Saksofonisti Sokol Sejdo është autori i parë i albumit për saksofon në Shqipëri. Në koncertet e muzikës xhaz që ai ka organizuar ka qenë producent, ideator dhe instrumentist. Ai është pjesëmarrës në shumë aktivitete, gjithashtu pedagog për më shumë se një dekadë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ai tregon për dashurinë që ka për pianon, instrumenti i tij i parë, për studimet që kreu për klarinetë dhe kalimi drejt instrumentit të saksofonit, të cilin e konsideron “mikrofoni i shpiriti”. Gjithashtu Sokoli na tregon për ndërthurjen e muzikës xhaz me folkun shqiptar, albumin e tij “Njollë bardhësie”, si edhe planet në vazhdim.
Sokol Sejdo
CMG: Përshëndetje Sokol! E ndërsa të shkëputëm nga provat, na trego se për çfarë eventi janë këto prova sot?
Sokol Sejdo: Unë kam filluar të interpretoj tek “Perla Tatto”, vend që fton gjithmonë artistë shumë të mirë, ka krijuar në skenë mjaf të bukur jo vetëm të zhanrit tim xhaz, por edhe për zhanre të tjera. Në këto momente na ndajnë vetëm pak orë përpara live-t.
CMG: Në fakt unë të kam ndjekur në disa mbrëmje kur ti ke interpretuar live, me këngëtarët Sara Bajraktari, Rubin Kaso por edhe me Whitney-n, një vajzë shumë e talentuar me një zë “black”.
Sokol Sejdo: Atë natë mua më ndodhi një e papritur. Më kishin rënë tre sensorë, tre nota apo katër nota nuk dilnin fare dhe mendo që të luash mbi atë, të mos e linim përgjysmë live-n. Mundohesha që të bëja improvizime me ato pak gjëra dhe mendoj se ja arrita.
Sokol Sejdo në intervistë për CMG
CMG: Gjithsesi ishte një mbrëmje fantastike, madje nga postimet e mia në rrjetet sociale miqtë e mi, edhe artistë jashtë vendit më kanë përcjellë komplimente , duke më kërkuar edhe kontaktin tënd. Që në atë moment mendova të realizonim këtë intervistë. Ti ke studiuar për muzikë klasike dhe më pas u fokusove në muzikën xhaz. Si lindi kjo për ty?
Sokol Sejdo: Erdhi shumë natyrshëm. Ishte momenti kur unë sapo kisha ardhur nga një Master në konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano. Aty ishte shtysa për të ndryshuar dhe zhanrin tim klasik, ku nga klarineta, kalova tek saksofoni. Në Itali e kam bërë këtë ndryshim, në vitin 1998. Është një album që vazhdon ndër vite, ku ishte pjesa e parë, pastaj pjesa e dytë e deri në vitin 2003. Në atë album kam patur shumë bashkëpunues si Gent Rushin kompozitor i xhazit dhe instrumentist, i cili ka orkestrimet e veta aty, ka patur vokale shumë interesantë që janë sot solistë të Teatrit të Operas dhe Baletit.
CMG: Dua të di se si lindi dëshira për këto kompozime?
Sokol Sejdo: Ne kemi interpretuar shumë materiale të kompozitorëve të njohur të muzikës klasike si Mozart, Bethoven, etj dhe një ditë mendova: “Nuk jam unë në gjendje të kompozoj notat e mia, temat e mia, krijimet e mia”? Kjo është një mënyrë mjaft e mirë që edhe në një të ardhmen artistë të tjerë, të interpretojnë pjesët e mia. Kur krijon një album, je afër vetvetes, për t’i treguar të gjithëve se artisti kur krijon diçka, ka një mesash aty brenda dhe kërkon të lërë mesazhin e tij. Pra nuk ka gjë më të vërtetë. Patjetër që i respektojmë edhe kompozitorët e huaj, por ku ka më mirë se të jesh vetvetja.
Sokol Sejdo duke interpretuar në skenë
CMG: Patjetër që një album e identifikon një artist, është një patentë për t’u përfaqësuar ndërkombëtarisht. Albumi mban titullin “Njollë bardhësie”. Çfarë mesazhi doje të përcillje me anë të këtij titulli?
