Halloween dhe ndikimi tek fëmijët
2022-11-04 23:02:24


Mbëmja e 31 tetorit  në  mbarë botën  festohet si  festa e Halloween, e cila i ka rrënjët në popujt keltë. Por çfarë është Halloween në vetvete ?. Atributi kryesor i Halloween është kungulli, i cili quhet "Jack Lantern". Sipas legjendës, zakoni i bërjes së fenerëve të kungujve u prezantua nga një farkëtar irlandez, me nofkën Stingy Jack. Një herë, në prag të Ditës së Gjithë Shenjtorëve, vetë djalli donte që t'i merrte shpirtin dhe për këtë i ofroi kovaçit të blinte një filxhan verë të preferuar. Farkëtari ra dakord për një marrëveshje me djallin dhe mori në këmbim 20 vjet jetë të qetë për veten e tij. Jack nuk e bëri jetën e tij tokësore si një njeri i drejtë, kështu që pas vdekjes së tij ai ishte i dënuar që të bridhte në tokë, duke ndriçuar rrugën e tij me një copë qymyr. Ky qymyr ishte i pazakontë, pasi Jack e mori atë nga djalli gjatë marrëveshjes. Ky qymyr e ndihmoi  Jack të mbante zjarrin brenda fanarit . Për më tepër, besohet se Jack  nuk ka gjetur ende paqe për shpirtin e tij mëkatar dhe vazhdon të endet në tokë në pritje të Gjykimit të Fundit. Për të mbrojtur shtëpinë nga fryma jo mjaft e sjellshme e Jack, më 31 tetor, nga një kungull bëhet një pamje e kokës, e cila vendosej në dritare. Nëse Jack, do ishte duke iu afruar shtëpisë dhe e shihte veten, ai do të frikësohej dhe do të ikte.

Foto: VCG

Foto: VCG

Në shekullin e 9-të, pas vendosjes së krishtërimit, traditat e lashta u përzien me festën e krishterë Ditën e të Gjithë Shenjtorëve. Ky është një emërtim  i mëvonshëm për festën. (Koincidenca e datave të festimit të Halloween-it Keltik dhe Ditës së të Gjithë Shenjtorëve të Krishterë, çoi në faktin se ato u identifikuan në vetëdijen popullore.) Zbulimi i kontinentit të ri të madh, Amerikës, nga Kristofor Kolombi pati një ndikim të madh në përhapjen e traditave të Halloween-it duke mbajtur traditat dhe “festën”.

Kungulli do të thotë në të njëjtën kohë fundi i të korrave, shpirti i keq dhe zjarri i shenjtë që e frikëson atë. Edhe pse ai erdhi tek ne nga Amerika, keltët e lashtë konsiderohen themeluesit e saj.

Si nisi të festohej Hallowen?

Kjo nuk dihet me siguri, por sipas legjendave bazohet në Vitin e Ri Keltik, i cili festohej më 1 nëntor në kohët parakristiane. Sipas legjendës, fiset kelte që jetonin në Angli, Irlandë dhe Francën Veriore e ndanë vitin në dy pjesë, dimër dhe verë. Prandaj, 31 tetori u konsiderua dita e fundit e vitit që po largohej  dhe gjithashtu nënkuptonte fundin e korrjes dhe kalimin në një sezon të ri dimëror. 

Foto: VCG

Foto: VCG

Sipas besimit kelt, natën e fundit, nga 31 tetori deri më 1 nëntor, linja midis botëve të të gjallëve dhe të vdekurve u fshi, dhe banorët e botës tjetër hynë të sigurt në dritën e Zotit. Keltët e quajtën këtë natë Samhain.

Dita e të gjithë shenjëtorëve me urdhër të Papa Gregori III, ata e zhvendosën atë në 1 nëntor të shekullit të 9-të, me këtë Kisha e Krishterë dëshironte të zhdukte traditat pagane, por ndodhi e kundërta,  ata filluan të festojnë përsëri Samhain. Në anglishten e vjetër, një natë para festës tingëllonte si All Hallows Even (Mbrëmja e të Gjithë Shenjtorëve), ose shkurtuar - Hallowe "en, dhe pastaj edhe më e shkurtër - Hallovveen (Hallovveen). Kështu u shfaq emri modern i kësaj feste - Halloween.

Në kohët e sotme, kjo “festë” po bëhet gjithmonë edhe më komerciale duke u konsideruar si “festa” e dytë më fitimprurëse tregtare pas Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Vetëm në Amerikë, më shumë se 2.5 miliardë dollarë janë shpenzuar për përgatitjen e festës. Në Francë, procesionet më mbresëlënëse të Halloween zhvillohen në periferinë Disneyland të Parisit dhe në qytetin e Limoges, ku më shumë se 30,000 njerëz vijnë çdo vit. Aty zhvillohen paradat e goblinëve, vampirëve dhe fantazmave, të cilët ndriçojnë rrugën e tyre me fenerë kungujsh. 

Si ndikon Halloween-i tek fëmijët? 

Për Grupin Mediatik të Kinës Dr. Psikiatre Elona Dashi  flet në lidhje me këtë temë. 

CMG: Si ndikon Halloween-i tek fëmijët?  A duhet t’ja ndalojë prindi fëmijës që të dalë në këtë “festë” që ka marë kaq shumë popullaritet?

