NGa Festivali Mikrofoni i Arte Vaçe Zela (Foto CMG)
Më 22 Tetor u zhvillua në qytetin e Lushnjes, Edicioni i Parë i Festivalit “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela”, i ideuar dhe realizuar nga Etleva Rrapa nën organizimin e Adriatik Gega, president i Shoqatës Humanitare në Ndihmë të Grupeve Vunerabël për degën e Lushnjes si dhe me mbështetjen e Bashkisë së këtij qyteti. Gjithçka përmbante skenari i festivalit, përcolli mjaft emocion në publik, por jo vetëm edhe vetë konkurentët apo dhe stafi i festivalit u përfshin nga emocionet. Në këtë konkurrin u paraqitën mbi 40 artistë të vegjël, por vetëm 20 prej tyre u përzgjodhën që të interpretonin në skenë. Fëmijët kënduan live këngë të Artistes së Popullit, Vaçe Zela, një mënyrë e mirë kjo që arti i saj të jetojë përgjithmonë dhe pikërisht aty në vendin e saj të lindjes. Juria ishte ndërthurur mes artistëve që kanë lënë gjurmë në historinë e artit shqiptar, por edhe të rinj duke dhënë mendime të ndryshme në vlerësimin e artistëve të vegjël. Juria ishte e përbërë nga pesë anëtarë, Presidente Jurie, Margarita Xhepa "Nderi i Kombit", Kryetar jurie, Maestro Zhani Ciko, Sopranoja Mariana Leka, aktori i suksesshëm shqiptar në Itali, Antonjo Gjonaj, dhe gazetarja Sava Lena. Ndërsa u ndanë certifikata pjesëmarrëse për të gjithë fëmijët pjesëmarrës, juria vlerësoi me çmime: Arbias Pepa (Çmimi i tretë), Marina Dako (Çmimi i dytë), Fjona Resuli (Çmimi i parë) e cila interpretoi këngën “Natën vonë”. Ndërsa u vlerësuan me disa çmime speciale, Çmimi i Publikut shkoi për vajzën Ria Malo, Çmimi Bilbili i Artë për Erida Tushin, Çmimi Horizont për këngëtaren Ejza Hoxha,gjithashtu u vlerësuan dhe dy artistë të vegjël me Çmime Diplomë, të cilat u ndanë për këngëtarët, Jerina Limaja dhe Samuel Guri.
NGa Festivali Mikrofoni i Arte Vaçe Zela (Foto CMG)
E ftuar nderi e ardhur posaçërisht për këtë festival nga Zvicra ishte dhe Irma Rodiqi, vajza e Artistes së Popullit, Vaçe Zela për të cilën ishin rezervuar disa surpriza. Pas këtij suksesi kjo nismë e bukur e festivalit të zërave të rinj “Mikrofoni i Artë Vaçe Zela” do të vazhdojë si një traditë në këtë qytet, për të pritur jo vetëm artistë të vegjël nga e gjithë Shqipëria, por edhe fëmijë shqiptarë nga mbarë bota, duke u lënë hapësirë edhe fëmijëve me aftësi ndryshe për të kënduar.
Përgatiti: Sava Lena