Sokol Sejdo: Ky është një album për muzikë instrumentale, që nuk ka fjalë, ndaj duhet të jesh shumë i koncentruar tek titulli që duhet të ketë patjetër një domethënie, për t’i përfshirë të gjitha. Nëse një këngëtar ka tekstin, fabulën, e cila pavarësisht muzikës flet edhe nëpërmjet tekstit. Ne jemi shumë të kushtëzuar në këtë pjesë, sepse duhet t’i themi krijimet shumë të kristalizuara, të gjitha këto nëpërmjet notave të muzikës dhe titulli duhet të thotë diçka. Titulli në fakt nuk është shumë sqarues, është shumë ironik, shumë poetik. Atëherë lind pyetja: Njolla bën pis, por çfarë është kjo njollë e bardhë?
CMG: Mos ke dashur të shprehësh nëpërmjet kësaj njolle, firmën tënde?
Sokol Sejdo: Vetë krijimtaria është një firmë, zëre se ke shkruar në qiell një mesazh shumë të pastër. Arti gjithmonë ka lidhje jo kontradiktore me qiellin, me njëri- tjetrin.
CMG: Dhe ndërsa krijon këtë muzikë, pa vargje, vetëm me saksofon, brenda vetes çfarë ke në imagjinatën tënde?
Sokol Sejdo: Janë shumë faktorë, që influencojnë në krijimtari. Pjesët janë shtatë dhe pret pak sentimentalizëm, pak dashuri, temperament, prek gjithçka përveç politikës. Artisti frymëzohet nga një ngjarje dhe e kristalizon në nota muzikore.
CMG: Ndalemi tek notat muzikore. Ti je ulur në piano që i vogël, më pas studiove klarinetë, dhe tashmë luan në saksofon. A ke mall për këto instrumenta, ndoshta për t’u rikthyer ndonjëherë?
Sokol Sejdo duke interpretuar në skenë
Sokol Sejdo: Unë e kam një piano në shtëpi e cila më ndihmon edhe në krijimtari, ku ulem ndoshta 15 minuta në ditë dhe aty i harroj të gjitha. E ku ka më bukur se të relaksohesh me muzikë! Ky është fati i ne artistëve, që sot njerëzit paguajnë psikolog për këtë dhe jam i lumtur që bëj këtë gjë. Ndoshta kemi gjetur edhe ne kontributin tonë se si t’i çlirojmë shpirtrat, si t’i relaksojmë ato, por njëkohësisht relaksojmë edhe veten. Pianon nuk e kam ndarë në asnjë moment, por saksofoni, është mikrofoni i shpirtit. Doja të përmendja një proverbë shkodrane: “Bëj mirë atë që di me ba më mirë”. Jo se nuk di të bëj mirë klarinetën pasi këtë instrument e kam dhënë mësim për 15 vjet rresht në Liceun Artistik, por aty ku unë gjej veten time, është saksofoni.
CMG: Nga instrumentet që ke interpretuar në jetën tënde, a është saksofoni ai më i vështiri?
Sokol Sejdo: Nuk mund të them i vështirë, por mbetet një instrument shumë i bukur e i veçantë, varet se si do e luash. Nga instrumentet që kam prekur mund të jetë disi më i ndërlikuar, por varet se si e luan, çfarë karakteri mund t’i japësh. Ka artistë të ndryshëm që mund t’i japin natyra të ndryshme saksit, disa mund t’i japin natyrë sensibël, disa e bëjnë shumë të vrazhdë, disa e bëjnë shumë rrok. Por unë kam një natyrë që në album kam shprehur një natyrë më romantike, ndërsa në interpretimet e mia live janë mundësitë për ta sjellë më ndryshe për njerëzit që më njohin dhe fansat e dinë që jam shpërthyes, ndonjëherë bëj bashkëpunime me rrokista, por në fund të gjitha këto zhanre bazën e tyre e kanë tek bluzi.
CMG: Ti Sokol për dy dekada ke krijuar skenën e xhazit në Tiranë, por edhe një bandë muzikore. Sa e ka ndihmuar kjo publikun për ta përqafuar këtë rrymë muzikore?
