Kina nxit modernizimin, krahinat kalojnë nga zhvillimi sasior në atë cilësor
2022-11-02 17:27:07

VCG

VCG

Pak kohë më parë u zhvillua në Pekin Kongresi i 20-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës. Raporti i këtij kongresi shpalli përpara publikut “modernizimin e stilit kinez”, duke përcaktuar objektivin e zhvillimit të ardhshëm të Kinës. Si do të realizohet ky objektiv? Në këtë raport është shprehur qartë: zhvillimi me cilësi të lartë është misioni kryesor i Kinës për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi modern socialist. Tani shumë krahina në Kinë po kalojnë gradualisht nga zhvillimi me rritje sasiore në zhvillimin cilësor.

 

VCG

VCG

Pekin-Tianjin-Hebei, modeli i pakësimit sasior

 

Prej shumë vjetësh, Kina ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe njerëzit janë mësuar me modelin e rritjes sasiore. Ndërsa Pekini, si kryeqyteti kinez, ka paraqitur i pari konceptin e zhvillimit me pakësimin e rritjes sasiore.

 

Zëdhënësi i delegacionit të Pekinit në Kongresin e 20-të të PKK-së Zhao Lei u shpreh para mediave që tani Pekini po praktikon thellësisht modelin “zhvillim me pakësim”.

 

“Zhvillimi me pakësim” është një tjetër model zhvillimi, u shpreh Zhao Lei. Gjatë këtij zhvillimi, duhet të pakësohen faktorët e panevojshëm të prodhimit dhe synimi është zhvillimi me cilësi të lartë. Në 10 vjetët e fundit, Pekini është fokusuar te funksionet e tij si kryeqytet, duke nisur nga zhvillimi i koordinuar në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei. Kjo është një zgjedhje e Pekinit që bazohet te gjendja konkrete e zhvillimit.

 

Zhao theksoi që, p. sh., toka është një burim i papërtëritshëm dhe ajo nuk duhet zënë verbërisht vetëm me rritjen e shpejtë, por duhet lënë një burim i tillë i çmuar për brezat e ardhshëm. Tani Pekini nuk po zhvillohet më duke u zgjeruar dhe në këto vite i ka pakësuar me 110 kilometra katrorë trojet e ndërtimit, duke zhvendosur në zonat përreth, si Hebei, mbi 2 mijë ndërmarrje prodhuese. Si rezultat, dendësia e popullsisë në zonën qendrore të  Pekinit është ulur me 9.5 % në krahasim me vitin 2013 dhe ndërkohë është nxitur zhvillimi i krahinave përreth kryeqytetit.

 

VCG

VCG

Shangai, metropoli që fokusohet tek industritë moderne

 

Shangai është një metropol i Kinës me famë botërore. Këtu ka një bazë të fuqishme për sektorin industrial. Dihet tashmë që industria është sektori më i rëndësishëm që krijon pasuri materiale dhe zhvillimi i industrive moderne është edhe një këshillë nga kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping.

 

Vitet e fundit, Xi Jinping-u ka bërë shumë herë vizita në Shangai, duke theksuar që, për zhvillimin me cilësi të lartë, ky qytet duhet të fokusohet te ekonomia reale, të shpejtojë ndërtimin e një sistemi modern industrial me ekonomi reale, inovacion shkencor, financim modern dhe burime të koordinuara njerëzore. Po ashtu, duhet të ngulet këmbë në planin strategjik me sektorin e shërbimit si bosht kryesor dhe sektorin modern industrial si fuqi mbështetëse dhe duhet të bëhen përpjekje për të zënë pjesën thelbësore të zinxhirit industrial dhe për të pasur një pozicion të lartë në zinxhirin e vlerës.

