Mjekësia tradicionale kineze është bërë tashmë tepër e përhapur në SHBA, me shumë qendra mjekësore dhe spitale që e kanë futur si praktikë shëruese për sëmundje të ndryshme dhe për të lehtësuar dhembjet e pacientëve. Por, ajo praktikohet edhe nga persona të licencuar në klinika të tyre, të cilët ofrojnë shërbime për njerëzit me problematika të ndryshme që lidhen dhe me stresin.
nga VCG
SHBA përqafon mjekësinë tradicionale kineze
Mjekësia Tradicionale Kineze, ose TCM, po përdoret gjithnjë e më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kuruar problemet moderne që vijnë nga stresi i shkaktuar nga trazirat politike dhe sociale, duke përfshirë pandeminë Covid-19.
Praktika, e vjetër rreth 2000-vjeçare, daton në epokën e Dinastisë Shang (rreth shekulli i 16-të - shekulli i 11 p.e.s).
TCM përfshin akupunkturë, kupa, “moxibustion” për dhembjet (një formë e terapisë me nxehtësi), mjekësi bimore, ushqim, masazh tuina (përdoret me teknika moderne mjekësore për të trajtuar një sërë problemesh) dhe ushtrime të tilla si “tai chi” dhe “qigong”, të cilat kombinojnë lëvizjen dhe meditimin.
TCM përdoret për trajtimin e artritit, të dhembjeve të shpinës, qafës dhe gjurit, çrregullimet gastrointestinale, presionin e lartë të gjakut, stresin, ankthin, infertilitetin dhe shumë probleme të tjera mjekësore.
Në zemër të lagjes kineze të Nju Jorkut, pacientët shkojnë në katin e dytë të një ndërtese, duke kaluar nëpër biznese ku rrobaqepësit krijojnë fustane tradicionale “qipao” dhe ambiente të tjera ku praktikohet kung fu.
Ata vizitojnë klinikën e Yi Qiao Wu, për t'i treguar mjeshtrit të mjekësisë tradicionale kineze për sëmundjet dhe problemet e tyre.
Dhjetëra certifikata akreditimi nga universitete dhe institucione të tjera varen në muret e dhomës së Wu. Dosjet vendosen lart në ambientet e pritjes, ku pacientët presin të trajtohen.
Një njeri i përulur, i thjeshtë dhe me pak fjalë, Wu ka praktikuar në qytetin e Nju Jorkut për 28 vjet, ndërsa më parë ai ka punuar në Kinë për 15 vjet.
Një nga pacientët e tij, një burrë rreth të 50-ave që kërkoi anonimitetin, e përmblodhi aftësinë e mjekut duke thënë se Wu është i talentuar dhe talenti i tij është i pashoq.
Pacienti ka shkuar te Wu gjatë 15 viteve të fundit sa herë që ka nevojë për ndihmë rutinë për mirëqenien ose për të forcuar sistemin e tij imunitar. Ai tha se aftësia e Wu për të dëgjuar pacientët e tij e bën mjekun shumë intuitiv.
“Kohët e fundit pata dhembje të forta shpine. Sapo hyra në zyrën e mjekut, ai më pa dhe më tha: “Si jeni”? Dhe para se të përgjigjesha, ai më pyeti nëse kisha dhembje shpine”,- tha pacienti.
Wu, i cili e nënvlerëson këtë aftësi, tha: “Unë përdor vetëm teknika kineze, kjo është e gjitha. Por unë mund të shikoj fytyrën, ecjen dhe qëndrimin tuaj për të parë se kush jeni, personalitetin tuaj dhe çfarë nuk shkon”.
Në një pasdite të ngarkuar të së dielës në dhoma të veçanta trajtimi, Wu kujdesej për disa pacientë që përjetonin dhembje shpine, ata që donin një detoks ose dhe dikë me dhembje në qafë.
Pacientët e tij, të cilët janë si kinezë dhe amerikanë, kryesisht e kontaktojnë fizikisht, pasi Wu nuk ka një faqe interneti.
Duke përdorur akupunkturën, mjeku fut gjilpëra të vogla, sterile, në pjesë të caktuara të trupit të pacientit për të synuar zonat e dhembjes ose të stresit.
Ai përdor gjithashtu gota të vogla thithëse për të tërhequr gjak në zonat e lëkurës që kanë bllokime, që duhet të hiqen për të përmirësuar mirëqenien.
