Zela për të cilën ishin rezervuar disa surpriza. Për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe vazhdimësinë e këtij festivali flet për Grupin Mediatik të Kinës ideatorja dhe prezantuese e festivalit, Etleva Rrapa.

CMG: Si dhe kur lindi ideja e këtij festivali?

Etleva Rrapa: Ideja e Festivalit lindi në muajin qershor, kur unë sapo kisha mbaruar një event internacional në Itali,  që ishte Forumi i Mesdheut dhe Alban Itali. Pasi  kisha diskutuar me  Presidentin e Shoqatës në mbështetje të grupeve vulnerabël për degën Lushnje, që është edhe qyteti im i lindjes Adriatik Gega,  menduam të bënim një event që të ketë vlera për qytetin tonë. Duke parë se si mund t'ja sjellim vlerat këtij qyteti, i gjetëm vlerat brenda qytetit tonë, nëpërmjet figurave që ka nxjerrë Lushnja. Ky qytet është konsideruar ndër vite e ndër dekada si “hambar i Shqipërisë” jo vetëm për prodhimet e saj, por edhe për artistët. Një nga artistët më në zë që ka patur Lushnja (them ka patur se ka ende të shumë të tjerë) është Vaçe Zela. Kështu lindi ideja që të bënim një event dedikuar kësaj artisteje, në mënyrë që mos të harrojmë  kulturën, historinë dhe ata që kanë lënë gjurmë në jetën e popullit, në jetën kuturore dhe historike të vendit tonë. Ishte një mendim i papritur, si ato idetë që të vijnë shpejt në mendje, që në  moment të duken absurde, të parealizueshme, por në fund ja dolëm.

CMG: Në këtë festival ju kishit të ftuar figura të njohura nga brenda dhe jashtë vendit. A ishte e vështirë për t’i bërë bashkë në një ditë?

Etleva Rrapa: Me thënë të drejtën nuk ishte shumë e vështirë për arsye se të gjithë të ftuarit që patëm, sapo u dërguam ftesat apo u propozuam idenë tonë, duke patur parasysh idenë e seriozitetin  e punës tonë, mënyrën se si ne punojmë, patën besim, na mbështetën dhe na thanë se do të jemi prezent. Padyshim që pati vështirësi, se erdhën të ftuar nga SHBA, Greqia, Italia, nga Kosova, Gjermania dhe nuk ishte e thjesht që t’i vije të gjithë së bashku sepse janë motivet e punës, motivet familjare. Gjithësesi arritëm që në 22 tetor në Lushnje të kishim njerëz nga çdo cep i botës dhe kjo ishte një mbështetje e fortë që na dhanë të gjithë pjesëmarrësit. Si anëtar jurie ishte edhe një i ftuar  nga Italia, aktori Antonjo Gjonaj dhe jam shumë e kënaqur që kjo juri ishte e përbërë nga dy gjenerata, nga gjenerata e artistëve që ka shkruar historinë, si dhe gjenerata e re, të cilët po punojnë për ta shkruar historinë.


CMG: Çfarë do të veçoje ti nga ky festival?

Etleva Rrapa: Kjo pyetje më lë pa fjalë sepse nga ky festival do të veçoja shumë gjëra, por ato më krysoret janë interpretimi i drejtëpërdrejtë i fëmijëve, emocionet që ata përjetuan në skenë ku disa fëmijë qanin përpara se të këndonin, ose në fund të këngës dhe unë doja që ata të ishin pranë mikrofonit dhe pranë publikut me emocionet  e tyre të drejtpërdrejta. Do të veçoja publikun që për herë të parë pas më shumë se 25 vjetësh, Teatri Vaçe Zela u mbush plot saqë kishte edhe njerëz që rrinin në këmbë. Ishin emocione të papërshkruara të publikut që duartrokiste dhe përlotej, por një pjesë tjetër që do të veçoja që pas festivalit, kur dola në mbrëmje rrugët e qytetit të Lushnjes ishin të mbushura plot me njerëz që na ndalonin, na përgëzonin, por kishte edhe fytyra që përloteshin dhe thonin: “Sa bukur që e rizgjuat zërin e “bilbilit të Myzeqesë”.

CMG: Si u vlerësuan artistët e vegjël?

Etleva Rrapa: Në rradhë të parë unë dua të falenderoj jurinë e mrekullueshme me Kryetar Maestro Zhani Cikon, Presidente Nderi Margarita Xhepa  “Artiste e Popullit” edhe ajo një vajzë Lushnjare, Sopranon Mariana Leka,  aktori shqiptar i Netflix, i cili erdhi nga Italia Antonjo Gjonaj, si dhe gazetarja Sava Lena. Juria i vlerësoi fëmijët në dy kategori: Për interpretimet e këngëve të “Artistes së Popullit” Vaçe Zela, por edhe për zërat e tyre me këngë dhe repertor  të ndryshëm nga këngët e Vaçe Zelës, duke u ndarë tre  çmimet e para dhe tre çmimet speciale si: Çmimi Bilbili i Artë, Çmimi Përtej Horizonteve  dhe Çmimi i Publikut.

