Luan Kalana
Luan Kalana ka lindur në qytetin e Korçës dhe prej gati 27 vitesh jeton me familjen në SHBA. Ai ka qenë mësues për mbi 30 vjet në Malësinë e Mokrës, Pogradec dhe në fshatrat e Devollit, Korçë. Ka një ativitet të dendur shoqëror në komunitetin shqiptar si mërgimtar në SHBA, në shoqata patriotike, aktivitete kulturore në shkollat shqipe, duke shpërndare librat e tij falas për mësimin e gjuhës shqipe. Kalana ka bërë disa studime dhe ekspedita të mirëfillta gjuhësore për toponimet dhe fjalët e rralla të shqipes në trevën e Devollit. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për largimin e tij nga Shqipëria, integrimin në SHBA si dhe rreth krijimtarisë së tij letrare.
Luan Kalana ne interviste per CMG
CMG: Z.Kalana ju falenderoj për këtë intervistë në Radio Ejani.
Luan Kalana: Faleminderit, është kënaqësi dhe privilegj të jap këtë intervistë në Radio Ejani.
CMG: Keni afër 30 vite që jetoni në SHBA. Ju kujtohet largimi nga Shqipëria dhe si u integruat në fillimet e para atje?
Luan Kalana: Ne kemi ardhur rreth viteve 90-të me llotari në Amerikë. U vendosëm fillimisht në një shtet të vogël të Connecticut ku qëndruam 10 vjet dhe pastaj zbritëm këtej nga jugu në vendet tropikale në Florida, që është gadishull dhe shtet i madh i Amerikës, me një sipërfaqe gati sa Ballkani dhe një popullsi rreth 30 milion banorësh. Është një vend tropikal që është vetëm verë dhe nuk ka stinë. Fillimi ka qenë shumë i vështirë dhe vështirësia ishte se ikëm në një periudhë shumë kritike të Shqipërisë në vitet ‘95, vite lufte imagjinare që nuk mund ta përshkruaj dot dhe erdhëm në një vend parajsë për ne dhe familjen tone. Ishte një vështirësi e madhe përshtatja me infrastrukturën e jetës sepse erdhëm me borxhe dhe i filluam që nga e para punët. Në çfarëdolloj pozicioni që ishim në Shqipëri, doktorë apo shkenctarë, profesorë dhe inxhinierë, e nisëm nga punët më të rëndomta. Kjo ishte vështirësia më e madhe, ndërsa vështirësia tjetër ishte komunikimi sepse nuk njihnim gjuhën. Kështu që mësuam gjuhën të gjithë atje dhe u ambientuam, por kjo merrte kohë. Tani bëjmë një jetë normale dhe jemi të kënaqur.
Kopertina e librit te Luan Kalanes
CMG: Ju keni qenë me punë të mirë në Shqipëri, duke punuar prej shumë vitesh si mësues në disa shkolla të qarkut të Korçës. Sa e vëshirë ishte të lije profesionin dhe të largoheshe nga vendi?
Luan Kalana: Në fakt ashtu ishte, megjithatë vështirësinë dhe ndjesinë e lagimit nga punët dhe djersa, nga hulumtimi dhe punët tona profesionale unë e kam lënë në libra, duke shkruar mbresat, kujtimet në librat e mi që janë të shumtë.
CMG: Si e kujtoni periudhën para viteve 90-të ku ushtronit profesionin e mësuesit, duke keni edukuar breza të tërë nxënësish?
Luan Kalana: Unë kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike deri në të lartën dhe kam ushtruar profesionin e mësuesisë me pasion në 6 rrethe dhe 22 fshatra. Kur kam ikur në Amerikë me llotari, i lashë nxënësit e klasës së 8-të pa iu dhënë provimin sepse ata më përcollën dhe më dërguan pastaj një letër, ndërsa ceremoninë e diplomimit ja dërgova në mungesë. Për mua ishte një boshllëk shumë i madh, mëgjithatë kam gjetur atje ngrohtësinë e ish- nxënësve, ish studentëve, ish kolegëve mësues dhe profesorë me nxënësit, me mbesat, fëmijët dhe të gjithë.
Luan Kalana me shkrimtarin Dritero Agollin
CMG: Flasim për botimet tuaja në vite dhe çfarë keni sjellë për lexuesit në krijimtarinë letrare.
Luan Kalana: Unë jam një shkrimtar i thjeshtë dhe në Shqipëri nuk njihem shumë, megjithëse kam botuar 5 libra në shtyptshkronjën Koti në Korçë dhe kam shpërndarë rreth 2000 libra falas në biblioteka, në shkolla dhe shoqata artistike. Gjithashtu kam marrë përsipër dhe kemi bërë disa vepra dinjitoze me shoqatën “Jehona Shqiptare”, ku kemi hartuar dhe jam bashkëautor i antologjive poetike kombëtare për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, për Tiranën, Dritëro Agollin dhe tani së fundi për Shqipërinë. Ndërsa në Amerikë kam shkruar shumë aq sa më thonë kolegët mjaft dhe më konsiderojnë si “topçiu i letrave”.
