BB: Shqipëria ka nevojë për politika dhe reforma që nxisin rritjen ekonomike
2022-10-31 09:15:13

Është prezantuar  Raporti i Rregullt Ekonomik per rajonin e Ballkanit Perendimor nga Banka Botërore, i titulluar “Përtej krizave”. Performanca e ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor  vijon të ndikohet nga tensionet globale, të cilat po krijojnë probleme të konsiderueshme për rajonin, perfshirë Shqipërinë. Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ngadalësimin e rritjes së ekonomisë botërore, ka gjasa të kufizojnë ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Për vitin 2022, rritja ekonomike e vendit parashikohet të ngadalësohet në 3.2 për qind.

 

Prezantimi raportit (Foto Banka Botërore)

Prezantimi raportit (Foto Banka Botërore)

“Lufta që po zhvillohet në Ukrainë dhe pasojat e saj në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ngadalësimin e rritjes së ekonomisë botërore ka gjasa të kufizojnë ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Pas rritjes së fuqishme të PBB-së në vitin 2021, rritja ekonomike e vendit parashikohet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022”-  thuhet në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

 

Sipas këtij raporti presionet inflacioniste të fundit pritet që të ngadalësojnë progresin e arritur gjatë kësaj kohe dhe se ajo që kërkohet është mbështetja e grupeve të caktuara. Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, e nxitur nga konsumi privat, eksportet dhe investimet. Tregu i punës shënoi përmirësim dhe papunësia ra në 11.3 për qind. Pas reduktimit të ndjeshëm në vitin 2021, varfëria pritet të vijojë trajektoren rënëse.

 

Përfaqësuesja e BB (Foto Banka Botërore)

Përfaqësuesja e BB (Foto Banka Botërore)

“Këto  zhvillime ndikuan gradualisht në rritjen  e inflacionit në Shqipëri: norma vjetore e  inflacionit u rrit në 7.5 për qind në korrik  2022, më e larta që nga marsi 2002. Inflacioni  i çmimeve të ushqimeve dhe inflacioni i  transportit për të njëjtin muaj u rrit përkatësisht  në 13.2 për qind dhe 19.7 për qind. Rritje  të tilla të çmimeve po ndikojnë negativisht  qytetarët më të varfër për shkak të peshës më  të madhe që kanë këto artikuj në shportën e  konsumit të të varfërve. Kursi i këmbimit  të monedhës vendase ndaj euros shënoi një  mbiçmim prej 3.7 për qind në muajin korrik,  gjë që ka frenuar transmetimin e inflacionit të  importuar në ekonominë vendase. Gjithashtu,  çmimet e rregulluara të energjisë për biznesin  dhe konsumatorët si dhe çmimet përkohësisht  të kontrolluara të karburanteve për transport  dhe të artikujve kryesorë ushqimorë kanë  rishpërndarë barrën e efeketeve të rritjes  së çmimeve globale dhe kanë penguar një  transmetim të plotë të saj në inflacionin e  brendshëm. Megjithatë, këto masa patën edhe  një ndikim negativ fiskal. ‘- thuhet në raport.

 

Në përfudimet e nxjerra thuhet se në përgjigje të rritjes së çmimeve të ushqimeve, qeveria ka shtuar alokimet buxhetore për mbështetjen e grupeve të cënueshme, të cilat tashmë po përfitojnë nga çmimet e subvencionuara të energjisë elektrike.Megjithatë, tensionet gjeopolitike mund të shkaktojnë rritje të mëtejshme të inflacionit, probleme në zinxhirët e furnizimit dhe turbullira në tregjet financiare, dhe të gjitha këto mund të zbehin akoma më shumë perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë, thuhet në raport.

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe kostove të transportit do të ndikojë negativisht tek qytetarët më të varfër.Ndërkohë që qeveria po planifikon të vijojë me konsolidimin fiskal, kostot më të rritura në ofrimin e shërbimeve publike mund të krijojnë presione shtesë në rritjen ekonomike, pasi për të garantuar furnizimin me energji nga importet mund të nevojiten më shumë shpenzime.

