Kryenegociatorja me BE-në: Shqipëria ka bërë progres krahasuar me vendet e Ballkanit
2022-11-02 16:53:00

Kryenegociatorja Dhuka (Foto Rtsh)

Kryenegociatorja Dhuka (Foto Rtsh)

Progresraporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë për vitin 2022 ishte pjesë e diskutimit në Komisionin parlamentar të Integrimit, ku kryenegociatorja me BE-në Majlinda Dhuka bëri një prezantim të tij duke theksuar arritjet e Shqipërisë.

Pas hapjes së negociatave, Shqipëria dhe BE-ja nisën procesin “screening”, për të cilën Dhuka tha se ndihmoi në fazën përgatitore të negociatave, ku KE-ja përmes drejtorive të ndryshme i shpjegon Shqipërisë direktivat, raporton “RTSH”.

Kryenegociatorja Dhuka tha se Shqipëria, sipas raportit, ka bërë progres edhe më shumë se vendet e rajonit, ndërsa shtoi se puna më e madhe duhet të fokusohet në reformat me rëndësi për vendin që do të përshpejtojnë integrimin.

“Në lidhje me raportin e KE-së, është një dokument vlerësimi nga një ekip ekspertësh. Raporti shprehet se Shqipëria ka bërë progres nga 32 deri në 33 kapitujt e negociatave si dhe në 3 kritere. Nëse e krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, vihet re se Shqipëria në shumicën e kapitujve performon më mirë dhe ka bërë progres krahasuar dhe me vendet e Ballkanit. Progres ka edhe në zbatimin dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi, por duhet më shumë bashkëpunim për reformat integruese”,- tha Dhuka. (Irma)