CMG: Pse ndodhi që në SHBA të shkruash më shumë sesa keni shkruar në Shqipëri?
Luan Kalana: Amerika është vend i lirive, i demokracisë dhe vendi që të jep mundësinë për gjithçka. Mua mu dha kjo mundësi dhe po e shfrytëzoj, por dhe duke ndjerë kënaqësinë time, pasionin tim.
Luan Kalana ne Florida, SHBA
CMG: Në Florida ku jetoni aktualisht organizohen nga komuniteti shqiptar aktivitete kulturore dhe artistike?
Luan Kalana: Si kudo në Amerikë shqiptarët janë të organizuar në shumicën e shteteve dhe qyteteve të mëdha si New York, Boston, Chicago dhe në Florida. Aty ku jetoj në një komunitet afër qytetit Tampa, një qytet piktoresk me një plazh të bukur është një komunitet shumë i madh shqiptarësh mërgimtarë. Me iniciativë të intelektualëve shqiptarë që ndodhen aty kemi krijuar një komunitet për ta ndjerë largësinë, jetën shqiptare, traditat tona artistike, kulturore, por dhe familjare atje. Gjithashtu kemi krijuar dhe një grup valltarësh që quhet “Shqiponja”, ku fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë lozin vallet më të bukura shqiptare të të gjitha trevave dhe kemi konkuruar në festivalet folklorike ndërkombëtare në Florida. Kemi krijuar shkollën shqipe që fëmijët tanë të mësojnë shqipen dhe mos ta harrojnë. Në pozicionin tim si shkrimtar, kemi krijuar dhe Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve.
CMG: Vini shpesh në Shqipëri dhe çfarë nostalgjie keni për vendlindjen tuaj?
Luan Kalana: Ne mërgimtarët, flas për pozicionin e familjes dhe fëmijëve tanë, këmbët i kemi në mërgim, konkretisht në Amerikë, kokën dhe shpirtin e kemi në vendlindjen, Shqipëri, dhe nuk mund ta harrojmë, sidomos ne mosha e tretë. Rrallë e kemi vizituar, por largësinë ose hapësirën e ndalesës e kam justifikuar duke i dërguar librat e mi atje si prezencë për personalitetin tim.
CMG: Mbani kontakte me të afërmit, kolegët dhe miqtë tuaj që jetojnë në Shqipëri?
Luan Kalana: Rrjetet sociale na kanë krijuar mundësi të madhe që të mbajmë shumë më afër lidhjet. Thonë miqësia virtuale, por ne jemi miqësia reale me të gjithë shokët e mi që ndodhen jo vetëm në Shqipëri, por dhe në diasporë, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë kontinentet.
Luan Kalana ne Florida
CMG: Librat tuaj i keni promovuar dhe në Shqipëri?
Luan Kalana: Unë vij në Shqipëri nga promovimet që nga vendlindja Bilishti, në Korçë dhe para pak ditësh kisha një promovim të shkëlqyer, një manifesitm kulturor-letrar të organizuar në mënyrë të përkryer nga shoqata “Jehona shqiptare” dhe kryetarja e saj sZamira Korançe, me në krye presidente nderi Margarita Xhepën. Ishte një kënaqësi, përveçse një vlerësim i madh për mua. Pomovimet e mia nuk do ndalen sa të jem në Shqipëri sepse kam edhe dy promovime të tjera me Shoqatën Devolli. Më vjen zor dhe e them me modesti sepse sikur më vlerësojnë si tepër, por kjo është dashuria, miqësia dhe lidhja jonë me vendlindjen që nuk na ndalon.
CMG: Kur të ktheheni në Florida keni shumë për t’ju treguar miqve tuaj për mbresat nga vizita në Shqipëri?
Luan Kalana: Patjetër se mua më është dhënë mundësia që të flas dhe në mediat amerikane ku më quajnë publiçisti shqiptaro-amerikan. Kam nderin dhe janë bërë shumë vlerësime në biblotekat që unë punoj, ku për mua ishte një befasi e madhe që të promovoja librin me nje profesor dhe shkrimtar të Univeristetit të Miamit i cili është dhe Senator i shtetit të Floridës dhe unë promovova librin tim në shqip, ndërsa ai promovoi librat e tij në anglisht. Ishte një nder dhe vlerësim i madh për mua, por ai ishte një nder dhe vlerësim për Shqipërinë dhe letërsinë tonë kombëtare. Para se të vija në Shqipëri, pata një bashkëbisedim me një autore amerikane, e cila ka botuar një libër për gruan dhe kishte fituar çmimin për vitin 2021 me këtë libër në Amerikë. Ajo është një autore e re dhe me konsideratë krijoi një vlerësim dhe një miqësi me mua.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Luan Kalana: Nuk gjej fjalë, por dua të përcjell emocionalisht një përshëndetje vëllazërore për dëgjuesit e Radio Ejani. Ju faleminderit!
Intervistoi: Gazmend Agaj