 

“Në periudhën afatmesme, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme më të ngadalta, në nivele të ngjashme të rritjes me ato para pandemisë”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë. “Këto parashikime varen nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, reformat strukturore të Shqipërisë, si dhe vazhdimi i rrugës së konsolidimit fiskal”.

 

Pavarësisht ecurisë së fortë në tremujorin  e parë, rritja për vitin aktual pritet të  ngadalësohet në tremujorin e katërt të vitit

 

“Rritjet e vazhdueshme të çmimeve ka të ngjarë  të çojnë në një rënie të kërkesës së brendshme  private, ndërkohë që kontributi i qeverisë  pritet të ndikohet nga përfundimi i programit  të rindërtimit pas tërmetit. Kërkesa e huaj  ka të ngjarë të ngadalësohet duke ndikuar në  kontributet e eksporteve neto. Skenari bazë parashikon që aktiviteti  ekonomik të zgjerohet mesatarisht me 2.7 për  qind gjatë vitit 2024 i ndikuar nga kushtet  globale dhe goditjet e vazhdueshme në anën  e ofertës. Ky parashikim është poshtë normës  historike të rritjes në periudhën para tërmetit.  Tensionet e qëndrueshme gjeopolitike mund të  rrisin më tej inflacionin, të krijojnë probleme  në zinxhirët e furnizimit dhe shqetësime në  tregjet financiare; të gjitha këto mund të zbehin  më tej perspektivat e rritjes së Shqipërisë”- nënvizon raporti i BB-së

 

Në periudhën afatmesme, konsumi privat  parashikohet të kthehet në faktorin kryesor  shtytës të rritjes.

 

 

Përfaqësuesi i BB për Shqipërinë (Foto BB)

Përfaqësuesi i BB për Shqipërinë (Foto BB)

“Investimet private mund të  ofrojnë mbështetje të mëtejshme për rritjen  nëse zbatohen reformat e klimës së biznesit.  Pas një reduktimi të ndjeshëm në vitin 2021,  varfëria pritet të vijojë të ulet në vitin 2022, por  presionet e vazhdueshme inflacioniste mund  të çojnë në rënie me ritme më të ngadalta në  të ardhmen ose në humbje të përfitimeve të  arritura në të kaluarën. “- shtohet më tej në raport.

 

Kreditimi për sektorin privat vijoi ecurinë  e fortë pozitive të vitit 2021 si për bizneset  ashtu edhe për individët

 

“ Kredia për sektorin  privat u rrit me 13.8 për qind në T2 2022.  Raporti i kredive me probleme ndaj totalit  të kredive ishte 5.3 për qind, duke reflektuar  cilësinë e mirë të aseteve. Megjithatë, vrojtimi i  bankës qendrore për aktivitetin kreditues tregon  se bankat kanë filluar të ndjekin politika më të  kujdesshme për kreditimin e bizneseve në T2  2022”- thuhet në raport.

 

Në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë, performanca e ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor vijon të ndikohet nga tensionet globale, të cilat po krijojnë probleme të konsiderueshme për rajonin. I gjendur përballë goditjeve aktuale, Ballkani Perëndimor duhet t'i japë përparësi politikave mbështetëse për shtresat e cënueshme, duke siguruar që masat të jenë të fokusuara dhe të kufizuara në kohë me qëllim minimizimin e rreziqeve fiskale. Rajoni duhet t’i japë gjithashtu përparësi dhe reformave që nxisin rritjen ekonomike në periudhë afatmesme, dhe me kosto të kufizuar fiskale.Sipas raportit, reforma të tilla do të përfshinin masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave të hyrjes në treg për biznesin, nxitjen e mbajtjes së investitorëve të huaj ekzistues dhe riinvestimeve të tyre, zvogëlimin e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në forcën e punës, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e standardeve të qeverisjes, përfshirë dixhitalizimin. Gjithashtu thuhet se kriza aktuale thekson gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon për kalimin nga përdorimi i hidrokarbureve të paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe drejt modeleve më të gjelbërta të prodhimit dhe konsumit, thuhet në raport.