INSTAT: Mbi 6.4 milionë të huaj vizituan Shqipërinë
2022-10-27 14:24:05

Foto: ATSH

6.4 milionë shtetas të huaj vizituan Shqipërinë në nëntëmujorin janar-shtator të këtij viti, duke shënuar rritje me 31.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave.

Nga këta shtetas, 6 milionë kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre ishte për pushime dhe vizitë te të afërm.

Përgjatë nëntë muajve të 2022-shit, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4 herë dhe Anglia me 2 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rritjen më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vetëm gjatë muajit shtator, referuar të dhënave të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar ishin 1.2 milionë. Ky tregues rezulton me një rritje 52.2%, krahasuar me shtatorin e 2021-shit.

Në shtator të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 761.544. Ky numër është rritur me 54.1%, krahasuar me shtatorin e 2021-shit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave tregojnë se shpenzimet e të huajve në Shqipëri, në 6 muajt e parë të vitit arritën në 1.13 miliardë euro, me një rritje prej 64% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi vuante ende pasojat e pandemisë. (Elona)