Nomadët digjitalë dhe çfarë kushtesh ofron Shqipëria
2022-10-28 10:39:43


Shqipëria së fundmi është kthyer në një destinacion të preferuar dhe tërheqës për nomadët digjital.Çfarë nënkuptojmë me “nomadë digjitalë”? Flet për këtë ekspertja e ekonomisë Ada Hoxholli

CMG: Çfarë janë nomadët digjitalë  dhe si kryhet puna e tyre?

Ada Hoxholli: Me termin “nomad digjital” do të përkufizojmë njerëzit që përdorin teknologjinë e telekomunikacionit për të fituar jetesën, duke kryer jetën e tyre me udhëtime në vende të ndryshme. Me pak fjalë të gjithë ata profesionistë që mund të punojnë të pavaruar nga të tjërët me anë të mjeteve teknologjikë. Vendi ynë po synon të kthehet në një vend atraktiv për nomadët digjitalë.

Këto lloj punëtorësh zakonisht punojnë në distancë në vende të huaja, kafenetë, bibliotekat publike, hapësira bashkëpunimi etj. Mjeti kryesor i punës së tyre është laptopi apo smartphone gjithmonë i lidhur me wi-fi dhe puna mund të kryhet nga kudo në botë. Për profilin e punës së tyre nuk është ë nevojshme të jesh fizikisht në selinë ose zyrën e kompanisë.

CMG: Cilat janë aftësitë që duhen pasur për të punuar në këtë mënyrë?

Ada Hoxholli: Këto punonjës duhet të zotërojnë aftësi shumë të mira në: të shkruar, marketing digjital, dizajn grafik, programim, krijim, korrigjimi dhe redaktimi, organizim dhe planifikim.

Këto aftësi ndihmojnë për të punuar në fusha si: Përkthim/Interpretim; Mësim online; Korrigjim/Redaktim tekstesh; Shërbim klienti; Menaxher i mediave sociale dhe Grafik Design

 

CMG: Sa e përshtatshme është Shqipëria dhe çfarë i tërheq nomadët digjitalë të zhvendosen në këtë vend?

Ada Hoxholli: Dotë  doja te listoja 8 cilësi pse duhet zgjedhur Shqipëria:

Internet i shpejtë – Shqipëria dhe kryesisht Tirana ofron internet të shpejtë dhe të lirë. Mund të gjenden lehtësisht paketa ekonomike për shtëpitë, plane të mira telefonie dhe internet të shpejtë në shumicën e kafeneve.

Numër shumë të madh kafenesh- Lehtësia e parë që do të gjejë nomadi digjital është se me të paktën 1 euro mund të ketë një kafe ekspres dhe internet për punën. Kafenetë janë në cdo cep të qytetit.

Hapësira bashkëpunimi – Janë krijuar në vend shumë studio, të cilat ofrojnë qira ditore për punë zyre të përfshirë ne të dhe internetin, printeri, skanerin etj . Gjithashtu shumë bar-kafe janë përshtatur më tavolina të mëdha studimi apo pune.

Jetesë e përballueshme dhe e lirë- Nëse do të bënim një llogari të thjeshtë në kryeqytet qiratë e shtëpive per një person mund të variojnë në çmime si 200-300 euro me shpenzimet utilitare 50-100  euro për muaj. Shpenzimet e ushqimeve janë më të lira pasi shumica e produkteve është vendase. Krahasimisht me Europën perëndimore dhe SHBA jetesa në Shqipëri llogaritet si më e lirë.

Kulinari e shkëlqyer – Ushqimet në vend janë shumë të shijshme, cilësore dhe të lira. Gatimet janë pjesë e dietës mesdhetare.

Qytete të bukura detare- Shqipëria ofron shumë qytete të bukura me plazhe rënore apo shkëmbore dhe dete si Adriatiku dhe Joni dhe një klimë perfekte në shumicën e vitit plot më diell.

CMG: Në agjendën digjitale 2022-2026 të prezantuar nga qeveria shqiptare preket dhe të punuarit si nomad digjital, çfarë qëndrimi mban ajo?

Ada Hoxholli: Momentalisht, një i huaj që do të punojë “on remote” në vend ka mundësi ta bëjë, gjithashtu është miratuar edhe një ligj për të huajt që punojnë, por ka specifika të tjera që duhen plotësuar, siç është dhe leja e punës. Në draft agjendën thuhet se: “Zgjerimi i rrjetit digjital dhe fizik dhe fuqizimi i bizneseve është një përparësi në ditët e sotme për vendin tonë, sepse sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e pavarur nga e gjithë bota kanë shumë për të ofruar dhe ne shpresojmë që thjeshtëzimi i procesit për t’u bashkuar me rezidencën elektronike (e-rezidenca) do të inkurajojë më shumë prej tyre që të na zgjedhin ne për të ndihmuar në rritjen e kompanive të tyre.”

CMG: Cilat janë hapat që duhet të marrë një aplikues për të punuar ligjërisht në vendin tonë?

Ada Hoxholli: Që nga 4 shtatori i këtij viti në Shqipëri mund të aplikohet viza për qëndrim të nomadëve digjitalë.

