Aktori Xhim Belushi (Foto nga Instagrami)
Aktori i famshëm botëror me origjinë shqiptare Xhim Belushi, ndodhet pre një javë në Shqipëri. Këtë herë ai ka ardhur me një synim, për të realizuar një dokumentar për Tiranën, i cili do të transmetohet së shpejti në të gjitha mediat amerikane. Lajmin si fillim e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e priti aktorin me famë ndërkombëtare.
Ashtu siç kishte premtuar, aktori Xhim Belushi prej disa ditësh po zhvillon një tur nga jugu në veri, për të shijuar bukuritë e vendit tonë. Pas Tiranës, ylli i Hollivudit vizitoi Korçën dhe më pas Gjirokastrën.
Por teksa ndodhej në Gjirokastër, aktori ka postuar një video ku me humor i kërkon kryeministrit ta ndihmojë të gjejë hotelin.
“Edi, nuk mund ta gjej hotelin”, shkruan aktori krahas videos të publikuar në rrjetet sociale.
Ndër të tjera vizitoi dhe fshatin Qytezë të Devollit, vendi i tij i origjinës.
Xhim Belushi theksoi për mediat: “Qyteza është një vend mistik dhe i mrekullueshëm. Nga ky vend i ka rrënjët babai, mamaja dhe të afërmit e mi, ndërsa nëna është nga Bilishti i Korçës. Përshtypjet e mia janë shumë të mira, të gëzueshme, dhe emocionale. Përulem përpara atyre njerëzve. Të diskutoja me ta, ishte sikur të diskutoja me nënën time”.
Sa i takon dokumentarit Belushi nuk dha detaje, por theksoi se nuk ndalet tek e shkuara.
Aktori Xhim Belushi ne Gjirokaster (Shkeputur nga video ne Instagram)
Biografi
Xhim Belushi, lindi më 15 qershor të vitit 1954 në Çikago (Ilinois). Ai është një aktor i kinematografisë amerikane, teatrit dhe televizionit, me origjinë nga Shqipëria.
Fëmijërinë, por edhe rininë i kaloi në Veaton (Ilinois). Ai është fëmija i tretë nga katër fëmijët e Adam dhe Agnes Belushit. Babai i tij, Adami, emigroi në SHBA, duke lënë vendlindjen fshatin Qytezë në vitin 1934 në moshën 15 vjeçare. Ndërsa nëna e tij, Agnes Belushi, lindi në SHBA, bijë e një emigranti shqiptar. Vëllai i tij më i madh ishte John Belushi, po ashtu aktor i famshëm i skenës së Hollivudit.
Belushi studioi në Universitetin e Ilinoisit të quajtur Southern Illinois University Carbondale dhe u specializua në degët e Artit: “Të shprehurit “dhe “Teatri”. Nga viti 1977 deri më 1980, Xhim Belushi punoi me grupin teatror të Çikagos të quajtur “The Second City”. Gjatë kësaj kohe ai u prezantua si debutant në televizion më 1978-ën, në: “Who's watching the Kids” po ashtu kishte disa pjesëza në serinë: Brian De Palma's “The Fury”.
Aktori Xhim Belushi (Foto nga Instagrami personal)
Roli i tij i parë i gjatë ishte në filmin: “Michael Mann's Thief” (1981). Që nga 1983 deri më 1985, shkroi dhe mori pjesë në programin e mbrëmjes së të shtunës, “Saturday Night Live”. Por kulmin e famës së tij, drejt rolit kryesor e arriti me rolet ndihmëse në: “About Last Night” dhe “Salvador” (të dy më 1986). Luajti gjithashtu disa role në filmat: “Real Men” (1987), “The Principal” (1987), “Red Heat” (1988), “K-9” (1989), “Taking Care of Business” (1990), “Mr. Destiny” (1990), “Royce” (1994), “Retroactive” (1997).
Por Xhim Belushi ka punuar gjithashtu edhe për filmat vizatimor. Një ndër sinkronizimet është edhe ai në filmin vizatimor “Geppetto”, një version i filmit artistik “Pinokio”. Në vitin 2001 Xhimi luan në serialin “According to Jim” rolin kryesore me Courtney Thorne-Smith. Është martuar tri herë dhe ka tre fëmijë. Sipas prezantimeve të tij në skenën e shoqërisë amerikane dhe në përgjithësi me intervistat e tij, ai mburret me prejardhjen e tij.
Në një intervistë për ZDF (Radio Televizion Shtetëror Gjerman), ai flet me kënaqësi për vizitën e fundit të tij me të atin në vendlindje. Ai thotë se "kur, isha në vendlindjen e babait, nga të gjitha anët shikoja si në pasqyrë, figurën time, të gjithë më dukeshin të njëjtë si unë". Ndërsa projekti i tij më i ri është dokumentari që po realizon për Shqipërinë, i cili do shfaqet në Discovery Channel.
Përgatiti: Sava Lena