 

Qysh nga Kongresi i 18-të i PKK-së, Shangai ka ndërtuar një sistem të ri industrial të përfaqësuar nga qarqet e integruara, biomjekësia dhe inteligjenca artificiale, duke përmirësuar cilësinë, efektivitetin dhe strukturën e sektorit të vet industrial. Në vitin 2021, ndërmarrjet mbi përmasat e përcaktuara në Shangai kanë shënuar një rritje më shumë se 11 %, duke arritur një vlerë të shtuar industriale prej 1.07 trilionë juanësh, një vlerë  të përgjithshme të prodhimit industrial mbi 4.2 trilionë juanë dhe një vëllim prej më shumë se 1.2 trilionë juanësh në tre industritë kryesore pilot.

 

Vlen të përmendet që, në luftën kundër epidemisë së COVID-19, sektori industrial ishte një forcë kryesore për funksionimin e qëndrueshëm të Shangait, duke ruajtur stabilitetin e zinxhirit industrial të qytetit, të rajonit të Deltës së Lumit Jance e madje të mbarë vendit, dhe kjo ka nxitur fuqimisht mëkëmbjen ekonomike.

 

 

VCG

VCG

Zona e Madhe e Gjirit, më shumë investime në risi

 

Provinca Guangdong ndodhet në Kinën Jugore dhe pozicioni i saj është shumë i përshtatshëm për lidhjet me jashtë, pasi ajo është një provincë bregdetare dhe fqinje me Hong-Kongun e Makaon. Prej vitesh, Guangdong-u ka qenë qendra e tregtisë së jashtme të Kinës dhe tani, me synimin e zhvillimit me cilësi të lartë, kjo provincë ka shfrytëzuar epërsinë e vet gjeografike, duke u fokusuar tek inovacioni shkencor.

 

Në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong - Makao, në “korridorin e inovacionit”  Guangzhou – Shenzhen - Hong-Kong - Makao, janë ndërtuar mjaft platforma inovuese, duke formuar një zinxhir risish shkencore e teknologjike. Përveç qyteteve të mëdha Guangzhou e Shenzhen, edhe qytete të tjera në Deltën e Lumit Zhujiang (Lumit të Perlave), si Foshan, Dongguan, Huizhou dhe Zhongshan, i kanë shfrytëzuar këto platforma invoacioni tekniko-shkencor bashkë me Hong-Kongun dhe Makaon.

 

Në fillim të vitit 2022, Foshan-i e Dongguan-i janë përfshirë në radhën e qyteteve inovuese të Kinës. Ndërsa qyteti Zhuhai ka tërhequr një kontingjent të madh të rinjsh nga Hong-Konu e Makaoja për të krijuar kompani fillestare në sektorin e inovacionit shkencor.

 

Tani risitë tekniko-shkencore janë bërë burimi i energjisë për zhvillimin cilësor në Deltën e Lumit Zhujiang. Të dhënat tregojnë që në vitin e kaluar, 9 qytetet e Deltës së Lumit Zhujiang kanë bërë mbi 360 miliardë juanë investime në kërkim-zhvillim. Vëllimi i investimeve në këtë drejtim arrin në 3.7 %, më e lartë se mesatarja kombëtare, duke e kaluar shumë pragun botëror për t’u cilësuar ekonomi inovative. Ndërkohë, numri i kompanive të teknologjisë së lartë këtu arrin në 57 mijë dhe numri i patentave të autorizuara është 780 mijë, mbi 100 mijë ndër të cilat janë patenta shpikjesh. Sipas “Raportit global të inovacionit” të publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), rajoni Shenzhen – Hong-Kong - Guangzhou renditet në vendin e 2-të të botës për dy vjet me radhë si grup inovacioni.

 

Drejtori i Institutit të Kërkimeve “Fok Ying Tung” të Universitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë të Hong-Kongut (HKUST), Gao Min, u shpreh: “Mendoj që Zona e Madhe e Gjirit është bërë një qendër botërore e inovacionit shkencor, ku janë përqendruar shumë universitete të klasit të parë botëror. Kjo zonë ka pasur arritje të frytshme në kërkimin shkencor.” (Jiang Lei)