Altin Sulçe: Sporti është një mision i veçantë
2022-11-02 14:29:19


Altin Sulce gjate emisionit sportiv ne Ora news (Facebook)

Altin Sulçe është gazetar i njohur sportiv, që aktualisht punon si kryeredaktor i sportit në televizionin Ora News,  ku drejton emisionin e ndjekur sportiv “Ora Sport”. Ai ka një karrierë të gjatë në gazetarinë sportive në vend, duke qenë i pranishëm në median shqiptare me analizat dhe komentet e tij sportive. Ka intervistuar personazhe të njohur  të botës së sportit në vend dhe botë dhe vazhdon ta bëjë këtë profesion me aq pasion si në fillimet e karrierës së tij. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)  Altin Sulçe tregon për karrierën e tij në gazetarinë sportive, kënaqësinë që ka marrë nga puna e përditëshme si dhe risitë që do të sjellë Ora Sport në Kampionatin Botëror të Futbollit Katar 2022.

Altin Sulce ne interviste per CMG

Altin Sulce ne interviste per CMG

CMG: Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Altin Sulçe: Përshëndetje ju dhe natyrisht përfitoj nga rasti që të përshëndes të gjithë ata që na dëgjojnë në Radio Ejani.

CMG: Ju aktualisht jeni kryeredaktor i sportit në Ora News, por si kanë qenë këto vite karriere në gazetarinë sportive?

Altin Sulçe: Në fakt profesioni i gazetarit sportiv është shumë i bukur dhe është një profesion i cili të lidh me shumë njerëz, udhëton në shumë vende, takon shumë personazhe, takon emocionet dhe ndjesitë me njerëzit, pra takon njerëzit nëpër stadium, që ti nuk i takon kurrë. Ti jep një mesazh nëpërmjet botës së sportit që është shumë i rëndësishëm, fton të gjithë njerëzit që të marrin pjesë në eventet sportive. Natyrisht që nuk është vetëm një profesion, por është një mision. Është shumë e rëndësishme që rininë ta ftojmë të bëjë sport, shumë e rëndësishme që ne të ndihmojmë që njerëzit të bashkohen nëpërmjet sportit. Sepse ky është qëllimi i sportit, që të gjithë të takohen, të luajnë dhe të krijojnë një parësi pa probleme e cila ndihmon në progresin e shoqërisë në tërësi.

Sporti është një mision i veçantë, sporti është fantastik. Ne kemi parë efektin sportiv që jep nëpër stadiume, vende dhe shtete të ndryshme ku zhvillohen kampionate europiane, botërore, dhe efekti e magjia, ndjesia që krijon bota e sportit në tërësi është e veçantë. Ne e kemi parë në të gjitha eventet e mëdha sportive, në të gjithë kontinentet, e kemi parë në Shqipëri, e kemi parë në Angli, në Kinë dhe gjithandej se çfarë është në gjendje të bëjë sporti  dhe nëpërmjet kësaj ne jemi njerëzit të cilët ndihmojmë që ky proçes të shkojë më tej.

Altin Sulce gjate emisionit Ora Sport (Facebook)

CMG: Ju keni shkruar në shtypin e shkruar sportiv shumë analiza dhe komente sportive. Pra një jetë e tërë duke dhënë kontribut për sportin në vend dhe botë. Cilat kanë qenë emocionet që keni përjetuar në momentet më të rëndëshishme të karrierës suaj?

Altin Sulçe: Është diçka e veçantë kur ne intervistojmë njerëz, është magjia. Ti kurrë nuk e di përtej pyetjes se çfarë përgjigje do të japë. Natyrisht personazhet janë të shumtë, personazhet janë individualë dhe të gjithë janë protagonistë, por ne jemi munduar që të marrim dhe njerëzit e thjeshtë. Kujtoj që në një kampionat botëror, ku e veçanta ishte se ne pyetëm të gjithë shoferët e taksive, të gjithë berberët, të gjithë mekanikët, zëri i atyre që nuk vjen çdo ditë. Natyrisht që në karrierë ke intervista dhe me emra të mëdhenj. Unë kam intevistuar Aleks Ferguson, Arrigo Sachin që është një nga emrat më të mëdhenj të trajningut. Kam pyetur Jose Murinjon, Pieron i cili është një futbollist shumë i famëshëm në Itali. Të gjithë këta dhe shumë intervista të tjera që për momentin nuk më kujtohen, janë shumë të veçanta sepse janë shumë të njohur, por nga ana tjetër emocion ka dhe kur ti merr njeriun e thjeshtë sepse çdo njeri është i veçantë pavarësisht punës që bën. Prandaj ky emocion përcjell dhe të jep emocione, të jep gjithnjë befasinë, të jep atë magjinë që ti nuk e gjen në profesionet e tjera.