Sokol Sejdo: Për të mbajtur ndezur dritat e “Skena Jazz Club”, unë kam dedikuar emrin e bandës, “Skena Jazz Band”. Ky është një lloj marketingu, që nëse nesër do të rindizen dritat e “Skena Jazz Club” duket se kam qenë “online” tërë kohën. Ka kohë që është afruar pranë njerëzve kjo bandë. Nuk është bandë e madhe, përbëhet nga një saksofonist , pianisti edhe një kitarist, pra bulza e bandës është kjo sepse ne bashkëpunojmë me disa artistë.
Sokol Sejdo duke interpretuar në skenë
CMG: Ti Sokol nuk zgjodhe që të bësh para me muzikën, por zgjodhe që të bësh mirë artin tënd. Mendon se ke fituar më shumë se artistët e tjerë?
Sokol Sejdo: Të jesh profesionist, të kesh bërë një jetë artistike dhe të kesh shprehur atë që ke dashur në një nivel profesional nuk është pak dhe kjo nuk paguhet e nuk blihet me para, pra përkushtimi. Të gjithëve i interesojnë monedhat, por jo në sensin e të vënit pasuri, kam një mirëkuptim me shpirtin tim, nëërmjet artit dhe aty plotësohem. Dhe deri tani më kanë shkuar gjërat mbarë edhe në atë aspekt.
CMG: Ti ke dhënë mësim në Liceu Artistik “Jordan Misja” për shumë vite. Çfarë ke dhënë dhe çfarë ke marrë nga artistët e rinj?
Sokol Sejdo: Mësimdhënia të jep, por edhe mund të marësh shumë. Mësuesi është edhe psikolog për fëmijën. Kam mësuar shumë breza dhe jam i lumtur. Shpërblimi im sot është që ata studentë janë nëpër skena botërore. Kemi Ermal Rodin saksofonist, Eno Gjokën, etj. Është një kontingjent mjaft i mirë që po vazhdojnë edhe përtej kufijve.
CMG: “Ma ke bo pjesën, më të bukur se ç’e kam pas”, çfarë të kujton kjo shprehje?
Sokol Sejdo: Këtë shprehje e ka thënë një emër i njohur si Agim Krajka. Po realizoja një koncert dhe shkova për ta takuar dhe për t’i paraqitur punën time profesor Krajkës, si dhe për ti kërkuar leje që të interpretoja një pjesë të tij në koncertin tim. Ai jo vetëm që më dha lejen, por më premtoi që do të vinte edhe në koncert. Ditën e koncertit ai u ngjit në skenë më tha këtë shprehje, “Ma ke bo këngën më të bukur se ç’e kam pas”. Ishte një kënaqësi dhe vlerësim për mua.
CMG: Na trego më tepër për pjesët shqiptare që ke interpretuar me saksofon?
Sokol Sejdo: Koncerti “Duo” ka qenë i përqendruar tek Etnik- Xhaz, ku janë marrë materialet shqiptare dhe janë përpunuar në versionin xhaz. Nuk jam shumë i dhënë pas kësaj gjëje, por mendova ta provoja një herë. Unë jam më shumë i dhënë pas xhazit, por folku është folk e ka shumë vështirësi për t’i alternuar, duhet shumë profesionalizëm. Kam provuar me disa tema, me një pjesë të Nexhmije Pagarushës “Po vijnë krushqit”, një pjesë nga Shqipëria e mesme dhe mendova që të bëj një hart duke prekur edhe arbëreshen. Ky koncert është transmetuar me qindra herë kur unë kam qenë në kontratë me një televizion, ndërsa tani i kam unë të drejtat e transmetimit.
CMG: Cilat janë planet e tua në të ardhmen?
Sokol Sejdo: Kam provuar të interpretoj në disa skena në Greqi, Malin e Zi, Itali, etj., por do thoja, paçim fatin e artistit. Tani jam i fokusuar kryesisht në interpretimet live në skena të ndryshme ku bëhet muzikë.
Intervistoi: Sava Lena