Një punonjës po rregullon një robot për mirëmbajtjen e rrjetit elektronik/ foto nga Xinhua
Kina ka ndjekur një rrugë të veçantë të një sistemi të hapur kombëtar inovacioni gjatë dekadës së fundit, i cili i ka dhënë një shtysë të re zhvillimit të saj ekonomik, duke vendosur një shembull për vendet e tjera, tha një studiuese me bazë në Oksford.
“Kjo qasje vjen si një kombinim i veprimeve të shtetit dhe tregut për të nxitur inovacionin dhe ka integruar vendin në sistemin global të inovacionit”,- tha Fu Xiaolan, themeluese dhe drejtoreshë e Qendrës së Teknologjisë dhe Menaxhimit për Zhvillim në Universitetin e Oksfordit, gjatë një interviste për “Xinhua”.
Sipas sistemit me karakteristika kineze që përmban drejtues të dyfishtë, tregje të dyfishtë dhe burime të dyfishta, Kina ka pasur akses në tregjet, njohuritë dhe burimet si vendase ashtu edhe ato të huaja, tha Fu.
“Oxford Handbook of China Innovation”, një libër i bashkedituar nga Fu, që shpjegon dhe analizon zhvillimin e inovacionit të Kinës dhe perspektivat e saj, u lançua në korrik.
Në libër, më shumë se 60 ekspertë në mbarë botën ofruan perspektivat e tyre mbi zhvillimin e inovacionit të Kinës duke u fokusuar në diskutimin e politikave dhe pikëpamjet mbi përparimin e mëtejshëm për t'u bërë lider në inovacionin global.
foto nga VCG
Rritja e investimeve dhe bashkëpunimit në inovacion
Sipas Fu, Kina në dekadën e kaluar pati një rritje të konsiderueshme të investimeve në inovacion dhe fuqizimin e kapaciteteve për inovacion të pavarur, së bashku me bashkëpunimin proaktiv ndërkombëtar të inovacionit të shënuar nga bashkëpunimi ndërkombëtar në kërkimin dhe zhvillimin, ngritja e qendrave të kërkimit dhe zhvillimit jashtë shtetit dhe lëvizshmëria e talenteve.
Gjatë kësaj periudhe kohore, shtoi ajo, janë shfaqur disa modele inovacioni me karakteristika kineze, të tilla si inovacioni i kursimit të energjisë, i cili jo vetëm redukton kostot e prodhimit dhe i bën produktet dhe shërbimet inovative të disponueshme për më shumë familje me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por kursen edhe lëndët e para dhe investimet, duke plotësuar nevojën për zhvillim të qëndrueshëm.
Krahas zhvillimit të inovacionit të Kinës, kompanitë kineze kanë lëvizur gjithashtu në zinxhirin global të vlerës, tha Fu. Sipas saj, disa kompani kineze i janë bashkuar zinxhirit të vlerës globale për më shumë risi dhe inovacion, ndërsa disa ndërmarrje shumëkombëshe kineze tashmë po udhëheqin inovacionin përgjatë zinxhirit të vlerës globale.
Si rezultat, u bënë përparime në shumë industri dhe fusha të inovacionit, si inovacioni digjital, i cili ka ndihmuar në rritjen e ekonomisë digjitale të Kinës në nivelin më të lartë në botë, vuri në dukje Fu. Për më tepër, fusha si inteligjenca artificiale, hapësira ajrore, eksplorimi në det të thellë dhe energjia e re kanë pasur të gjitha arritje mbresëlënëse, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, shtoi ajo.
foto nga VCG
Arsyet për përparim të jashtëzakonshëm
Duke folur për arsyet e një progresi të tillë, studiuesja ia atribuoi atë pjesërisht faktit se Kina ka qenë vazhdimisht duke eksploruar një model inovacioni që i përshtatet nevojave të vendit. “Qeveria kineze ka vazhduar të prezantojë politika të reja inovacioni dhe t'i përmirësojë ato, duke avancuar me reformat dhe duke inkurajuar përpjekjet për të eksploruar modele të ndryshme inovacioni”,- tha Fu.
Gjithashtu në Kinë ka pasur ndërgjegjësim më të thellë të publikut për rëndësinë e inovacionit në vitet e kaluara. “Me zhvillimin e vazhdueshëm të ekonomisë kineze, të shkencës dhe teknologjisë botërore, si dhe ndryshimet në situatën ndërkombëtare, ndërgjegjësimi ka zënë rrënjë në mendjet e qeverisë, ndërmarrjeve dhe publikut”,- tha Fu.
Së fundi, sipas saj, ekosistemi i inovacionit të Kinës ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit, pasi investimet në Kërkim dhe Zhvillim kanë vazhduar të rriten.
Kina ka dhënë shembull edhe për vendet e tjera. “Duke shfaqur drejtues të dyfishtë, tregje të dyfishta dhe burime të dyfishta, sistemi fton të gjithë llojet e lojtarëve të tregut, qoftë shtetërorë, privatë apo të huaj, të luajnë një rol në këtë aspekt. Kjo është përvoja nga e cila mund të mësojnë vendet e tjera në zhvillim”,- tha Fu.
Inovacioni kërkon kohë dhe durim, por Kina tashmë është në rrugën e duhur drejt inovacionit, tha Fu. Siç u tregua në Indeksin Global të Inovacionit 2021 të publikuar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, Kina është ngjitur në vendin e 12-të globalisht në inovacion.
“Duke vazhduar të ecë përgjatë rrugës aktuale dhe duke përmirësuar vazhdimisht mjedisin dhe mekanizmin e saj të inovacionit, Kina patjetër do të bëhet një fuqi inovative”, tha ajo.