Për ndihmë shtesë, masazhi lehtëson dhembjen dhe efektet e tyre dhe lehtësimi mund të jetë i menjëhershëm.
Pacienti tha: “Wu mund t'ju “skanojë” në milisekonda dhe të dijë saktësisht se çfarë po ndodh para se të komunikoni me të. Një herë kam pasur fryrje, të cilën nuk e kisha pasur kurrë më parë, por vetëm një trajtim nga dr. Wu dhe gjithçka u zgjidh më së miri”.
Në SHBA, ka rreth 27.000 ofrues mjekësorë kinezë të licencuar në 44 shtete dhe në distriktin e Kolumbisë, sipas Kolegjit Amerikan të Mjekësisë Tradicionale Kineze, ose ACTCM, i cili u themelua në vitin 1980, me bazë në San Francisko.
Nga viti 2020 deri në vitin 2026, tregu TCM parashikohet të rritet me një total prej 46 miliardë dollarësh në Amerikën e Veriut, Evropë, Azi-Paqësor, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, sipas një raporti të publikuar në korrik nga “Quadintel”, një kompani e kërkimit të tregut, me qendër në Çikago.
nga VCG
Vëmendje kombëtare
Deri në vitet 1970, shumica e njerëzve në SHBA nuk ishin në dijeni të akupunkturës, e cila së pari tërhoqi vëmendjen kombëtare në vitin 1971, kur James Reston, një reporter për “New York Times”, ishte në Kinë me sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Henry Kissinger, gjatë mandatit të presidentit Richard Nixon.
Reston iu nënshtrua një seance urgjente me akupunkturë në Pekin, duke përjetuar lehtësim të menjëhershëm të dhembjes, prej mjekësisë tradicionale kineze.
Pas kthimit në SHBA, ai vendosi të shkruante për përvojën e tij në një artikull në korrik 1971, që vlerësohet gjerësisht si hera e parë që TCM u prezantua publikisht për njerëzit në SHBA.
Në vitin 1997, Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA-së e njohu zyrtarisht akupunkturën si një mjekim të zakonshëm. Më shumë se 20 vjet më vonë, shumë spitale në disa shtete e ofrojnë atë për të menaxhuar dhembjen.
Spitali “Mount Sinai”, një nga më të mëdhenjtë në vend, me më shumë se 7200 mjekë, duke përfshirë mjekë të përgjithshëm dhe specialistë, dhe 13 qendra të sipërmarrjes së përbashkët, ofron kujdes shëndetësor që rrjedh nga mjekësia tradicionale kineze.
Houman Danesh, drejtor i menaxhimit integrues të dhembjes për spitalin “Mount Sinai” në Nju Jork, beson se akupunktura ofron përfitime të rëndësishme për trajtimin e dhembjeve të shpinës, të gjurit dhe të kokës. Ai gjithashtu beson se qasja holistike e TCM-së është e dobishme.
“Shërimi është një proces kompleks multimodal. Ai përfshin shkencën, si dhe bindjet dhe qëllimet e pacientit individual”,- tha ai.
Danesh vlerëson se më shumë se 1000 persona në vit marrin akupunkturë vetëm në spitalin kryesor “Mount Sinai” dhe se rreth 2000 përfitojnë nga trajtimi në të gjithë sistemin e spitalit.
“Duke kombinuar mjekësinë lindore dhe perëndimore, ne jemi më në gjendje t'u ofrojmë pacientëve një plan trajtimi për dhembjen e tyre”,- shtoi Danesh.
nga VCG
Efektet e dobishme
Hulumtimet tregojnë se TCM-ja është gjithashtu e dobishme në zbutjen e dhembjeve të shkaktuara nga kanceri.
“Memorial Sloan Kettering Cancer Center” (MSKCC), një institucion me famë botërore për trajtimin dhe kërkimin e kancerit, ka vendndodhje në të gjithë New York City, Long Island, New Jersey dhe Westchester. Ai gjithashtu miraton përfitimet e kombinimit të kujdesit shëndetësor lindor dhe perëndimor, veçanërisht për trajtimin e kancerit.
Jun J. Mao, shefi i shërbimit të mjekësisë integruese në MSKCC, i specializuar në akupunkturë, tha se qendra, programi i akupunkturës së të cilës filloi më shumë se 20 vjet më parë, ka një nga programet më të vjetra të mjekësisë integruese në Perëndim.
