Të hënën më 15 e 37 minuta sipas orës së Pekinit, u lëshua me sukses pjesa e tretë e stacionit hapësinor të Kinës – moduli eksperimental “Mengtian”. 8 minuta pas lëshimit, moduli u nda me sukses nga raketa dhe hyri në orbitën e parapërcaktuar. Kështu, numri i moduleve të stacionit hapësinor kinez do të shtohet në tre, duke krijuar një formë T-je. Kjo do të shënojë përfundimin e ndërtimit në orbitë të stacionit hapësinor.
Ndërtimi i stacionit hapësinor është një gur kilometrik në kauzën e fluturimeve hapësinore të Kinës. Që nga viti 1992, kur filloi zbatimi i projektit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës, dhe deri sivjet, kur por përfundon ndërtimi i stacionit hapësinor, kanë kaluar 30 vjet. Gjatë këtyre tre dekadave, Kina ka zotëruar me radhë shumë teknologji kyçe të vajtje-ardhjes mes hapësirës e Tokës, të qëndrimit afatshkurtër e afatgjatë në hapësirë, të eksperimentimit në module, të ecjes në hapësirë, të bashkimit të moduleve etj., duke hedhur një bazë të fortë teknologjike lidhur me ndërtimin e stacionit hapësinor.
Veçanërisht në dekadën e fundit, industria kineze e fluturimeve hapësinore ka shpejtuar hapat e zhvillimit. Kina ka kryer 274 lëshime raketash, 192 prej të cilave vetëm në pesë vjetët e fundit. Këto suksese tregojnë se Kina është shndërruar tashmë në një fuqi hapësinore.
Foto nga VCG
Përparimi i teknologjisë së fluturimeve hapësinore ka promovuar zhvillimin e sektorëve të rinj kinezë, duke përfshirë fluturimet hapësinore me kozmonautë, eksplorimet në Hënë e në Mars, eksplorimin në thellësitë tokësore e detare, superkompjuterat, navigacionin satelitor, informacionin kuantik, energjinë elektrike bërthamore, energjinë e re, prodhimin e aeroplanëve të mëdhenj, biomjekësinë etj. Kina ka hyrë në radhën e vendeve inovative.
Kina i përmbahet gjithmonë parimit të përdorimit paqësor, të barabartë e me përfitime të ndërsjella të hapësirës dhe të zhvillimit të përbashkët në çështjen e fluturimeve hapësinore me astronautë, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Francën, Gjermaninë, Italinë, Rusinë, Pakistanin, Zyrën për Çështjet Hapësinore të OKB-së, Agjencinë Hapësinore Evropiane etj., duke zhvilluar shumë projekte bashkëpunimi e duke pasur rezultate frytdhënëse.
Është hera e parë në histori që një stacion hapësinor hapet ndaj të gjitha shteteve anëtare të OKB-së. Deri tani, 9 projekte të 17 vendeve e të 23 organizatave janë përzgjedhur si kontingjenti i parë i eksperimenteve shkencore në stacionin hapësinor të Kinës.
Ditët e fundit, astronautja italiane Samantha Cristoforetti, që gjendej në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, citoi në median sociale vargjet e poetit dhe kaligrafit të dinastisë Jin Lindore të Kinës (317-420) Wang Xizhi, duke tërhequr vëmendje të gjerë. Kjo tregon se bota e vlerëson filozofinë e hapjes, të bashkëpunimit e të ndarjes së përbashkët të Kinës lidhur me çështjen hapësinore.
Hapësira i përket gjithë njerëzimit dhe duhet t’i sjellë përfitime gjithë njerëzimit. Pas përfundimit të ndërtimit, në dhjetë vjetët e ardhshëm e më tutje, stacioni hapësinor i Kinës do të hyjë në etapën e përdorimit e të zhvillimit. Para fundit të këtij viti, Kina do të lëshojë edhe anijen kozmike të mallrave “Tianzhou-5” dhe anijen kozmike me astronautë
“Shenzhou-15”, gjë që do të bëjë të mundur që gjashtë kozmonautë të punojnë në stacionin hapësinor kinez. Në të ardhmen, ky stacion hapësinor do të jetë shtëpia e re e përbashkët e njerëzimit për eksplorimin e hapësirës. (Fani)