Historia e filmit “Në shtëpinë tonë”
2022-11-02 09:36:34


Një ndër filmat shqiptarë, që ka fituar simpatinë e çdo familjeje, diku, në fillimin e viteve 80, është filmi i regjisorit Dhimitër Anagnosti “Në shtëpinë tonë”. Në kohën kur doli filmi, në vitin 1979, kinemaja ku shfaqej filmi mbushej plot nga nxënës shkollash, prindër, gjyshër, të cilët tek historia e filmit shikonin një pjesë të jetës së përditshme. Filmi “Në shtëpinë tonë”, është i vetmi film i regjizorit Anagnosti, ku ai trajton temën e ditës, prandaj edhe liria krijuese ishte më e madhe, kjo pasi qasja në film, ishte një qasje shoqërore. Skenarist i filmit është Kiço Blushi.

Historia e filmit u mirëprit aq mirë, pasi sillte një ngjarje të freskët, me frymëmarrje, pa sforcime, të natyrshme e mjaft të bukur njëkohësisht. Miri, një djalë i klasës së dytë, ka kuptuar se e motra e tij Ana, është e dashuruar me një të ri, i cili është teknik pajisjesh elektrike në atë zonë. Ky djalë e shoqëron cdo ditë motrën e tij Anën, ndërsa ajo del nga shtëpia për të shkuar në fakultet. Kjo gjë nuk i pëlqen fare Mirit të vogël, i cili tek ky djalë i ri sheh një rrezik të mundshëm. I rritur në një familje tradicionale, Miri nuk pranon që kjo dashuri të vazhdojë e fshehur nga babai. Një ditë, duke pasur një keqkuptim me mësuesen e tij, ikën nga shkolla. Ai vendos të gjejë babain kamionist, i cili ka shkuar me shërbim. Të gjithë vihen në alarm për të gjetur Mirin: mësuesja, motra, mamaja, shokët e tij të klasës, banorët e pallatit. Pak më vonë madje këkrojnë edhe ndihmën e organeve të policisë. Babai i tij habitet kur e takon të birin në periferi të qytetit. Por Miri justifikohet, duke i treguar të atit për dashurinë e Anës me teknikun e ri. Miri kthehet me të atin në shtëpi, ku duhet të japë llogari edhe para mamasë dhe motrës. Por, situata ka ndryshuar, pasi tanimë që e dinë për Anën, prindërit shqetësohen edhe për vajzën e tyre, e cila dashuron njeriun që sipas tyre nuk duhej ta donte. Pas shumë përpjekjeve, dashuria e Anës ngadhënjen mbi prindërit e saj, të cilët bien dakort me të. Harmonia mes Mirit dhe Anës vendoset dhe familja vazhdon jetën e lumtur.

Në rolet kryesore interpretonin aktorë, të cilët në ato vite ishin në kulmin e talentit, të suksesit dhe të adhurimit, si: Robert Ndrenika në rolin e babait, Mimika Luca në rolin e mamasë, Roza Anagnosti në rolin e mësueses, Marika Kallamata dhe Ilia Shyti në rolet e komshinjve, etj. Në film gjithashtu spikasin edhe aktorë të rinj për kohën, por shumë të talentuar, si Bujar Asqeriu në rolin e teknikut dhe Tatjana Leska në rolin e Anës. Kujtojmë se për rolin e Anës, kishte konkurruar pa arritur ta fitojë atë, edhe aktorja Elvira Diamanti. Ndërkohë që për aktorin Bujar Asqeriu ky ishte roli i parë në kinema. Ai kujton se kur ka parë filmin të shfaqej për herë të parë, do të kishte dashur të ndryshonte shumë gjëra, por se ky film do të ngelet përherë në kujtesën e tij, si filmi i parë, aq më shumë që aty ka edhe një histori dashurie. Është interesant fakti, se ndërsa në shesh xhirim po punohej për filmin “Në cdo stinë”, në jetën reale, Bujar Asqeriu po jetonte një histori dashurie me atë që do të bëhej gruaja e tij. Ky fakt personal, dashuria e vërtetë në jetën reale, duket se e ka ndihmuar aktorin, sic ka pohuar edhe ai vetë, të kishte një gjendje më të mirë shpirtërore gjatë punës dhe që dashuria e tij të ndihej si e vërtetë në film.

Padyshim që roli kryesor në këtë film është ai i Mirit të vogël, që interpretohej nga Eptan Lohja. Ai u përzgjodh nga Dhimitër Anagnosti për rolin e protagonistit të filmit, një film që i ngjiti e që la gjurmë tek ai.

Eptan Lohja ishte një gjetje e shkëlqyer në këtë film, por karriera e tij si aktor nuk do të ishte e gjatë, pasi pas dy filmash, Eptan Lohja nuk u mor kurrë më me aktrimin. Ky film shikohet edhe sot me endje dhe mbetet nga më të suksesshmit. Filmi, i mbështetur në një temë sociale, fokusuar tek drama psikologjike e një fëmije 6 vjeçar dhe bazuar tek loja e një aktori gjithashtu fëmijë, fitoi çmim të veçantë në Festivalin X Ndërkombëtar të filmave për fëmijë dhe të rinj në Giffoni të Italisë, në vitin 1980. Gjithashtu regjisori Dhimitër Anagnosti, u nderua për filmin me medaljen e Festivalit IV të Filmit Shqiptar në prill 1981, ndërkohë që u nderuan me medaljon edhe Tatjana Leska për rolin e Anës dhe Eptan Lohja për rolin e Mirit.

Një ndër elementët më të mirë të filmit, është padiskutim kolona zanore e tij. Është një kënga unike, që mund të konsiderohet si një himn për ngrohtësinë dhe sigurinë që të jep shtëpia, familja, miqtë dhe energjia e mirë mes njerëzve. Kompozuar në vitin 1979 nga Aleksandër Peçi, si kolonë zanore e filmit “Në shtëpinë tonë” kjo këngë i ka rezistuar kohës dhe është ende shumë e dashur jo vetëm për melodinë por edhe për tekstin. Kënga është kënduar nga e madhja Vaçe Zela.

Neritana Kraja