Në një punishte përpunimi të mishit të shpendëve të një ndërmarrjeje ushqimore në Qingdao të provincës Shangdong, punonjësit po prodhojnë një seri produktesh të sapoporositura. Kjo porosi për produkte mishi pule prej afro 2000 tonësh është nga dyqanet e komoditetit dhe restorantet.
Li Wei, menaxheri i departamentit të eksportit të kësaj ndërmarrjeje ushqimore, thotë:
"Nga janari deri në shtatorin e këtij viti, porositë janë rritur 10 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Eksporti i mishit të pulës dhe produkteve përkatëse arriti në 42 mijë tonë."
nga VCG
Në një qytet tjetër të provincës Shangdong, Weifang, punonjësit e një ndërmarrjeje të eksportit të ushqimeve po ngarkojnë 620 tonë produkte të mishit të pulës të gatuara dhe të ngrira për t'i eksportuar në Japoni.
Zv.menaxheri i përgjithshëm i kësaj ndërmarrjeje Sui Haibing thotë:
"Tani po punojmë lidhur me porosi prej mbi 5000 tonësh. Plani i prodhimit është hartuar për periudhën deri në janar të vitit tjetër."
Sipas të dhënave statistikore, në tetë muajt e parë të këtij viti, vlera e përgjithshme e mishit të pulës dhe e produkteve përkatëse të eksportuara nga provinca Shangdong arriti në 3.86 miliardë juanë, 53.4 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Zëdhënësi i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës dhe sekretari i përgjithshëm i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë të Kinës Sun Xiao vëren:
"Efektet e paketës së politikave të ndryshme për stabilizimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e tregtisë së jashtme filluan të shfaqen në mënyrë të përqendruar në tremujorin e tretë. Besimi dhe shpresat e ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme janë shtuar dukshëm dhe ato kanë treguar qëndrueshmëri të fortë."
Të dhënat tregojnë gjithashtu që, nga janari deri në shtator të këtij viti, vlera e përgjithshme e import-eksportit të Kinës arriti në 31.11 trilionë juanë, 9.9 % më shumë se në nëntë muajt e parë të vjetshëm. Ndër to, vlera e eksportit u shtua afro 14 % dhe e importit mbi 5%.
nga VCG
Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës publikoi "Raportin e sondazhit për gjendjen e tregtisë së jashtme në tremujorin e 3-të", sipas të cilit 45.1 % e ndërmarrjeve të tregtisë së jashtme kanë shprehur besimin se zhvillimi i tregtisë së jashtme është rimëkëmbur gradualisht, ndërsa 30.31 % parashikojnë rritje të vlerës të tregtisë gjatë tërë vitit në krahasim me vjet.
Zëdhënësi i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës dhe sekretari i përgjithshëm i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë të Kinës Sun Xiao tha:
"Ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha mbajnë qëndrim më optimist për gjendjen e tregtisë së jashtme në tërë vitin, ndërsa, megjithëse pritshmëritë e ndërmarrjeve të vogla e të mikrondërmarrjeve janë relativisht të ulëta, edhe ato janë përmirësuar dukshëm në krahasim me tremujorin e dytë."
nga VCG
Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, në tre tremujorët e parë të këtij viti, produkti i brendshëm bruto (PBB) u shtua me 3 %, ndër të cilat rritja e PPB-së në tremujorin e 3-të u shpejtua dukshëm. Kjo tregon se ekonomia kineze i ka kapërcyer ndikimet negative të shkaktuara nga epidemia në tremujorin e dytë, duke shfaqur qëndrueshmëri relativisht të fortë.
Ndër treguesit e ndryshëm ekonomikë, investimet në infrastrukturë e në prodhimin me teknologji të lartë dhe prodhimi industrial patën rezultate më të mira. Për shembull, në sektorin e automjeteve me energji të re, vëllimi i prodhimit të këtyre automjeteve u shtua 112.5 % në krahasim me nëntë muajt të parë të vjetshëm.
Nënkryetari ekzekutiv i Shoqatës të Prodhuesve të Automjeteve të Kinës Fu Bingfeng vuri në dukje:
"Qysh nga ky vit, sektori i automjeteve me energji të re ka ruajtur prirjen e rritjes së shpejtë. Nga janari deri në shtator, pjesa e tregut e automjeteve me energji të re arriti në 23.5 %, me një rritje të fortë dhe të qëndrueshme. Në shtator, sasia e prodhimit dhe e shitjes së automjeteve me energji të re i kaloi 700 mijë njësitë, duke shënuar një rekord të ri historik."
Automjetet kineze me energji të re janë mirëpritur shumë edhe jashtë vendit. Nga janari deri në shtatorin e sivjetshëm, Kina eksportoi 389 mijë automjete të tilla, mbi 100 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
nga VCG
Ish-zv.kryeministri i Polonisë Janusz Piechociński tha:
"Në tre vjetët e fundit, megjithëse nën ndikimin e epidemisë së COVID-19, vlera e shtuar e sektorit të prodhimit në Kinë zuri afro 30 % të totalit botëror. Është për t'u admiruar që Kina po bëhet një vend i fuqishëm në fushën e teknologjisë së re dhe ka arritur përparim të madh në sektorët e hapësirës ajrore, teknologjisë së informacionit dhe fusha të tjera të modernizimit." (Xu Guang)