CMG: A do të ketë vazhdimësi Festivali  "Mikrofoni i Artë Vaçe Zela"?

Etleva Rrapa: Ne kemi shumë dëshirë që ky edicion i parë të ketë edhe edicione të tjera dhe padyshim që duam ta vazhdojmë këtë eksperiencë dhe ta mbajmë gjallë, duke investuar në kulturën dhe artin tek brezat e rinj, sepse ata do të jenë  e ardhmja e kombit, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Shpresojmë që në edicione të tjera të kemi fëmijë që të marin pjesë edhe  nga emigrimi sepse edhe që andej kanë patur shumë dëshirë të merrnin pjesë, por kushtet dhe koha nuk na e mundësuan këtë herë që të ishin të gjithë prezentë.

Etleva Rrapa e ka nisur punën në fushën e artit dhe kulturës mbi dy dekada më parë në TV4 Plus në qytetin e saj të Lushnjes. Më pas u largua drejt emigrimit në Itali, por  kjo dëshirë sikur mbeti mënjanë, duke ju rikthyer pasionit të saj. Aktualisht përfaqëson dy shoqata shqiptare, njëra humanitare dhe tjetra kulturore. Gjatë viteve të fundit ka organizuar shumë aktivitete humanitare brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke u përqëndruar më shumë në marrëdhëniet ndërkulturore të brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve shqiptarë në Itali, Greqi, Angli, Gjermani. Ka patur bashkëpunime dhe ide më projekte dhe programe me GX Milano Fashion Week ku arritën të dërgonin në sfilatat e modës një vajzë me aftësi ndryshe nga Shqipëria. Po këtë vit ajo ka  organizuar për herë të parë eventin Forumi i Mesdheut me Alban Itali dhe pret që edicionin e dytë ta realizojnë në Shqipëri. Ka marë pjesë në shumë evente në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, si e ftuar por edhe  hulumtuese e talenteve të rinj në fushën e artit, të pikturës, poezisë dhe të këngës, si dhe eventi i fundit i organizuar në qytetin e Lushnjes “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela 2022”. Është duke punuar për të bashkëpunuar për realizimin e një sfilate mode për sezonin e vjeshtës, në provincën Pistoia, në Toskanën e bukur, por edhe shumë aktivitete të tjera kulturore, humanitare, ndërkulturore me Shqipërinë.

Ndërsa vajza  që ka fituar çmimin e parë në Edicionin e parë të Festivalit “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela” Fiona Resuli, ka treguar për pjesëmarrjen dhe emocionet që i dhuroi  skena.

CMG: Si nisi rrugëtimi yt për në Festivalin “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela" dhe a mendoje se do fitoje?

Fiona Resuli: Unë jam Fiona Resuli nga qyteti i Fierit dhe jam 11 vjeç. Në Festivalin "Mikrofoni i Artë Vaçe Zela" fitova çmimin e parë me këngën "Natën vonë" të kënduar nga e madhja Vaçe Zela. Këtë  këngë sa herë e këndoj më jep shumë emocione. Nuk mendoja se do të fitoja, por kur juria përmendi emrin tim, u ndjeva shumë e lumtur dhe e falenderoj për vlerësimin.

CMG: A është këngëtarja Vaçe Zela artistja jote e preferuar? I ke ndjekur interpretimet e saj para se të vije në këtë festival?

Fiona Resuli: Këngët e Vaçe Zelës i dëgjoj shpesh herë pasi më motivojnë shumë dhe më japin forcë për të vazhduar përpara. Këngën "Natën vonë" e kam interpretuar edhe tek kompeticioni "Gjeniu i vogël"  ku edhe aty u ndava me një vlerësim shumë të mirë. Vaçe Zela ka qenë dhe do të mbetet një artiste me shumë vlera dhe shpresoj që edhe unë të eci në gjurmët e saj. Shpresoj që rruga ime në muzikë të jetë e gjatë, pasi ëndrra ime është që një ditë të bëhem një këngëtare e madhe.

Fjalët janë të pakta për të përshkruar gjithçka të bukur që u përjetua nga të gjithë personat e pranishëm në Qëndrën e Artit Vaçe Zela Lushnje, e cila ofroi për publikun me dyer te hapura, pa bileta një spektakël të vërtetë dhe që pati mundësi çdo person që ishte i etur për muzikë të mirë të ndiqte këtë festival.

Pas këtij suksesi kjo nismë e bukur e festivalit të zërave të rinj “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela” do të vazhdojë si një traditë në këtë qytet, për të pritur jo vetëm artistë të vegjël nga e gjithë Shqipëria, por edhe fëmijë shqiptarë nga mbarë bota, duke u lënë hapësirë edhe fëmijëve me aftësi ndryshe për të kënduar.

Intervistoi : Sava Lena