CMG: Drejtoni një nga emisionet më të ndjekura sportive në vend, që është “Ora Sport” me të ftuar opinionistë, diskutime si dhe intervista. Cilat janë risitë e këtij sezoni në Ora Sport?

Altin Sulçe: Në kohën kur nisi pandemia njerëzit u izoluan, kishte probleme serioze sepse çështjet e Covid 19 i larguan ata dhe duhej distanca që të mbahej në studio, ishte i kufizuar numri i të ftuarve. Ne në atë kohë u munduam që të gjenim mënyra alternative për të intervistuar njerëz nga skaje të ndryshme të botës. Mbaj mend që kemi bërë intervista nga Australia, Amerika dhe shtete të ndryshme ku ishin të gjithë protagonistë që merren dhe duan të thonë fjalën e tyre në botën e sportit. Natyrisht ishim të kushtëzuar, por kjo dalngadalë u bë një mënyrë efikase për të intervistuar njerëz.

Tani që pandemia duket që nuk është aq prezente siç ishte më parë, u bë një mënyrë e të bërit emision me të ftuarit, të cilët vijnë nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike. Tashmë përveç të ftuarve në studio që janë të shumtë në panelin e përjavshëm në Ora ra, njerëz që janë në Itali, emigrantë ose sportistë që gjenden në vende të ndryshme qoftë edhe nga Afrika. Rëndësi ka që impakti i emisionit tashmë është i madh. Ne jetojmë në një botë elektronike, në një botë e cila ka ndryshuar dhe ku teknologjia është prezente. Kohët e fundit ishte e paimagjinueshmë që një emision sportiv të zbardhej nga “The Sun”, nga mediat britanike. Tashmë kur ne kemi lojtarë si Armando Broja që luan në Premier Ligën angleze  dhe ne japim informacione përsa i përket këtij lojtari, “The Sun” i referohet Ora sport, dhe tashmë jetojmë në një botë globale, e cila ndihmon gazetarinë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera. Vetë proçesi i këtij profesioni është i tillë, që gazetarët i referohen mediave të ndryshme dhe është kënaqësi që një ndërveprim i tillë është prezent në emisionin tonë.

Altin Sulce me te ftuarit ne Ora Sport (Facebook)

CMG: Si e shikoni gazetarinë sportive sot në vend dhe në botë?

Altin Sulçe; Çdo njeri është i dashuruar me profesionin që bën. Është gjë e madhe kur në jetë arrin të bësh jo profesionin, por të bësh pasionin. Unë shpeshherë flas dhe me gazetarët e rinj, ku shumë studentë që vijnë dhe mbarojnë universitetin për gazetari dhe kanë dëshirë të flasin. Një nga këshillat e mia është që nëse e doni këtë profesion qëndroni, nëse e doni këtë profesion do përmirësoheni. Natyrisht vështirësitë janë prezente sepse zhanri është i ndryshëm, në të shkruarit, në mënyrën e të folurit, në mënyrën e bërjes së dokumentarëve apo mënyrën që ti mund të jesh një panelist ose një moderator. Pra të gjitha këto si edhe kronikat që janë prezente apo gjithë elementet e gazetarisë janë të vështirë, por nuk bëhen me një ditë, por në qoftë se ke pasionin kjo bëhet.

Profesioni i gazetarit sportiv është magjik sepse nëpërmjet këtij profesioni ke një mesazh për të gjithë njerëzit, lëviz në shumë vende të ndryshme, njeh kultura të ndryshme, njeh personazhe të ndryshme dhe në fund kur njerëzve ju mungon gjuha, merren vesh me gjuhën e sportit. Që në kohën e olimpiadave dhe flasim për olimpiadën e parë që ishte në Athinë, mesazhi është i njëjtë që bashkojmë njerëzit, të jenë bashkë dhe të shijojnë. Sporti është për të bashkuar njerëzit dhe profesioni i gazetarit sportiv është i jashtëzakonshëm sepse ka këtë mision, prandaj unë e dua shumë.

CMG: A mendoni se të bësh punën e gazetarit sportiv, përveç pasionit për sportin duhet të kesh dhe shumë njohuri për këtë fushë?

Altin Sulçe: Që të bëhesh gazetar i mirë sportiv nuk duhet të kesh vetëm njohuri për sportin, duhet të kesh njohuri të përgjithshme sepse nëpërmjet sportit ne dalim në të gjithë botën dhe flasim për gjithçka. Kur shkon në një vend ti njihesh me vendin që shkon, stadiumin që luhet, historinë e stadiumit, figurat e rëndësishme, popullsinë e atij vendi, zakonet dhe kulturën. Pra ti nuk shkon dhe bën një ndeshje sportive, por ti takon një njeri që e merr me taksi, nga ana tjetër viziton një muze. Ndeshja është 90 minuta, por minutat e tjera janë të gjitha një proçces.

