Panairi i lëkurës dhe tekstilit. Sfidë, mungesa e fuqisë punëtore
2022-10-27 10:24:16

Kompani  nga vende të ndryshme të rajonit dhe nga Europa  janë bërë bashkë në edicionin e tretë të Panairit të Lëkurës dhe Tekstilit në Expocity Albania. Subjektet pjesmarrëse ishin nga  Shqipëria, Kosova, Italia, Turqia, Gjermania, Anglia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Aulona Hoxha(Foto Klan TV)

Ky organizim kishte si synim kryesor mbështetjen e biznesit si dhe bashkëpunimin maksimal midis kompanive në rajon dhe jo vetëm.

Në një intervistë për mediat Drejtoresha ekzekutive e “Expocity Albania” Aulona Hoxha u shpreh se sektori i tekstilit ka nevojë për vëmendjen maksimale dhe  ky panair ka hapur shumë rrugë të reja.

“Ishte një panair përsëritës, edicioni i tretë në ExpoCity dhe ne kemi patur një audiencë të huaj dhe shqiptare gjatë atyre ditëve, të cilët u janë drejtuar stendave të ekspozuesve dhe kanë kryer marrëveshje biznesi gjatë atyre ditëve. Për aq kohë sa kam konfirmim nga bizneset pjesëmarrëse që kanë kryer marrëveshje biznesi gjatë ditëve të panairit unë jam shumë e lumtur pasi them që i kemi realizuar synimet që kishim. Patjetër që disa marrëveshje biznesi i kanë direkt kontaktimet ose përfundimet gjatë panairit, por të tjera pjesë që më sjellin feedback në ditët në vijim sepse duan pak kohë që të shtrihen. Rumunët, serbët dhe maqedonasit që kanë qenë prezentë kanë patur bashkëpunim me bizneset shqiptare qoftë për furnizim me lëndë të para, qoftë veshjet e përfunduara që punohen nga bizneset tona në Shqipëri.”- tha  Hoxha.

Panairi vjen pas krizave të njëpasnjëshme që pësoi ky sektor dhe sot përballë sfidës së rritjes së kostove të punës.

“Në 2019 është mbajtur ky panair. Ka qenë me interes pasi tashmë dhe të rinjtë po shikojnë mundësi për të hapur një biznes të ri në këtë fushë. Duhet të informohen dhe panairet janë një mënyrë shumë e mirë për t’u informuar rreth biznesit që duan të hapin, furnitorëve që duan të kontaktojnë dhe brandeve që duan të përfaqësojnë.”, shtoi ajo

Risi e këtij panairi ka qënë hapësira për të rinjtë dhe promovimi i tyre për të qënë përballë varianteve të punësimit.

“Krahas marrëveshjeve të biznesit ne promovojmë dhe të rinjë me qëllim që të zgjedhim sado pak problemin e punësimit që ekziston në këtë sektor. Të rinjtë kanë performuar me veshjet që kanë stiluar vetë nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe gjithashtu kemi organizuar dhe një konkurs për të rinjtë që skicojnë më bukur ku janë shpërndarë dhe çmime të para, të dyta dhe të treta për fituesit. Kjo i motivon dhe ata identifikohen nga bizneset pjesëmarrëse që ishin juri të cilët vlerësonin me syrin kritik punimet e të rinjve.”- u shpreh Hoxha.

Tekstilet dhe këpucët janë sektori më i madh eksportues në vend, me rreth 27% të totalit të eksporteve për periudhën janar-gusht si dhe janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Emanuela Hykollari, Drejtuesja e Projektit të Panairit Ndërkombëtar të Tekstileve dhe Lëkurës tha se mungesa e fuqisë punëtore është një nga sfidat më të mëdha te bisneseve fason dhe atyre prodhuese.“Fakti që ne jemi organizatorë të panaireve ndërkombëtare sektoriale na jep mundësinë që të shkojmë përtej synimit kryesor të realizimit të një eventi të tillë bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe ne i japim mundësi bizneseve të sektorit të bëhen bashkë dhe të trajtojnë ato problematika që ata i ndeshin në mënyrë të përbashkët. Problematikat që ka sot sektori janë mbështetja që u jepet nga institucionet shtetërore që lidhen me sektorin, por edhe çeshtja e punësimit. Punësimi është një nga çeshtjet më të nxehta dhe problematikat më të mëdha. Aktualisht sektori ka rreth 25’000 vende të lira pune që kanë nevojë që të plotësohen dhe aty konkluzioni i gjithë kësaj ishte që duhet të kemi një lloj bashkëpunimi më të madh ndërmjet biznesit dhe të rinjve. Nga ana tjetër rolin kryesor ngado që të shkojmë duhet ta luajë qeveria.”-  thekson Hykollari.

Emanuela  Hykollari(Foto Klan TV)

Ballafaqimi i institucioneve për të zgjidhur ngërcet e këtij sektori ka qenë në fokus të panairit.

“Janë tre hallka kyçe dhe të vetmet, nuk ka të tjerë përveç këtyre që të kemi një mbarëvajtje të gjithë gjësë dhe nëse në të përditshmen dikush nga këto mund të mungojë ose të bëjë sikur nuk dëgjon aty përplasen me njëri-tjetrin dhe e gjen gjëja fajtorin.”

Si një vend që bën bashkë bizneset, “Expo City” do të vazhdojë të organizojë panaire të tjera me sektorë të rëndësishëm në vend,

“Expo organizon 12 panaire sektoriale në kohë normale, pavarësisht se ne kemi filluar në kushte të vështira pas pandemie. Në vijim na presin Panairi i Ndërtimit dhe Panairi i Agros, të cilët do të zhvillohen në tetor dhe në nëntor përkatësisht. Kemi filluar pas pandemisë që në prill jemi lejuar të fillojmë grumbullimet kështu që unë e konsideroj mjaft të suksesshëm realizimin e temave kryesore që kemi prekur në kaq pak kohë, pasi për vitin që vjen ne kemi 12 panaire të planifikuara për çdo sektor të ekonomisë që t’i japim vëmendjen e duhur.”- shton Hoxha.

Subjektet që operojnë në fushën e fason dhe prodhimtari thonë se kanë nevojë edhe për afro 25000 punonjë. “Expocity Albania” është kthyer në  qendrën më të  madhe të organizimit të panaireve ndërkombëtare në rajon dhe prej vitesh vendos në qendër të vëmendjes çdo sektor në Shqipëri.