Vizita e Scholz-it në Kinë tërheq vëmendje të madhe globale
2022-11-03 21:45:05


Foto: VCG

Foto: VCG

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të nisë të premten vizitën e tij në Kinë. Kjo është hera e parë në tre vjet që një lider europianoperëndimor viziton Kinën dhe vizita e parë e një lideri të një vendi të madh perëndimor në Kinë pas përfundimit të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, çka ka tërhequr vëmendje të madhe globale. 

Kancelari gjerman e ka shprehur qartë qëndrimin e tij lidhur me thirrjet që kanë bërë disa politikanë perëndimorë për shkëputjen nga Kina. Para nisjes për në Kinë, ai shkroi në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se Kina mbetet ende një partnere kryesore ekonomiko-tregtare e Gjermanisë dhe e Europës, me gjithë ndryshimin e gjendjes ndërkombëtare. Gjermania nuk dëshiron dhe nuk mund të shkëputet me Kinën. Kina luan rol kyç në çështjet ndërkombëtare, dhe të dy vendet duhet të kërkojnë bashkëpunimin në përputhje me interesat e njëri-tjetrit.

Kryetari i Shoqatës së Dhomave Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) Martin Wansleben tha se Gjermania, Europa dhe madje e tërë bota varen nga pjesëmarrja e Kinës në çështjen e ndryshimeve klimatike, sigurimit të ushqimit etj. “Pa Kinën nuk mund t’i zgjidhim kurrë me të vërtetë këto probleme.”

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit të Çështjeve Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit vuri në dukje se Kina është “spiranca e qëndrueshmërisë” më e rëndësishme për ekonominë gjermane. Gjatë gjashtë vjetëve, Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë ndërmjet të dy vendeve arriti në 245.4 miliardë euro, duke u rritur me 15.1 për qind në krahasim me vitin 2020.

Volodymyr Urusov, profesor i asociuar i Fakultetit të Historisë të Universitetit Kombëtar “Taras Shevchenko” të Kievit në Ukrainë, tha se sivjet është 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Gjermanisë. Si një partneritet i gjithanshëm strategjik, marrëdhëniet e qëndrueshme kino-gjermane kanë një ndikim të rëndësishëm në marrëdhëniet Kinë-BE dhe do t’i nxitin gjithashtu vendet europiane që ta njohin më mirë Kinën, duke nxitur zhvillimin më të shëndetshëm global.

Mediet ndërkombëtare kanë vënë re se shumë sipërmarrje gjermane, duke përfshirë BASF, “Audi”, “Siemens” etj., janë përgjithësisht optimiste për ekonominë kineze, duke zgjeruar investimet e tyre në Kinë. Sipas të dhënave nga Instituti i Studimeve Ekonomike i Gjermanisë, vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, investimet e sipërmarrjeve gjermane në Kinë arritën shifrën rekord prej 10 miliardë eurosh. (Li Huailiang/Artan)