Rama: Bashkitë të stimulojnë bashkimin e fermerëve në ndërmarrje
2022-11-02 14:52:14

Kryeministri Edi Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama (Foto Atsh)

Kryeministri Edi Rama nxiti fermerët që në bashkëpunim me bashkitë të hartojnë projekte për shtimin e kapaciteteve grumbulluese, përpunuese dhe magazinuese me kushte frigoriferike të prodhimeve bujqësore.

Në një bashkëbisedim me fermerët në Ersekë, Rama u ndal tek investimet e qeverisë dhe vëmendja e rritur ndaj fermerëve përmes skemave mbështetëse, të krijuara enkas për reduktimin e kostove të prodhimit, rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë rurale, përcjell “ATSH”.

Kryeministri u shpreh se bashkia duhet të hyjë në një fazë të re të luajtjes së rolit të ortakut të drejtpërdrejtë të fermerëve si aksionarë, që është edhe garant dhe stimulon bashkimin e fermerëve në ndërmarrje.

“Duam që bashkitë të angazhohen direkt në bërjen e projekteve dhe ministria e Bujqësisë të ndihmojë direkt përmes fondeve europiane apo garancisë sovrane. Fakti që e kemi nisur me 120 milionë euro eksporte dhe këtë vit synojmë të arrijmë në gjysmë miliardi euro eksporte flet vetë për një realitet që me gjithë vështirësitë e veta dhe  prapambetjen e trashëguar prej shumë vitesh, është një realitet që ndryshon për mirë. Fakti që këtu janë shitur 80% e prodhimit flet shumë për të ardhurat, por edhe për atë pjesë gjithmonë e më të vogël që nuk arrin dot të dalë në treg, sepse nuk arrin t’i përshtatet logjikës së tregut”,- tha kryeministri Rama.

Sipas tij, nëse realiteti nuk do të ishte ky që është, Shqipëria nuk do të punonte dyfishin e tokës bujqësore. (Irma)