Buxheti 2023, Ibrahimaj : Objektiv kryesor rritja e qëndrueshmërisë ekonomike
2022-11-02 10:18:58

Qeveria parashikon që të ardhurat buxhetore për vitin 2023 të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, bazuar mbi parashikimet kryesore makroekonomike dhe objektivin e palëkundur të uljes së borxhit publik.

Buxheti 2023 (Foto shqiptarja.com)

Buxheti 2023 (Foto shqiptarja.com)

Krahasuar me pritshmërinë e vitit 2023, të ardhurat e buxhetit të shtetit do të rriten me 7.7 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten me 8% ose +42.2 miliardë lekë.

Detajet janë bërë të ditura nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në raportimet për buxhetin gjatë vitit që vjen..

Shpenzimet buxhetore parashikohen të jenë 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.Sa i përket investimeve publike për vitin 2023, ato janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë, ku do të mbetet përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Teksa prezantoi këto të dhëna Z. Ibrahimaj u ndal pak tek situate aktuale dhe në faktin se projektbuxheti 2023 adreson disa sfida të rëndësishme për ekonominë e vendit, si rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit, në një kohë që objektiv kryesor i politikës fiskale gjatë vitit të ardhshëm do të jetë rritja e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe ulja e stokut të borxhit.

 “Drafti që po ju prezantoj sot adreson sfida të rëndësishme për ekonominë shqiptare si rritja e cmimeve të energjisë elektrike dhe rritja e cmimeve të konsumit. Nga ana tjetër si objektiv kryesor i politikës fiskale të qeverisë shqiptare gjatë vitit 2023 do të jetë rritja e qëndrueshmërisë ekonomike dhe ulja e stokut të borxhit publik. Ne gjatë vitit 2022 jemi përballur me norma të larta inflacioni dhe me presione për rritjen e presionit në buxhetet e familjeve shqiptare. E megjithatë inflacioni në vendin tonë ka rezultuar ndjeshëm më i ulët se vendet e rajonit dhe se mestarja e  vendeve të BE-së dhe kjo nuk ndodh në mënyrë rastësore. Ne morëm masa imediate. Vendosëm të reagonim kur kriza nuk kishte trokitur ende mirë në derën tonë. Zgjodhëm të ndërhynim për të mbrojtur familjet shqiptare dhe bizneset e vogla dhe të mesme. Ne zgjodhëm me një vendim shumë të vështirë të subvensiononim cmimin e energjisë dhe të eleminonnim rritjen galopande që reflektonin bursat e energjisë elektrike sepse pasojat për ekonominë shqiptare do të kishin qenë dramatike.”

Sipas Ibrahimaj qeveria ka menduar që të mos rrisë barrën e rendesës tek shtresat në nevojë dhe në tërësi tek familjet shqiptare.

“ Ne nuk mund të lejonim që kjo peshë të rëndonte në supet e familjeve shqiptare, grupeve vulnerabël që do ta ndjenin më shumë se cdo pjesë tjetër këtë rritje galopande. Nuk kishte sesi të mos mendonim për pensionistët, për ato kategori më në nevojë dhe për familjet e shtresave të mesme dhe për 99% të bizneseve të cilat janë mbrojtur për gjatë vitit 2022 nga efektet e krizës së shkaktuar dhe nga lufta dhe të inflacionit të lluftës. Ne vendosëm një mburojë e cila na kushton shumë dhe si Ministre e Financave dhe e Ekonomisë është detyra ime që të tregohem e kujdesshme, e matur kur vjen puna tek menaxhimi i parave të buxhetit të shtetit por dhe tek ruajtja e parametrave kryesorë të ekonomisë. Ndaj më duhet të pohoj përpara jush se përtej gjithë kësaj situate të vështirë është pozitiv fakti se deri tani ekonomia ka arrritur të përballojë relativisht mirë pasojat e luftës në Ukrainë. “- u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Financa.gov.al)

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Financa.gov.al)

Ministrja thotë se pavarësisht goditjeve, ekonomia shqiptare po performon mirë dhe këtë e dëshmojnë treguesit makro- ekonomikë.

