Ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding viziton shkollën "Mihal Shahini"
2022-11-01 16:48:52

Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi të hënën shkollën e mesme bujqësore "Mihal Shahini", për t'u dorëzuar diploma nxënësve pjesëmarrës në seminarin për ndërtimin e fermave moderne në Shqipëri, duke u dhënë gjithashtu 10 nxënësve të dalluar të kësaj shkolle Bursën e Ambasadorit Kinez. Në këtë veprimtari morën pjesë kryetari i bashkisë së qytetit të Cërrikut Andis Salla, anëtari i Këshillit Bashkiak Jetmir Laroshi, drejtorja e shkollës "Mihal Shahini" Erina Disho, këshilltarja tregtare e ambasadës kineze Zheng Zhenling etj.

Ambasadori Zhou Ding u shpreh në ceremoninë e dhënies së diplomave se ky seminar është një nga projektet e rëndësishme në kornizën e përgatitjes së burimeve njerëzore dypalëshe ndërmjet Kinës e Shqipërisë, i cili ka për qëllim që të ndajë me palën shqiptare politikat e fundit, teknologjinë e përvojën e Kinës në fushën e bujqësisë e të zonave rurale, duke promovuar zhvillimin rural dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në Shqipëri. Si një vend i madh bujqësor dhe vendi më i madh në zhvillim në botë që ushqen një popullsi prej 1.4 miliard banorësh, Kina i përmbahet konceptit të zhvillimit që vë njeriun në qendër, duke zhvilluar modernizimin me karakteristika kineze në dekadën e fundit. "Ne promovojmë pasurimin e përbashkët të popullit, zhvillimin e përbashkët të qytetërimit material dhe të qytetërimit shpirtëror, harmoninë ndërmjet njeriut e natyrës dhe rigjallërimin rural. Ne kemi realizuar shkëputjen nga varfëria të rreth 100 milionë banorëve të varfër në zonat rurale, duke arritur 10 vjet përpara afatit objektivin e pakësimit të varfërisë të Agjendës së Zhvillimit të Vazhdueshëm për vitin 2020 të OKB-së. Shqipëria ka burime të pasura e një popull punëtor dhe zotëron potenciale të mëdha zhvillimi në fushën bujqësore. Ambasada kineze dëshiron të ruajë kontaktet e ngushta me bashkinë e Cërrikut dhe shkollën 'Mihal Shahini', për të thelluar shkëmbimet e bashkëpunimin kino-shqiptar në fushën bujqësore, arsimore etj.," theksoi ambasadori Zhou Ding.

Nga ana e tyre, kryetari i bashkisë së Cërrikut Andis Salla dhe drejtoresha e shkollës "Mihal Shahini" Erina Disho u shprehën se është nder i madh që seminari për ndërtimin e fermave moderne shqiptare u zhvillua  në Cërrik dhe në shkollën "Mihal Shahini". Ky seminar tregon miqësinë e thellë mes Shqipërisë e Kinës dhe është në favor të pasurimit të njohurive e të përgatitjes profesionale të mësuesve dhe nxënësve të shkollës. Bursa e Ambasadorit do t'i inkurajojë nxënësit të mësojnë me zell, thanë ata, duke shprehur shpresën se pala kineze do të vazhdojë bashkëpunimin bujqësor në të ardhmen me qytetin e Cërrikut.

Edhe përfaqësues të mësuesve e nxënësve, si edhe të fermerëve vendorë, u shprehën se do ta mbajnë mend këtë përvojë të çmuar dhe se presin të marrin pjesë në më shumë programe trajnimi të organizuara nga pala kineze, për të dhënë kontribut për bashkëpunimin miqësor ndërmjet dy vendeve.

I shoqëruar nga kryebashkiaku Salla dhe drejtorja Disho, ambasadori Zhou Ding vizitoi kopshtin eksperimental të shkollës. (Fani)