“Pacientët me kancer shpesh përjetojnë një sërë simptomash fizike dhe psikologjike si dhembje, lodhje, pagjumësi ose neuropati të lidhura me kimioterapinë e tyre. Shumë pacientë të tillë nuk fitojnë lehtësim adekuat nga mjekimet perëndimore. Mjekësia lindore shpesh rrjedh nga shumë vite praktikë klinike. Pra, trajtimet janë shpesh pak më holistike, duke pranuar me të vërtetë mendjen dhe trupin dhe marrëdhënien dhe ndërveprimin. Unë konstatoj se mjekësia lindore, veçanërisht në kontekstin e trajtimit të kancerit, ofron më shumë përfitim”,- tha Mao.
Shoqata Amerikane TCM, ose ATCMA, një organizatë jofitimprurëse që promovon specialitete të mjekësisë kineze në SHBA, dëshiron të shohë më shumë spitale që ofrojnë mjekësinë tradicionale kineze.
Vitin e kaluar, kongresistja amerikane Judy Chu, një demokrate nga Kalifornia, prezantoi Aktin e Akupunkturës për të moshuarit, një projekt-ligj që synon rritjen e aksesit në akupunkturë në sistemin e kujdesit shëndetësor, nismë e mbështetur nga ATCMA.
Chu tha në një deklaratë se të gjithë meritojnë aftësinë për të marrë kontrollin e kujdesit të tyre shëndetësor, dhe kjo duhet të përfshijë aksesin në mjekësinë tradicionale aziatike, e cila është provuar e suksesshme në trajtimin e një sërë problemesh shëndetësore për mijëra vjet.
Sipas saj, ndërsa amerikanët përballen me një dhembje kronike dhe epidemi të opioideve, mbështetja për akupunkturën si një alternativë e sigurt është rritur me kalimin e viteve.
Chu dëshiron që të moshuarit në programin “Medicare” të kenë mundësi të përdorin akupunkturën, por vëren se akupunkturistët e licencuar janë ende të ndaluar të jenë ofrues në “Medicare”. Disa plane sigurimesh aktualisht mbulojnë koston e TCM-së.
nga VCG
Ndërsa kinezët e parë që emigruan në SHBA në shekullin e 19-të për të punuar në Kaliforni sollën me vete dhe praktikat e mjekësisë tradicionale kineze, që tashmë janë të mirëpritura nga shumë kultura.
Frank Griffo, një shtetas amerikan që jeton në Petaluma, Kaliforni, me gruan dhe dy fëmijët e tij, ka qenë një akupunkturist i licencuar privat që nga viti 2005.
“Shumica e pacientëve të mi janë ose të bardhë ose hispanikë, sepse kjo është Kalifornia. Ne kemi një popullsi të madhe hispanike dhe terapitë tona janë relativisht të lira për një popullatë që mund mos të ketë sigurim ose akses në kujdesin shëndetësor me kosto të ulët. Emigrantët do të thonë shpesh: “Oh, gjyshja ime e bënte këtë. Ose gjyshja ime më jepte barishte për çdo gjë dhe unë gjithmonë e urreja”. Kjo është disi e njohur dhe një lloj historie familjare për komunitetin aziatik”,- tha Griffo.
Pas përfundimit të masterit të tij në TCM në vitin 2005 në ACTCM, Griffo kaloi shtatë vjet duke studiuar teknika të avancuara të akupunkturës.
Në vitin 2009, ai filloi të bënte “Griffo Botanicals”, ekstraktet e tij bimore, të cilat i shet kryesisht në klinikat e akupunkturës.
Sipas ekspertëve, të përdorura për më shumë se 4000 vjet, bimët kineze përmirësojnë akupunkturën dhe mbajnë efektet e një trajtimi të tillë për shumë më gjatë sesa nëse akupunktura përdoret vetëm.
“Unë mendoj se TCM po vazhdon të rritet. Shoh një vend për të në sistemet konvencionale të kujdesit shëndetësor. Shumë spitale në Kaliforni tani kanë një akupunkturist në staf. Shumica e sigurimeve shëndetësore mbulojnë akupunkturën dhe “Medicare” tani mbulon disa diagnoza. Mendoj se trajtimi do të vazhdojë të zgjerohet”,- theksoi Griffo.