“Nëse do t’i referohemi edhe kontekstit dhe problemeve që po kalon pjesa dërrmuese e ekonomive të cilat po ngadalësohën, ekonomia shqiptare ka pasur një rezistencë mjaftueshëm të mirë, madje ne kemi rishikuar objektivin e rrijtes ekonomike nga 3.2 në 3.7% të menduar për vitin 2022 gjithashtu të mbështetur nga Fondi Monetar Ndëkombëtar. Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit ishte 4.2% e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga konsumi, nga investimet por dhe nga kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e kërkesës agregate rritja e gjysmës së parë të vitit ka qenë me bazë të gjerë ku pothuajse gjithë sektorët e ekonomisë kryesorë kanë pësuar rritje pozitive. Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit ra më tej në 11.3% ndërkohë që punësimi u rrit me rreth 4.3% në krahasim me vitin e kaluar. Lidhur më zhvillimet e pozicionit të jashtëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti deficiti i llogarisë korente u ngushtua me 10% nga viti në vit si pasojë e rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve si dhe rritjes së remitancave.”- thotë ministrja.

Në dukje vihen edhe investimet e huaja direkte.

“Gjithashtu me rritje kanë qenë dhe investimet e huaja direkte, flukset hyrëse të cilat janë shfaqur me një rritje 35%. Kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave kryesore në përgjithësi ka qenë mjaft i qëndrueshëm ndërkohë që luhatja, zhvlerësimi dhe mbicmimi ndaj monedhave të ndryshme ka reflektuar kryesisht konjektuar ndërkombëtare të tregut valutor. Aktualisht leku është nëncmuar ndaj dollarit amerikan me 8% dhe është mbicmuar ndaj euros me 4% nga fundi i vitit të kaluar. Në tremujorin e tretë ku zhvillohet pjesa më e madhe e aktivitetit turistik, duke gjykuar ndaj treguesve të tërthortë të disponueshëm ekonomia duhet të ketë performuar me një ritëm rritje më të lartë sesa ai i gjashtëmujorit të parë të vitit. Duhet të shohim sesi do të zhvillohet tremujori i katërt. Pritjet për rritjet ekonomike në tremujorin e katërt mbetetn të rrethuara nga pasiguri të larta kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet në arenën ndërkombëtare.”- shprehet Ibrahimaj.

Rritja ekonomike (Foto Publica.com)

Rritja ekonomike (Foto Publica.com)

Sipas Ministres  edhe ekonomitë më të mëdha botërore parashikojnë një goditje në kahun rënës, pra recesioniste. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë në tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura të grryerjes së të ardhurave reale nga inflacioni dhe shtrëngimit të kushteve financiare.

“Realiteti është ky që vlen jo vetëm për ne por për të gjitha vendet e Evropës. Ajo që është në dorën tonë është qasja ndaj këtij realiteti dhe politika e kujdesshme, sa e kujdesshme dhe proaktive dhe për disiplinimit e performancës sonë financiare. Prandaj përsa i përket rritjes ekonomike të pritshme për vitin 2022 sic thashë Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka rishikuar për lartë projeksionin në 3.7% nga 3.2% që ishte në fillim të luftës. “

Konsumi dhe kërkesa e brendshme janë disa nga faktorët që do të ndikojnë vitin që vjen në rritjen ekonomike të vendit.

“Përsa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm në skenarin tonë bazë, pra në skenarin mbi të cilin bazohet ky projekt buxhet për vitin 2023 ne parashikojmë një rritje reale të ekonomisë me 2.6%. kjo rritje parashikojmë të gjenerohet kryesiht nga kërkesa e brendshme, pra konsumi dhe investimet por në një mase marxhinale dhe nga kërkesa e huaj e cila pritet të kontribuojë pozitivisht e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. “- shton Ibrahimaj.

Ministria e Financave  beson që inflacioni të ulet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse një pjesë e Evropës do të hyjë në recesion, qoftë recesion teknik apo i plotë. Në skenarin tonë bazë thote ministrja Ibrahimaj,  parashikojnë  një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit, për të arritur në rreth 3% në fund të 2023, pra duke arritur objektivin e Bankës së Shqipërisë.