Dërgesat globale të televizorëve mini LED pritet të arrijnë në 3.7 milionë njësi këtë vit, një rritje prej 135 për qind nga viti në vit dhe kjo shifër do të rritet në 9 milionë njësi në 2025-n.
Prodhuesit kryesorë të paneleve dhe pajisjeve shtëpiake po marshojnë në hapësirën mini LED për të rritur konkurrencën në segmentin e televizorit të nivelit të lartë dhe për të përmirësuar përfitimet e tyre mes presionit në rritje nga teprica në sektorin e paneleve, sipas ekspertëve të fushës.
Prodhuesit kinezë dhe bumi i teknologjisë së ekranit
Prodhuesit kinezë të ekraneve dhe pajisjeve shtëpiake po përmirësojnë paraprakisht teknologjitë e ekranit gjysmëpërçues të gjeneratës së ardhshme, që kanë potencial të madh aplikimi në ekranet komerciale me përmasa të mëdha, pajisjet e montuara në automjete si dhe realitetin virtual dhe atë të shtuar, sipas ekspertëve të industrisë.
Prodhuesi i televizorëve “Konka Group Co Ltd” njoftoi se parku i tij industrial optoelektronik gjysmëpërçues në Chongqing ka filluar zyrtarisht funksionimin, me disa mikro dioda që lëshojnë dritë dhe linja montimi mini LED që kanë filluar prodhimin.
Li Hongtao, kryetar i Institutit Konka të Kërkimeve të Teknologjisë Optoelektronike, tha se kompania do të promovojë inovacionin shkencor dhe teknologjik, do të forcojë bashkëpunimin me ndërmarrjet në të gjitha segmentet e zinxhirëve industrialë dhe do të ndërtojë një ekosistem të industrisë së ekranit të gjeneratës së re që mbulon kërkimin dhe zhvillimin, prodhimin dhe aplikimet.
Kompania me bazë në Shenzhen të provincës Guangdong ka investuar shumë në sektorin e ekranit gjysmëpërçues - një nga industritë strategjike në zhvillim të vendit - dhe ka rritur investimet në kërkim – zhvillim, në teknologjitë e ekranit mikro LED dhe mini LED.
Funksionimi i parkut të ri industrial optoelektronik gjysmëpërçues është i favorshëm për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e zinxhirit industrial dhe të furnizimit, arritjen e vetëbesimit në shkencë dhe teknologji dhe fitimin e një avantazhi konkurrues në industrinë globale të ekranit gjysmëpërçues të gjeneratës së re, thanë ekspertët.
Në vitin 2019, “Konka” njoftoi planet për të investuar 1.5 miliardë juanë (207.6 milionë dollarë) për të krijuar një institut kërkimi mikro LED me “Chongqing Liangshan Industrial Investment Co Ltd” për kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe shitjet e mikro LED-it.
Kompania dhe Platforma e Investimeve e distriktit Bishan themeluan bashkërisht Fondin e Investimeve të Industrisë Gjysmëpërçuese Kangxin në 2020-n për të investuar në materiale të reja gjysmëpërçuese, pajisje, çipe, modele të qarkut të integruar, paketim dhe testim.
Krahasuar me ekranin me kristal të lëngshëm dhe teknologjinë organike të diodës që lëshon dritë, teknologjia e ekranit mikro LED ka një kohë reagimi shumë të shpejtë, shkëlqim të lartë, kënde të gjera shikimi dhe jetëgjatësi më të madhe. Mini LED-et konsiderohen LED në intervalin milimetrik, ndërsa mikro LED-et janë në diapazonin e mikrometrit.
Sipas një raporti nga “LEDinside”, një institut kërkimor i firmës kërkimore teknologjike “TrendForce”, vlera e tregut global për mikro LED dhe mini LED parashikohet të arrijë në 1.38 miliardë dollarë deri në fund të këtij viti.
Sun Jian, një analist i lartë nga departamenti i televizorëve në kompaninë e kërkimit të tregut “Sigmaintell Consulting”, tha: "Prodhuesit kryesorë të paneleve dhe pajisjeve shtëpiake kanë marshuar në hapësirën mini LED për të rritur konkurrencën në segmentin e televizorit të nivelit të lartë dhe për të përmirësuar përfitimin e tyre mes presionit në rritje nga teprica në sektorin e paneleve".
Sun tha se dërgesat globale të televizorëve mini LED pritet të arrijnë në 3.7 milionë njësi këtë vit, një rritje prej 135 për qind nga viti në vit dhe kjo shifër do të rritet në 9 milionë njësi në 2025-n.
Mikro LED-et kanë aplikime të gjera në ekranet komerciale me përmasa të mëdha, por ato ende kërkojnë më shumë kohë për të arritur prodhimin masiv, shtoi Sun.
Roger Chu, drejtor i kërkimit në “LEDinside”, tha se mikro LED gëzojnë shumë potencial dhe mund të gjejnë shumë aplikime, duke përfshirë pajisjet e realitetit virtual, projeksionet e realitetit të shtuar, sensorët optikë dhe njohjen e gjurmëve të gishtërinjve.
Këtë vit, vëllimi i transaksioneve të produkteve të ekranit të gjeneratës së re, duke përfshirë mini LED, lazer, OLED dhe televizorë 8K, dëshmoi rritje të fuqishme, tha Jie Meijuan, menaxher i përgjithshëm i departamentit të elektronikës së konsumit në “All View Cloud”, një kompani konsulence me bazë në Pekin, e specializuar në sektorin e pajisjeve shtëpiake.
Prodhuesit e televizorëve po i kushtojnë më shumë rëndësi vlerës së shtuar të produkteve dhe shfrytëzojnë teknologjitë inovative të ekranit për të lançuar produkte premium, tha Jie, duke shtuar se inovacioni teknologjik është bërë një forcë e rëndësishme, që forcon zhvillimin më të lartë dhe më të zgjuar të industrisë së televizorëve.