Ejnxhi Pepa Linja e këshillimit për gra dhe vajza si u krijua dhe si funksionon
2022-10-27 14:20:37


Ejnxhi Pepa 

Linja parë e “Këshillimit për Gra dhe Vajza” të dhunuara në Shqipëri u hap në vitin 1996. Në linjë ofrohet këshillim telefonik si dhe këshillim ballë për ballë për qindra gra çdo vit. Linja ju ofron këshillim psikologjik dhe ligjor falas, me qellim fuqizimin dhe mbështetjen e grave që janë viktima të dhunës. Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ka si misionin e saj emancipimin shoqëror të grave dhe vajzave, si dhe promovimin e të drejtave të njeriut për të garantuar barazinë shoqërore, ekonomike dhe politike mes grave dhe burrave në Shqipëri.  Gjithashtu, ka si vizion të sajin një vend pa dhunë dhe me barazi gjinore, ku gratë dhe vajzat kanë hapësira dhe mundësi të barabarta me burrat dhe djemtë. Ejnxhi Pepa, pasi përfundoi ciklin e studimeve në Angli dhe Holandë mori vendimin që të punojnë në këtë linjë. Ajo rrëfen për Grupin Mediatik të Kinës se çfarë është kjo linjë, si funksionon dhe si operohet çdo ditë .

Ejnxhi Pepa 

CMG: Si e morët vendimin për të dhënë një kontribut pranë kësaj linje?

Ejnxhi Pepa: Ai moment nuk ka qenë fort i lehtë, por ka qenë shumë i dëshiruar. Për mua është një profesion qe më jep çdo ditë kënaqësi. Unë u ktheva nga një realitet, i cili ishte shumë herë më ndryshe se Shqipëria ndaj më është dashur të punoj në këtë linjë për të kuptuar fatkeqësisht realitetin në të cilin jetojmë.
Kjo linjë më ka ofruar një ambient shumë mbështetës dhe më ka dhënë mundësinë qe të ofroj dhe unë ndihmë në vendin tim apo që të nxis gjërat për t'u bërë edhe më mirë.

Ejnxhi Pepa 

CMG: Ti vetë je rritur me frymën e lirisë ?

Ejnxhi Pepa: Familja ime ka qenë gjithmonë e dominuar nga gratë . Unë jam rritur me gjyshen,  e cila më njihte edhe me shoqet e saj të cilat edhe ato kishin mendësi shumë të hapur dhe të bukur. Ne që të vogla jemi mësuar të kemi lirinë tonë të fjalës.
Kemi qenë përherë gra që ndikonim në marrjen e vendimeve.
Gjyshja ime ka qenë ajo që më ka ndihmuar të bëj hapat e mia në jetë .

CMG: Cilat kanë qenë ëndrrat e tua dhe i ke plotësuar sot ?

Ejnxhi Pepa : Kur isha e vogël në fakt unë ëndërroja të isha një vajzë, e cila do të bëhej balerinë por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. Nuk pendohem, jam e lumtur edhe kështu. . Të punosh me njerëz dhe për njerëz është e mrekullueshme dhe unë arrij që të marr emocion të madh . Futem në botën e grave dhe vajzave dhe shoh ku qëndron problemi dhe arritja më e madhe pastaj është që gjejmë edhe zgjidhje.

Linja e keshillimit per gra dhe vajza

CMG: A je produkt i fatit apo punës ?

Ejnxhi Pepa: Fati të vjen në jetë absolutisht që shumë gjëra lidhen me fatin, por jo gjithçka. E rëndesishme është të punosh dhe të ndërtosh eksperienca gjë që unë e kam bërë. Mendoj që në çdo eksperiencë që kam ndërtuar ka qenë një burim informacioni dhe mua më ka ndihmuar shumë që të rritem qoftë vetë apo qoftë në karrierën time .

Linja e keshillimit per gra dhe vajza

CMG: Kur u themelua linja e këshillimit për vajzat dhe gratë?

Ejnxhi Pepa: Linja është themeluar në vitin 1996 dhe është një ndër linjat më të vjetra. U themelua pas një ankete qe është bërë në 1992 nga e cila na rezultoi se më shumë se 85% e grave dhe vajzave në Shqipëri kishin përjetuar dhunë. Nën ndikimin e këtyre shifrave tepër të mëdha dhe alarmante ne ngritëm një organizatë tek e cila mund të gjenin mbështetje shumë vajza dhe gra. Qëndra ka dhënë përherë shërbime dhe ndihma për këtë kategori dhe linja ka qenë e hapur që në 1996.
CMG: Çfarë ka ndryshuar nga viti në vit ?

Ejnxhi Pepa: Në vitin 2016 u kërkua që kjo linjë të kthehet në një linjë kombëtare me një numër 116 117. Numri funksionon 24-ore. Në këtë linjë mund të marrësh pagesë pra edhe nëse nuk ke kredit në telefon dhe e gjen veten përballë një stafi të përkushtuar të cilët të japin zgjidhje. Nga psikologu deri tek psikiatri është e rëndësishme t'i përmend sepse për çdo grua që e lexon mund të ketë nevojë për shërbim .

Linja e keshillimit per gra dhe vajza

CMG: A ka shumë raste të raportuara?

Ejnxhi Pepa: Me rastin e pandemisë të gjitha rastet u trefishuan. Duke qenë që gratë ishin më të izoluara ato ranë preh e dhunës. Gjatë kësaj kohe ne kemi pasur rreth 6-mije telefonata, ndërsa në vitet e mëparshme mund të ishin 2 mijë telefonata në vit. Ndërsa në ditë numri i atyre që marrin dhe kanë hasur një rast dhune shkon deri në 35 persona.

CMG: Shoqëria është e sensibilizuar për të raportuar dhunën?

Ejnxhi Pepa: Jo gjithmonë, por nga viti në vit ka përmirësim të ndjeshëm dhe kjo është për t'u vlerësuar. Ka komshinj që raportojnë dhunën dhe për këtë më vjen mirë nuk është e drejtë që të shohim një rast dhune dhe të heshtim.
Sa vjen dhe ka më shumë gra që marrin në telefon edhe vetë dhe na vjen mirë sepse nuk kanë më frikë por përballen me problemin. Ka shumë vajza të reja që marrin dhe raportojnë dhunën dhe kjo na bën të ndihemi mirë.
CMG: Si zgjidhet një rast dhune?

Ejnxhi Pepa: Jo të gjitha rastet e dhunës zgjidhen sepse na vjen keq ta themi por shumë gra kthehen sërish tek dhunuesi, por nuk duhet të jemi demoralizues. Dhuna ka filluar të shihet si fenomen social dhe në këtë kontekst ajo po merr karakter për t'u zgjidhur me hapa më të shpejtë.



Intervistoi Megi Latifi