Buxheti faktik i vitit 2021: Ibrahimaj: Ekonomia u rrit me 8.54%
2022-10-30 14:54:02

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ekonomia shqiptare u rikuperua ndjeshëm në vitin 2021.

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjatë diskutimit të buxhetit faktit 2021 në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, ministrja tha se efektet e pandemisë ishin të përmbajtura falë politikës monetare dhe financiare të ndërthuruar me masat rregullative, përcjell “ATSH”.

Ministrja tha se të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore 2021 arritën në 510.6 miliardë lekë, me një realizim në masën 101% të planit vjetor, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike arritën në 595.97 miliardë lekë me një realizim në masën 100.5% të planit vjetor.

Referuar statistikave, Ibrahimaj informoi se, gjatë vitit 2021, inflacioni mesatar rezultoi 2%, ndërkohë inflacioni i fundvitit rezultoi 3.7%. Deficiti fiskal arriti në 4.5% të PBB-së, nga një mesatare prej afro 3.4% në tre vitet e mëparshme, por megjithatë rezultoi më i ulët sesa kufiri ligjor prej 8.4% e PBB-së. (Irma)