Për momentin, të huajt duhet të aplikojnë për dy leje të veçanta për të jetuar në Shqipëri nëpërmjet Policisë Kufitare dhe Emigracionit dhe Bashkisë. Falë rregullit të ri, aplikantët mund të bëjnë një aplikim të vetëm përmes një procesi më të shpejtë dhe me kosto më të ulët. Nomadët digjitalë mund të aplikojnë për një leje njëvjeçare dhe të kërkojnë një zgjatje për vitin e dytë, më pas pesë vjet dhe në fund një qëndrim të përhershëm.

 

CMG: Cilat janë implikimet tatimore të të qënit nomad digjital?

Ada Hoxholli: Covid ka krijuar një valë të re njerëzish që përqafojnë mundësinë për të punuar nga kudo. Ky fleksibilitet ka krijuar mundësi për njerëzit që të bëjnë të gjithë punën e tyre nëpërmjet një kompjuteri, por solli dhe  disa sfida siç janë mosrespektimi i ligjeve vendore të punësimit deri te detyrimet ndërkombëtare tatimore. Për sa i përket Shqipërisë, në QKB duhet hapur një llogari biznesi pa të punësuar dhe bashkë me të duhen hapur dhe llogari bankare në LEK dhe monedhën e të ardhurave. Nomadi Digjital do të tatohet për të gjitha të ardhurat që gjenerohen në territorin e Shqipërisë. Nivelet e tatimit variojnë në bazë të të ardhurave personale dhe mund të gjenden lehtësisht në faqën e drejtorisë së tatimeve. Gjithashtu ato janë të lirë të zgjerdhin për sigurimet shëndetësorë nëse do duan t’i paguajnë në Shqipëri apo në shtetin e tyre.

Festivali: Tirana Digjital Nomad, çfarë pati në fokus dhe si ndikoi?

Ada Hoxholli: Ekspertë digjitalë nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në Festivalin Digjital Nomad që u mbajt në kryeqytet në 14,15 dhe 16 shtator. Ky event treditor kishte si qëllim shkëmbimin e eksperiencave në fushën e teknologjisë mes profesionistëve, sipërmarrësve, dhe të gjithë të rinjve që aktualisht eksplorojnë botën e punës në distancë, ose duan një punë të tillë.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se qytete si Tirana kanë autenticitetin e tyre dhe për këtë janë kthyer edhe në atraksione për turizmin. Në fjalën e tij u përmend dhe ish- piramida, të cilën do ta shndërrojnë në qendrën më të madhe të teknologjisë në Ballkan. Sipërmarrës dhe pjesë të këtij komuniteti ndanë eksperiencat e tyre disa vjeçare si punonjës digjitalë në vend. Festivali u mbajt në Tumo Center me panele të ndryshme me folës ndërkombëtar.

 

CMG: Çfarë të mirash ekonomike i sjell vendit tonë?

Ada Hoxholli:Mund të rendisim 3 arsye si ndikojnë nomadët digjitalë në vend :

Zhvillon turizmin. Nomadizmi digjital krijon një lloj diversiteti në industri, pasi ndryshe nga turisti mesatar, nomadët digjitalë qëndrojnë për periudha më të gjata dhe gjithashtu kthehen më shpesh. Ekzistenca e komuniteteve të forta nomade digjitale, e cila është thelbësore për këtë mënyrë jetese, do të thotë se rekomandimet shkojnë shumë, duke tërhequr kështu më shumë nomadë në destinacionet. Nomadët digjitalë kërkojnë këshilla, vlerësime ose reagime rreth një destinacioni përpara se të vendosin për të dhe zakonisht pyesin nomadët e tjerë. Kjo do të thotë më shumë vende pune për vendasit në hoteleri, restorante, aventura, qira dhe shumë sektorë të tjerë. Shpenzime në produkte dhe shërbime lokale. Shpenzimet e tyre forcojnë ekonominë vendase. Ato nxisin zhvillimin kulturor dhe talentin lokal. Imagjinoni si një vend që ju pret qindra nomadë digjitalë që kanë një gamë të gjerë ekspertize në sektorë të ndryshëm, ata vijnë nga prejardhje dhe industri të ndryshme.

CMG: Çfarë mbetet akoma për t’u rregulluar në kushtet që ne ofrojmë?

Ada Hoxholli: Qeveria shqiptare po ndjek tendencën globale drejt vizave të punës dhe punëtorëve në distancë. Megjithatë, ka disa rregullime që duhen bërë: Bankat shqiptare kërkojnë një leje qëndrimi përpara se të hapin një llogari, duke e bërë të vështirë marrjen e të gjitha kërkesave për viza..

Kushdo që banon në Shqipëri dhe punon brenda ose jashtë vendit është i detyruar të paguajë tatimin në vend. Procesi për ta bërë këtë është tepër kompleks dhe përfshin shkuarjen në Qendrën Kombëtare të Biznesit (ku flasin shqip), pagimin e një tarife, regjistrimin dhe më pas kalimin në një proces fiskalizimi.