Me ftesën e presidentit kinez Xi Jinping, nga 30 tetori deri më 2 nëntor, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit Nguyen Phu Trong bëri një vizitë zyrtare në Kinë. Gjatë bisedimeve, të dy udhëheqësit arritën konsensus për çuarjen përpara të marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik e të partneritetit të gjithanshëm Kinë-Vietnam.
Nguyen Phu Trong është udhëheqësi i parë i huaj që viziton Kinën pas Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së. Uebsajti amerikan "The Diplomat" komentoi se kjo vizitë është një sinjal aktiv për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-vietnameze.
Gjatë bisedimeve, presidenti Xi Jinping paraqiti tre propozime për zhvillimin e marrëdhënieve kino-vietnameze në situatën e ndërlikuar botërore, duke përfshirë këmbënguljen në socializëm, forcimin e bazës ekonomike dhe thellimin e miqësisë tradicionale. Nguyen Phu Trong ra krejtësisht në një mendje me propozimet e Xi Jinping-ut.
Foto nga VCG
Nga këndvështrimi ekonomik, Kina dhe Vietnami janë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Vitet e fundit janë shpejtuar hapat e ndërthurjes së nismës kineze "Një brez, një rrugë" dhe të strategjisë "Dy korridore, një unazë" të Vietnamit, duke rritur pandërprerë nivelin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Vietnamit për shumë vjet me radhë dhe Vietnami është partneri më i madh tregtar i Kinës në ASEAN dhe partneri i 6-të më i madh tregtar i Kinës në botë. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë dypalëshe i kaloi 230 miliardë dollarët amerikanë. Gjatë bisedimeve, presidenti Xi Jinping propozoi thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mjekësisë, të zhvillimit të gjelbër, të ekonomisë digjitale, të ndryshimit të klimës etj.
Kina dhe Vietnami janë vende fqinje dhe kanë miqësi tradicionale. Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, Vietnami ishte një ndër vendet e para që i dhuruan Kinës materiale mjekësore. Pas përhapjes së pandemisë në Vietnam, Kina ishte një nga vendet që i dha Vietnamit sasinë më të madhe të vaksinave .
Si dy vende kryesore në zhvillim, forcimi i bashkëpunimit kino-vietnamez në çështjet shumëpalëshe, përkrahja e ndërsjellë në problemet e rëndësishme me interes thelbësor për njëri-tjetrin dhe mbrojtja së bashku e multilateralizmit dhe e drejtësisë ndërkombëtare janë në të mirë të promovimit të paqes e të zhvillimit rajonal e botëror.
Gjatë bisedimeve, Nguyen Phu Trong theksoi se Vietnami i përmbahet me vendosmëri politikës së "Një Kine", kundërshton me vendosmëri veprimtaritë përçarëse të "pavarësisë së Tajvanit" dhe nuk zhvillon asnjë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin. Sipas tij, këto qëndrime tregojnë përkrahjen e vendosur të Vietnamit ndaj Kinës. (Fani)