Eksportet po ndjejnë krizën. Fasonët rritje të porosive
2022-11-03 10:30:06

Pas një rritjeje të fortë, që pas periudhës së pandemisë, eksportet shqiptare  po fillojnë të ndiejnë pasojat e krizës globale dhe kostove të larta të energjisë si dhe ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit nga dy sipërmarrje të mëdha, Kurum dhe Albchrome. Në shtator, eksportet u rritën me 16.3%, sipas INSTAT, që është zgjerimi më i ulët i këtij viti, ndërsa në gusht shifra ishte +48.1%. sipas të dhnave peshën kryesore në rritjen e eksporteve në shtator e mbajtën tekstilet e këpucët, ndërsa për herë të parë që nga pandemia shënuan tkurrje shitjet e materialeve të ndërtimit e metaleve, që deri tani kishin qenë një nga nxitësit kryesorë të eksporteve. Sipas INSTAT, Në Shtator 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 39 mld lekë, duke u rritur me 16,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9,5 %, në krahasim me Gusht 2022. Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 366 mld lekë, duke u rritur me 37,9 %, nga 41% që kishte qenë rritja për 8 mujorin.

Made in Albania (Foto Invest in Albania)

Made in Albania (Foto Invest in Albania)

Gjatë muajit Shtator 2022, në rritjen e eksporteve prej 16,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +5,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,2 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,0 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,01 pikë përqindje.

Për 9 mujorin, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +10,9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6,6 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët kanë parë rritje të porosive, por problem mbetet fuqia punëtore. Sipas INSTAT, eksportet e Tekstile dhe këpucë, që janë grupi më i madh në vend, me 27% të totalit, u rritën me 19.4% për 9 mujorin, duke ngadalësuar gjithsesi ritmet (zgjerimi ishte 22% me bazë vjetore për 8 mujorin).

Revista “Monitor” shkruan se Edvin Prençe nga Shoqata e Eksportuesve pohon se ka rritje dhe mendon që ky trend do jetë në rritje, për t’u ndalur më pas në varësi të kostove globale të karburantit, energjisë e ecurisë së luftës në Ukrainë. Ai thotë se ka një rritje për mbushje magazinash nga porositësit por jo se kanë rritje edhe ato në shitje. Sipas tij, frika dhe paqartësia për të ardhmen mund të sjellë nje ngërç dhe ulje të porosive, maksimumi nga janar-shkurti.

“Caterina Firenze” është një kompani e lokalizuar në zonën e Beratit dhe prodhon këpucë 100% lëkurë. Adminastrotori i saj Kriton Prendi flet më shumë për problemet që po ndesh.

“Është e kotë që unë të vazhdoj të them të gjitha problematikat që has sot biznesi, të gjitha bizneset në sektorin e këpucëve dhe në sektorin e tekstilit, pasi po vijmë nga një periudhë tepër e vështirë siç është ajo e pandemisë ku kemi humbur shumë kontrata, shumë marrëveshje që na ka lënë produktin në stok. Nuk mjafton kjo po sot gjendemi duke u përballur me vështirësi të tjera siç janë rritja e kostos që vjen si efekt i rritjes së naftës, rritjes së energjisë dhe kostos së punës.”- thotë Prendi.

Kriton Prendi (Foto Financa.gov.al)

Kriton Prendi (Foto Financa.gov.al)

Bashkimi është gjëja më e mirë që mund të bëjnë sipërmarrësit dhe autoritetet përkatëse për të gjetur zgjidhje sipas Prenditt.

“ Unë mendoj dhe dua t’u  lëshoj një sinjal të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, partnerëve të mi që sot më shumë se kurrë ne duhet të bashkohemi dhe të gjejmë një rrugë të pëerbashkët për t’i bërë ballë sfidave sepse kriza është shumë e gjatë. Besoj se na pret një rrugë e vështirë për të ecur përpara dhe kjo nëse nuk do të jemi të organizuar dhe të bashkuar mendoj se do të kemi vështirësi të gjithë, kush më vonë dhe kush më herët. Prandaj duhet të reflektojmë në këtë drejtim dhe të bashkëpunojmë për të gjetur një rrugë të përbashkët për të përballuar sifdat që na presin në të ardhmen”-  tha Prendi.

Pavarësisht krizës së çmimeve dhe rritjes së kostove, kjo kompani në Shqipëri nuk i ka rritur çmimet por sipërmarrësi i frikësohet kohës se sa do të zgjasë kjo situatë dhe se sa bizneset do të përballojnë këtë situatë të vështirë.

Ndërkohë sipas “Monitor”, materialet ndërtimit dhe metalet kanë shënuar rënie për herë të parë në gusht, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 5.4%.

Në gusht, Kurum International, një ndër eksportuesit më të mëdhenj njoftoi mbylljen e përkohshme të fabrikës së prodhimit të çelikut për shkak të çmimeve të larta të energjisë. Kompania vijoi eksportet edhe në gusht, pasi kishte stok, ndërsa efekti u ndie në shtator. Çmimi i energjisë i ishte i papërballueshëm për “Kurum”, i cili mbylli përkohësisht prodhimin e çelikut. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i “Kurum”, tha më herët për “Monitor” se arsyeja kryesore lidhet me çmimin e shtrenjtë të energjisë, pasi nuk mund të prodhohet çeliku, kur energjia ka arritur 750 euro MWH dhe një ton çelik shitet 700 euro. Sipas tij, me çmimet e hekurit që janë rreth 700 euro, duhet që energjia të zbresë në 200-250 euro/KWH që fabrika të jetë në eficiencë . Për 9 mujorin, ky grup është rritur me 51%, si rrjedhojë e çmimeve të larta që i kanë nxitur eksportet në vlerë.

 “Monitor” shkruan se  “Mineralet, lëndë djegëse, energjia” ngadalësuan ndjeshëm ritmet e rritjes në shtator, duke u zgjeruar me 27.5%. nga mbi 50% muajin e mëparshëm, ndërsa në korrik eksportet e këtij grupi ishin dyfishuar. Për 9 mujorin shitjet u rritën me 58%, nga 62% për 8 mujorin.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend pohon se rritja e eksporteve të tij ka ardhur si rrjedhojë e çmimit më të lartë, ndërsa në sasi pothuajse nuk kanë ndryshuar. “Monitor” thotë se një nga eksportuesit më të mëdhenj të mineraleve Albchrome pothuajse ka ndalur aktivitetin në shtator. Kompania zotëron 4 furra prodhimi në uzinat në Elbasan dhe Burrel ku vetëm njëra prej tyre vijon punën. Nuk dihet ende edhe për sa kohë do të vijojë aktivitetin furra e fundit.