Vepra e shkruar nga Vangjel Kozma dhe Jani Duri përpara 30 vitesh u rikthye në skenën e Teatrit të Korçës.
Një shfaqje ndryshe nga herët e tjera, e cila fliste për Don Kishotin, Sanço Pançon të sjellë në një formë tradicionale shqiptare, e ndërlidhur edhe me humorin e brishtë. Aktorët tregojnë emocionet që përjetuan në skenë.
“Personazhi ishte shumë i bukur e është relativisht i vështirë sepse brenda kishte komiken e tragjiken, që duhet të vijnë të dyja të ndërthura bashkë, ku sidomos në komedi duhet të nxjerrësh dramën me finesë. Korçarët e pritën mirë”, thotë Ermir Hoxhaj.
Për regjisoren Ajlin Petrela shfaqja ishte aktuale ndaj u pëlqye nga publiku korçar. “Unë mendoj që në çdo aktualitet dhe në çdo moment të jetës tonë kemi një Sanço Panço e Don Kishot, një Azilant, një emisar, do jenë në çdo aktualitet. Nuk ishte e vështirë, por të dy autorët e veprës ishin aktualë dhe jam konsultuar me ta për çdo hollësi”, theksoi Petrela.
Te dy autorët e veprës e ndoqën nga afër shfaqjen në Teatrin e Korçës. “U ndjemë shumë mirë se shfaqja po rivihet në skenë pas 29 vitesh. Herën e parë e vendosi Agim Qirjaqi me Roland Trebicken”, tha Kozma. “Madhështia e Marrëzisë” do të jepet për 5 netë me radhë për publikun artdashës korçar.
CMG: Si ka nisur karriera juaj në Regjisurë?
Ajlin Petrela: Asgjë nuk nis menjëherë dhe çdo gjë merr kohën e duhur deri në momentin që kupton atë që do. Unë kam studiuar 8 vite në Liceun Artistik për flaut. E kisha vendosur që në gjimnaz që nuk doja të isha në skenë, por pas saj. Ta drejtoja unë skenën. Kështu ndodhi. Gjatë të gjithë vitëve të mia të karrierës unë shumë e lumtur qëndrova pas një kamere e cila filmonte idetë e mia. Puna është gjysma e jetës dhe unë jam e dedikuar qysh në vitet e para me një nivel profesional ku synoja gjithmonë për të arritur shkallë të tjera në ngritje. Është një profesion që sa më shumë të tentosh aq më shumë do arrish. E vetmja gjë për të cilën ke nevojë në këtë profesion është durimi dhe besimi.
CMG: Shkojmë pak në fëmijërinë tuaj, si ka qenë ajo?
Ajlin Petrela: Unë kam pasur një super fëmijëri të bukur.
Jam ndierë njëherazi edhe fëmijë i përkëdhelur edhe me përgjegjësi.
Duke qenë fëmija i vogël ka dhe favore. Ka qënë një fëmijëri e mbushur me aktivitete artistike. Kam qenë e angazhuar në shumë aktivitete artistike për fëmijë, që nga pallati i pionerit dhe deri te liceu. Për mua fëmijëria ka pasur shumë ngjyra të cilat pikturuan atë që unë jam sot .
CMG: A je një produkt i ëndrrave të tua ?
Ajlin Petrela: Jam më shumë se ajo që kisha menduar. E kam tejkaluar vijën e ëndrrave dhe dëshirave. Që nga njohja me Erin dhe vazhdimësia jonë me dy “lulet”. Sigurisht dhe rikthimi im në profesion. Njeriu kur fillon të përmbushet në përgjithësi me jetën dhe gjërat që bën ndihet i përmbushur për ëndrrat që ka pasur. E mira nuk ka fund siç edhe ëndrrat nuk kanë fund. Por, unë deri tani mendoj dhe besoj fort që e kam jetuar jetën time si një ëndërr.
CMG:Si kanë qenë këto vite të vështira për ty sfiduese?
Ajlin Petrela: Nga ana profesionale kanë qënë bosh. Kam eksploruar një tjetër dimension timin. Për 6 vite punova në Bashkinë e Tiranës. Sigurisht në një drejtori aktivitetesh. Por jo në profesion. Sfida më e madhe e këtyre viteve ka qënë rritje e vajzave të mia.
CMG:Momenti kur u bëre nënë çfarë ndryshoi në jetën tuaj ?
Ajlin Petrela: Ndryshoi shumë, ndryshoi Ajlinin. Ndryshoi të menduarit të gjërave, pjekurinë time. Kuptova dhe njoha lumturinë e vërtetë. Të jesh nënë është shumë më tepër seç mund të kesh qënë deri në ato momente. Unë e kam shijuar mëmësinë si një nga etapat më të bukura të jetës sime. U rrita bashkë me vajzat e mija sepse ato më dhanë forcë për ta përballuar jetën. Çdo femër në botë do të duhet të përjetojë ndjesinë e të qenit nënë sepse është transformimi më i bukur që i ndodh gruas.
CMG: A ndihesh e përmbushur?
Ajlin Petrela: Jam plot. Me suksese të miat dhe të Erit partnerit tim .Them plot se ka akoma, pres sukseset e para të vajzave të mia, që të plotësohet përmbushja ime.
CMG:A është ky një moment në karrierën tuaj që shënon kthesë ?
Ajlin Petrela: Poo. Ky është momenti. Dhe ky është ai momenti që nuk lëshohet, po zhvillohet. Unë pres nga vetja tani që të ndërtoj diçka për të cilën kam punuar për të ardhur deri këtu. Përmenda pak më sipër që për vite me radhë nuk arrita t’i dedikohem profesionit tim ndaj dhe ndoshta u pendova pak. Por çdo gjë vjen në kohën dhe momentin e duhur dhe tani është vërtet kthesa më e madhe e jetës sime.
CMG: Cila është shfaqja që ke vendosur të sjellësh për artdashësit?
Ajlin Petrela: “Madhështia e Marrëzisë”, një vepër e shkruar nga Vangjel Kozma dhe Jani Duri në vitin 1995. Duhet theksuar që kjo është hera e dytë që vihet në skenë. Dhe jam e lumtur që jemi ne trupa që e risolli pas 28 vitesh.
CMG: Si është pritur nga publiku?
Ajlin Petrela: Të dyja netët salla ka qënë plot. Dhe të gjitha momentet që ne e dimë që do të kishte reagime, janë mirëpritur nga publiku. Nuk e kam parë akoma si publik... Unë i kam emocionet në çdo shfaqje si te e para dhe jam gjithmonë te regjia me duart e djersitura.
CMG:A do të kemi projekte tashmë edhe në vijim?
Ajlin Petrela: Sigurisht. Dhjetori besoj se më gjen gati me veprën e rradhës. Pasi të mar dakortësinë e familjes, Erit dhe vajzave. Sepse ju e dini që është një proces që punohet gjatë.
CMG: Nje mesazh për të gjithë ata të rinj apo të
reja që duhet të vijnë ta ndjekin këtë shfaqje dhe ku mund ta ndjekin?
Ajlin Petrela: Aktualiteti ka nevojë për refuzimin e të rinjve. Deri në datën 2 nëntor shfaqja do të jepet për artdashësit e Korçës dhe në dhjetor do vij në Tiranë në Teatrin Eksperimental.
Intervistoi Megi Latifi