Dr. Elona Dashi: Është e vërtetë që vitet e fundit po festohet përherë edhe më tepër festa e Halloween-it dhe ka marë një popullaritet në vendin tonë edhe pse nuk është një festë tradicionale e jona. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, nëse prindi duhet ti ndalojë fëmijët për të qenë pjesë e Halloween-it, nuk e besoj se është zgjidhje  gjithmonë sepse përjashtimi apo shmangia nuk është ajo që ne duam. Padyshim nëse është një festë që festohet nga të gjithë, ne do përpiqemi të jemi pjesë e asaj “feste”, por që ne të përpiqemi që të ruajmë konceptin e fjalës “festë”. 

CMG: Nëse prindi nuk ja del dot për të ndaluar fëmijët për t’i shmangur nga kjo “festë”, pasi i gjithë rrethi shoqëror, klasa apo kopshti i tij janë bërë pjesë të saj, si duhet të reagojë prindi në këtë rast?   

Dr. Elona Dashi: Është e rëndësishme që prindi të ketë marrë paraprakisht të gjithë informacionin, për mënyrën se si do të organizohet kjo festë në institucionin arsimor që fëmija frekuenton, qoftë kopësht apo shkollë  dhe për të gjykuar më pas nëse ky lloj organizimi është i përshtatshëm për fëmijën e tij. Duke patur parasysh se prindi e njeh më së shumti fëmijën, njeh frikërat e tij, nevojat e fëmijës, dhe vetëm pasi ka marë këtë informacion, mund ta përgatisë fëmijën për festën e Halloween-it. 

CMG: Si duhet t’ua spjegojnë fëmijëve se çfarë është Halloween-i në vetvete? 

Dr. Elona Dashi:  Sa i takon Halloween-it në vetvete konsiderohet si një “festë” e frikshme, por kur flasim për natyrën e fëmijës, ne nuk duam as t’i frikësojmë, as të nxisim frikën tek fëmijët. Ndaj mënyra më e mirë për t’ja spjeguar fëmijës, është si një festë me kostume, ku çdo fëmijë vishet ndryshe, ku mund të zgjedhi kostumin e heronjve të preferuar, kukullat e referuara, duke ju përshtatur në këtë mënyrë edhe grupmoshës. Sepse gjithmonë sa herë kemi bërë thirrje ndaj “Alertit” gjatë kësaj “feste”, gjithmonë e më tepër shohim fëmijë të vegjël të veshur me maska të frikshme, që padyshim janë të frikshëm, qoftë për individin, pra fëmijën vet, qoftë edhe për moshatarët. Ndoshta një fëmijë 4-5 vjeç mund të mos  të frikësohet nga ajo maskë, por një fëmijë tjetër padyshim që mund të ketë më shumë frikë dhe pasojat emocionale që kanë tek këto fëmijë është shumë më i madh se impakti i parë në ato momente. 

Halloween në Tiranë (Foto Vizion Plus)

Halloween në Tiranë (Foto Vizion Plus)

CMG:  Çfarë duhet të diskutojë prindi me fëmijën për këtë “festë”?

Dr.Elona Dashi: Pasi të kemi diskutuar që ambjenti të jetë i përshtatshëm për moshën, kemi zgjedhur kostumin e duhur për fëmijën, është e rëndësishme që prindi të diskutojë me fëmijën edhe një element tjetër, sidomos për fëmijët e vegjël, që ajo çfarë ndodh në atë “festë”, nuk është e vërtetë. Është një lojë imagjinare, është një lojë me personazhe, është një lojë me “sikur” dhe gjithësecili zgjedh një lojë më një personazh të preferuar për t’u veshur, për t’u identifikuar, po jo se është i vërtetë. Kjo është e rëndësishme në fakt sepse fëmijët më të vegjël padyshim e kanë të vështirë që të dallojnë lojën imagjinare, apo elementët imagjinarë në lojë me “sikur” nga ajo çfarë është e vërtetë. E padyshim që kanë tendencën që gjithçka që ndodh aty, ta marin si të vërtetë. Prandaj është e rëndësishme që prindi t’ja shpjegojë edhe këtë element fëmijës.

Siç thotë edhe psikiatria Elona Dashi, Halloween-i është një festë e frikshme. Disa nga simbolet që ajo përdor gjithashtu janë të frikshme. I  frikshëm është edhe fakti që fëmijët pranojnë të marrin karamele nga të panjohurit dhe të flasin me ta, kur e kanë të ndaluar nga prindërit në ditë normale që ta bëjnë këtë gjë. Ekzistojnë mendime të ndryshme në lidhje me festën e Halloween-it. 

Disa e shohim si mundësi ku fëmijët të shprehin veten dhe të rriten. Ajo sipas tyre ndez imagjinatën dhe u ofron mundësinë të eksplorojnë koncepte të reja dhe të zhvillojnë aftësitë sociale  gjë që është shumë e rëndësishme në ditët e sotme ku teknologjia po i izolon gjithnjë e më shumë. Disa të tjerë kryesisht të krishterët e shohin si “festë pagane satanike” në të cilën fëmijët nuk duhet të marrin pjesë, pasi nuk ka një mesazh me vlerë shpirtërore që ti ndihmojë fëmijët të rriten shpirtërisht.  Pavarësisht mendimeve pro dhe kundër shqiptarët e shohin Halloween-in si një “festë” gazmore.  

Intervistoi: Sava Lena