Po dalim nga Tetori i Librit dhe po hyjmë në Nëntorin e Panairit të Librit të Tiranës, ngjarja më e madhe pêr librin që përfshin gjithë shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri. Panairi i përvitshëm i librit mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkrimtarë, poetë, përkthyese dhe lexues. Panairi i Librit, ngjarja me e madhe letrare e vitit, na bën të njihemi me botimet e reja, por konsiderohet gjithashtu si një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.
Këtë vit, Panairi i 25 i Librit “Tirana 2022” do të organizohet në mjediset e Pallatit të Kongreseve, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në datat 16-20 nëntor. Stendat e librave, aktivitetet, shkrimtarët që firmosin autografë dhe vizitorët, miq të librit, nxënës që të organizuar me shkollat e tyre vizitojnë panairin, janë pamja e jashtme që ky panair ofron, ndërkohë që vëmendja e të gjithëve është përqëndruar tek botimet e reja. Edhe pse zyrtarisht nuk flitet për ndonjë garë, ajo ekziston, për të sjellë autorët dhe titujt me të mirë dhe më të kërkuar. Ne po sjellim disa propozime të vitit 2022 nga disa prej shtëpive botuese.
Dudaj
Shtëpia Botuese Dudaj sjell në Panairin e 25 të Librit, nobelisten e këtij viti në letërsi, Annie Ernaux, me një roman të ri të kësaj autoreje. ”Vendi i babit”, titullohet romani, që vjen në vazhdën e dy botimeve të mëparshme "Pasion i thjeshtë" dhe “Kujtime vajze", sjellë në shqip gjithashtu nga Dudaj. Annie Ernaux është ndër shkrimtaret më të rëndësishme franceze të letërsisë bashkëkohore. Kureshtja për të njohur nobelisten e këtij viti, do të jetë një nga pikat e forta me të cilën Shtëpia Botuese, do të përpiqet të tërheqë vizitorët dhe lexuesit e librit gjatë ditëve të Panairit.
Ndërkohë një tjetër pikë e fortë e Shtëpisë Botuese Dudaj, do të jetë edhe romani "Nesër e përgjithmonë", me autor kantautorin Ermal Meta, i cili e pati promovimin e tij gjatë ditëve të fundit në Tiranë. Libri është botuar fillimisht në Itali dhe është sjellë në shqip mjeshtërisht nga përkthyesi Agim Doksani. Mjaft i njohur si këngëtar, autor, poliinstrumentist dhe producent muzikor shqiptar, Ermal Meta për herë të parë vjen edhe si shkrimtar me një roman të jashtëzakonshëm, ku rrëfehet historia e Kajanit, që rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX.
Pegi
“Jeta shpirtërore” i shkrimtarit italian Alberto Moravia, vjen nga Shtëpia Botuese Pegi, si një roman, që denoncon të gjitha veset e një klase pushteti në dukje elitare, por krejtësisht të zvetënuar. Romani zhvillohet si një intervistë e gjatë, ku një personazh i quajtur “Unë”, që mund të interpretohet si gazetar, psikolog, shkrimtar, interviston Deziderian, duke e ngacmuar me pyetje në dukje të thjeshta mbi jetën e saj, por nga ana tjetër duke nxjerrë në pah rrënimin e vërtetë të vlerave shoqërore. I botuar më 1978, “Jeta shpirtërore” ngjalli reagime të shumta negative te kritika italiane e asaj kohe. Romani është përkthyer në shqip nga Aida Baro dhe do ta gjeni si libër të rekomanduar nga Pegi.
Ne, fëmijët e koptshtit zoologjik të Berlinit” nga Christiane F., është një bestseller, me të cilin Pegi synon të tërheqë lexuesin e saj. Një bestseller ndërkombëtar që ka shënuar një brez të tërë: I pajisur me fotografitë reale të protagonistëve të historisë, vendeve ku mblidheshin, diskotekave dhe udhëkryqeve ku jetonin. Ky libër është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiana Vera Felscherinoë-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të viteve 1970.
Skanderbeg
Shtëpia Botuese Skanderbeg, vazhdon t’i propozojë lexuesit shqiptar sagën e nobelistit turk Orhan Pamuk. “Çudia në mendjen time” është romani më i ri i Pamukut, botim i vitit 2022. Romani sillet rreth pyetjeve thelbësore të qenies njerëzore dhe përshkruan me një qartësi tronditëse mospajtimet mes jetës së periferive dhe asaj në zemër të qyteteve. Orhan Pamuk, nobelisti i vitit 2006, kaloi gjashtë vite me këtë roman, duke përfshirë në të më shumë se katër dekada jetë. Përmes historisë së shitësit ambulant, Mevlutit, dhe të familjes së tij, Pamuk zbulon mjeshtërisht një pamje të re të Stambollit, ende të panjohur prej nesh.
