Shpenzimet mesatare mujore në vitin 2021, 1.3% më të larta se 2020-a
2022-10-29 17:43:40

Foto: VCG

Foto: VCG

Instituti i Statistikave bëri të ditur se në vitin 2021, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare (NJEF), të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, ishin 84.548 lekë. Ndërsa totali i shpenzimeve për konsum ishte 64.73 miliardë lekë në muaj për 765.551 familje.

Në raportin e INSTAT-it thuhet se vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NJEF-ve në vitin 2021, ishte 1.3 % më i lartë se në vitin 2020.

Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, është 2%. Në vitin 2021, grupi “Arsim” ka rezultuar me rritje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 6.1%, krahasuar me vitin 2020, ndërsa grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” ka rezultuar me ulje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 0.4%.

Në vitin 2021, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NJEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 99.416 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.591 lekë dhe Fieri me 80.752 lekë në muaj për NJEF. 

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 71.636 dhe i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për NJEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Vlorës me 4.2%, ndjekur nga qarku i Kukësit me rreth 2%. (Irma)