Ministria e Mbrojtjes e Kinës i kërkon ShBA-së të ndalojë lojën me zjarrin mbi çështjen e Tajvanit
2022-10-27 20:57:21

Raportohet se Senati i ShBA-së po diskuton "Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare" për vitin fiskal 2023, ku mund të përfshihet edhe pjesa e “Projektligjit të politikave ndaj Tajvanit 2022” që u miratua në shtator nga Komisioni i Punëve të Jashtme i Senatit. Për këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Kinës Tan Kefei tha se çështja e Tajvanit është punë e brendshme e Kinës dhe Pekini kundërshton me vendosmëri kontaktet ushtarake ndërmjet ShBA-së e Tajvanit. 

Zëdhënësi tha se kohët e fundit, ShBA-ja ka hartuar vazhdimisht projektligje e politika të lidhura me çështjen e Tajvanit që dëmtojnë sovranitetin e Kinës, duke u përpjekur të “kontrollojë Kinën nëpërmjet Tajvanit”. Sidomos disa klauzola synojnë forcimin e kontakteve ushtarake midis ShBA-së dhe Tajvanit, duke mbështetur të ashtuquajturën “vetëmbrojtje të Tajvanit”. Këto veprime ndërhyjnë seriozisht në punët e brendshme të Kinës dhe shkelin rëndë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta midis Kinës dhe ShBA-së, si edhe angazhimet politike serioze të ShBA-së ndaj Kinës mbi çështjen e Tajvanit. ShBA-ja është një vend që e di se “një familje e ndarë nuk mund të zgjasë” dhe ka përdorur forcën për të ruajtur unitetin e vet, ka shkelur besimin dhe ka bërë veprime të këqija në çështje që kanë lidhje me sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të vendeve të tjera. Ky është një "standard i dyfishtë" tipik. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë dhe ka bërë demarsh pranë palës amerikane, u shpreh zëdhënësi. (Li Huailiang/Artan)