Dituria
“Putzi - pianisti i Hitlerit”, i Thomas Snégaroff, është një nga romanet që vjen nga Shtëpia Botuese Dituria, me pretendimin për të qenë ndër më të lakmuarit e këtij panairi. Me librin "Putzi", Thomas Snégaroff, autor i njohur, por edhe gazetar e historian, na paraqet një roman të natyrës historike. Në këtë roman, ku ndeshim shkëlqimin dhe mynxyrën e një shekull, krahas personazheve kryesor të librit, ndeshim dhe Tomas Manin, Karl Jungun dhe Romi Shnajderin. Në roman tregohet historia e një tregtar arti të Nju Jorkut të viteve 1910, i cili ishte njëherazi edhe muzikant, dhe që dhjetë vjet më vonë, u bë njeriu më i afërt dhe pianist i Hitlerit.
Ndërkohë një tjetër titull serioz i Diturisë është romani “Bonavia”, shkruar nga shkrimtari serb, Dragan Velikić dhe përkthyer në shqip nga Virgjil Muçi. Bonavia është afresku i mbarë shoqërisë postjugosllave në kërkim të një identiteti të ri në rravgimin midis së shkuarës së anatemuar, së tashmes problematike dhe së ardhmes së pasigurt. Romani i Dragan Velikiçit është një lojë pasqyrash për të gjithë ne që jetojmë në këtë gadishull të kontinentit të vjetër, qofshim serbë, shqiptarë, boshnjakë, kroatë, malazezë etj. Në mënyrë paradoksale të ndarë në ngjashmëritë tona dhe të përbashkuar në mllefet e mëritë që na ndajnë e përçajnë.
Është pikërisht ky dimension mbarëballkanik, që e bën këtë libër të rrugëtojë në vendet tona dhe që personazhet të flasin natyrshëm sa serbisht, kroatisht, boshnjakisht dhe, së fundi, edhe shqip.
Dituria gjithashtu propozon një tjetër autore mjaft të mirë në këtë panair. Bëhet fjalë për Alba de Céspedes, një autore e shquar italo-kubane e shekullit të XX dhe njëkohësisht autore e revistes se njohur letrare Mercuri, e cila për herë të parë vjen në shqip me librin ”Ditari i ndaluar”, përkthyer nga Xhimi Lazri. I botuar me pjesë midis viteve 1950 dhe 1951, dhe një vit më vonë si një vëllim i plotë, Ditari i ndaluar konsiderohet si kryevepra e Alba de Céspedes, një libër që është dëshmi historike e një epoke dhe homazh për një brez parafeminist, që ishte vendimtar për të gjitha revolucionet pasardhëse.
Dukagjini
Edhe Shtëpia Botuese Dukagjini ka paralajmëruar që në Tiranë do të marrë pjesë me një serë botimesh disa prej të cilave vijnë për herë të parë të përkthyera në gjuhën shqipe. Kjo shtëpi botuese vjen me botimin e librave nga letërsia, me kolanën “Anima”, e cila botohet për herë të parë në shqip, përkthyer nga origjinali. Po ashtu, do të ketë edhe botime të ndryshme të veçanta për lexuesit, përkthime e vepra të autorëve shqiptarë, si dhe libra nga letërsia për fëmijë.
Living
Living edhe në këtë panair vijon të ketë në fokusin e saj librat për adoleshenëtët. Ajo sërish ka zgjedhur shkrimtaren Colleen Hoover, një bestseller që ka fituar zemrat e lexuesve, me sagën e saj prej 6 romanesh, ku përmenden “Mbaron me ne”, “Kujtimet e tij” dhe së fundmi me romanin “Dashuri e shëmtuar”. Të gjithë titujt që përmendem janë prurjet e reja të 2022, ndërkohë që shtëpitë botuese do të prezantojnë një arsenal të tërë titujsh të botuar edhe më herët në kohë, me idensë se çdo lexues ka të drejtë të zgjehdë atë që pëlqen.
Gjithashtu për panairin inters do të paraqesin edhe ribotimet e klasikëve, të cilët nuk dalin kurrë nga moda. Disa nga shtëpitë botuese janë kujdesur që të bëjnë ribotimin e tyre, me përkthime dinjitoze dhe kopertina luksoze, që tí vijnë në ndihmë lexuesit të të gjitha kohërave.
Neritana Kraja