Balluku: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë, as kufizime
2022-10-27 09:41:41

Foto: ATSH

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, siguroi se çmimi i energjisë elektrike për qytetarët shqiptarë nuk do të rritet dhe nuk do të ketë as kufizime të energjisë. Gjatë një takimi me administratorët e energjisë, në kuadër të planit të masave për kursim, Balluku u shpreh se një ndër shkaqet pse Shqipëria ka ruajtur nivelin më të ulët të inflacionit në Ballkan, është pikërisht për shkak të mburojës energjetike që u ka dhënë familjarëve, duke mos i ekspozuar përballë çmimeve të çmendura, citon “ATSH”.

Sa i përket fashës 800 kilovat, zëvendëskryeministrja tha se është e studiuar nga analistët se cili është konsumi i nevojshëm për një familje mesatare me 4-5 pjesëtarë, duke marrë parasysh aktivitetet familjare që kryhen, duke pasur parasysh edhe masat e eficencës.

“Ne kemi synim të mbrojmë abonentët me çdo kusht. Rritja e prurjeve nga reshjet në shtator dhe ulja e konsumit bëri që të mos aplikohej fasha”,- tha Balluku.

Ministrja apeloi drejtuesit e institucioneve shtetërore të kursejnë energjinë, teksa kujtoi se në aktin normativ të miratuar nga qeveria do të ketë edhe penalitete.

Sipas zv.kryeministres, në Shqipëri prodhohet në vitet më të mira hidrike 70% e energjisë së nevojshme, pjesa tjetër importohet. (Elona)