Manastirliu: Për nënat me mbi 3 fëmijë, 5 vite sigurime të paguara
2022-10-27 11:34:02

Foto: RTSH

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi se nga viti i ardhshëm do të mundësohet njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për gratë që kanë 3 fëmijë e më shumë, për 5 vitet e rritjes së fëmijës që do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja tha se qëllimi është mbështetja e grave që kanë më shumë se 3 fëmijë dhe janë të papuna, citon “RTSH”.

“Në këtë mënyrë kemi vendosur që me buxhetin 2023 të mbështesim këtë kategori. Do të kemi një kategorizim, janë ato gra që kanë 3 dhe më shumë fëmijë, një prej të cilëve është deri në 5 vjeç dhe të ardhurat nuk kalojnë 100 mijë lekë. Kjo politikë sociale synon të njohë si vite pune periudhën e kujdesit të fëmijës në 5 vitet e para. Do të mundësohet nga viti tjetër njohja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për 5 vitet e rritjes së fëmijës dhe do të mbulohet nga buxheti i shtetit në vlerën prej 600 milionë lekë”,- tha Manastirliu.

Një tjetër vendim i miratuar në Këshillin e Ministrave ka të bëjë me shëndetin publik. Manastirliu theksoi se nga 27 tetori do të mundësohet vaksinimi kundër gripit për grupmoshat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. (Elona)