 Sportet janë të ndryshme, dhe njohjet duhen specifike sepse nuk kemi vetëm futbollin, por kemi edhe basketbollin, volejbollin, qitjen, peshëngritjen, ku për të gjitha këto duhet të kesh informacion përsa i përket këtyre sporteve, që të jesh në një nivel të mirë profesional që nëpërmjet informacioneve, reportazheve dhe dokumentarëve t’i përcjellësh njerëzve dhe t’i bësh ata atraktiv për t’u përfshirë në botën e sportit.

CMG: Kur ka qenë momenti më kulminant në karrierën tuaj sportive gjatë këtyre viteve?

Altin Sulçe: Çdo ndeshje ka historinë e saj, çdo reportazh ka historinë e tij, çdo program ka emocione të veçanta. Pra çdo gjë qe ne bëjmë, qoftë një kronikë, një lidhje direkte nga një vend i caktuar jep dhe sjell magjinë e raportimit. Gjithçka është fantastike sepse nëse të mungon emocioni, atëhere ke një problem. Unë mendoj se duhet ta bësh me dashuri, nëse e dashuron këtë punë atëhere profesioni del mirë. Gjithashtu mendoj se terreni është fantastik sepse kur shkon në terren ke një tjetër ndjesi. Unë mbaj mend lidhjet që ka bërë televizioni gjatë periudhës kur ekipi kombëtar u kualifikua dhe mori një biletë për në sallonet e mëdha të futbollit europian në Francë në vitin 2016, ku ka qenë magjike sepse nga Shqipëria u nisën të gjithë. U mbush Lioni me tifozë shqiptarë, u mbush Marseja me flamuj dhe bluza kuq e zi. Ishte një emocion i papërshkrueshëm kur shikoje të gjithë njerëzit që kishin ardhur nga treva të ndryshme, nga Shqipëria e qytete europiane të gjithë bashkë në një det kuq e zi, ku të gjithë besonin dhe këtë nuk mund ta bëjë as politika, nuk mund ta bëjë asgjë tjetër përveç sportit. Emocioni në këto lloj rastesh është i veçantë sepse raportimet nga Kampionati Europian, nga finalet e Francë 2016 për mua do ngelen mbresat më të veçanta në karrierën time.

Altin Sulce (Facebook)

CMG: Jemi në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit, ku ka mbetur më pak se një muaj nga fillimi i këtij eventi të rëndësishëm. Cilat do jenë risitë që do sillni në emisionin tuaj gjatë këtij Botërori?

Altin Sulçe: Kampionati Botëror është festa jo vetëm e një vendi por e gjithë botës, ku të gjithë mundohen ta shikojnë kampionatin, edhe ata që nuk janë tifozë përfshihen në këtë event të madh. Nuk është thjesht vetëm futboll, është një bashkim kulturash, është një bashkim vlerash, një bashkim sportiv dhe i njerëzve. Kampionati botëror ndiqet me të njëjtin emocion dhe vëmendje në gjithë botën, dhe është fantastike mënyra sesi ti don ta shikosh dhe ta ndjkësh këtë. Njerëzit nuk e shikojnë vetëm në televizor, por e shikojnë nëpër stadiume, mblidhen nëpër kafe, socializohen profesione të ndryshme, dhe ata që nuk janë tifozë në këto ditë të shënuara bëhen bashkë me njerëz dhe festojnë duke shikuar kampionatin botëror të futbollit.

E veçanta është që do të zhvillohet në dimër, dhe asnjëherë nuk është bërë kampionati botëror në periudhën nëntor-dhjetor. Ne do të kemi një program çdo mbrëmje dy orë, që të përcjellim informacionet më të shumta përsa i përket kësaj feste të madhe të futbollit. Studio televizive do të jetë me analistë të ndryshëm, do jenë profesione të ndryshme dhe do mundohemi të dalim pak nga dera e specialistëve sportivë për të futur dhe doktorët, policët, infermierët dhe njerëzit që janë çdo ditë në punëra të ndryshme t’i ftojmë dhe të jemi bashkë për të dhënë një show sportiv sa më interesant për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të ndjekin zhvillimet më të fundit. Gjithashtu ne do të kemi dhe lidhje direkte nga Katari me të dërguarit tanë, por jo vetëm në Katar por do të shikojmë sesi përjetohet në cepa të ndryshme të planetit kampionati botëror. Natyrisht kronikat, informacionet dhe të gjitha ato që analistët i shikojnë si dhe parashikimet përsa i përket këtij kampionati do të jenë prezente në studio, ne do të kemi nga ana tjetër dhe festën e çmendur që bejnë njerëzit, shijimin e këtij eventi madhështor të futbollit, por dhe disa surpriza të cilat do t’i zbulojmë gjatë Kampionatit Botëror Katar 2022.

Intervistoi: Gazmend Agaj