BSH për amnistinë: Kosto dhe përfitime në funksion të frmalizimit të ekonomisë
2022-10-26 09:40:44

Edhe Banka Qëndrore tashmë ka një qëndrim për Amnistinë Fiskale, nismën për të cilën vijojnë konsultimet. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në raportimin periodik për stabilitetin financiar tha se  “Pavarësisht nga drafti specifik, i cili është akoma duke u parë në esencë, Banka e Shqipërisë e shikon amnistinë fiskale me kosto dhe përfitime. Banka thekson se duhet shmangur rreziku i pastrimit të parasë në këtë amnisti fiskale, njëkohësisht dhe paratë që mund të vijnë nga kriminaliteti dhe korrupsioni”.

Amnistia fiskale (Foto Lexo.al)

Amnistia fiskale (Foto Lexo.al)

Më tej guvernatori shtoi se: “ Në radhë të parë, ne e shohim amnistinë në funksion të formalizimit të ekonomisë. Banka qendrore ka si objektiv rritjen e përfshirjes financiare, futjen e parasë jashtë sistemit bankar në sistem, formalizimin e ekonomisë dhe në këtë kontekst edukimin financiar pikërisht si ndihmesë për të rritur përfshirjen financiare dhe formalizimin në drejtim të financave. Amnistia fiskale sigurisht që do të kishte impakt pozitiv në këtë drejtim. Njëkohësisht amnistia fiskale do të sillte edhe likuiditete të mëtejshme në ekonomi dhe do të ndihmonte buxhetin e shtetit për të plotësuar nevojat e tij. Nga kahu tjetër, kostot e amnistisë fiskale janë rreziku që mund të ketë përfshirja e pastrimit të parave. Opinioni i Bankës së Shqipërisë ka qenë i qartë, që duhet shmangur rreziku i pastrimit të parasë në këtë amnisti fiskale, njëkohësisht dhe paratë që mund të vijnë nga kriminaliteti dhe korrupsioni. Ne e kemi theksuar që amnistia fiskale duhet bërë e studiuar si projekt, në mënyrë që të jetë një instrument në funksion të përmirësimit të administrimit fiskal.”- shton Sejko.

Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Sejko e gjithë nisma duhet të shërbejë vetëm pozitivisht.

“ Praktikisht, duhet të jetë një nga elementet për të rritur të ardhurat dhe për të shmangur evazionin fiskal nga ky moment e në të ardhmen. Pra, nuk duhet krijuar një koncept që amnistitë fiskale bëhen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo amnisti nëse do të bëhej dhe do të funksiononte, do të duhej të jepte mesazhin e qartë që pas saj nuk ka më fshehje të ardhurash dhe taksat dhe tatimet duhen paguar rregullisht, pra duhet të minimizojmë maksimalisht evazionin fiskal. Në rast se këto objektiva do të realizoheshin, sigurisht që Banka e Shqipërisë e shikon amnistinë fiskale në funksion të formalizimit të ekonomisë dhe veçanërisht si objektivi ynë specifik, rritjen e përfshirjes financiare, pra futjen e parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar brenda tij. Ky është opinioni i përsëritur disa herë nga Banka e Shqipërisë në raport me amnistinë fiskale.”- thekson Sejko.

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Banka e Shqipërisë (Foto BSH)

Në kohën e inflacionit të lartë Banka e Shqipërisë ka edhe rekomandime të qarta për qeverinë sa i takon politikave fiskale. Kryesorja që kërkohet është që të bëhet kujdes me nivelin e borxhit dhe të trajtohen  shtresat ne nevoje..

“Në rastin më specifik, ne përsëri e kemi bërë të qartë gjykimin tonë. Në radhë të parë, kemi rekomanduar që të kihet kujdes me nivelin e borxhit, me uljen e nivelit të tij, pra duhet të shkohet drejt një konsolidimi fiskal. Por, paralelisht me situatën e vështirë ekonomike, duhet pasur në vëmendje edhe trajtimi i shtresave në nevojë. Paketat e rezistencës sociale apo çdo lloj pakete tjetër që do të shkonte në drejtim të kompensimit të nevojave të këtyre shtresave, të ndikuara nga rritja e çmimeve, sigurisht që do të ishte një element pozitiv që Qeveria po e ndjek, dhe duhet të ndiqet, por kjo masë duhet të jetë e balancuar. Pra, në radhë të parë duhet të shihen shtresat në nevojë. Të kompensohen, për shembull për çmimin e energjisë dhe për të gjitha çmimet e tjera që mund të kenë rritje dhe afektojnë këto shtresa. Por duke mos cenuar, pra duke pasur kujdes nivelin e borxhit publik. Duhet menaxhuar në të dyja drejtimet. Këto janë dy elementet kryesore që unë mund të përmend momentalisht. Sigurisht, që ka pasur një listë me rekomandime dhe këshillime që ne i kemi dhënë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Qeverisë Shqiptare lidhur me fiskun. Por, për momentin, këto janë dy elementet kryesore që unë do të përmendja lidhur me këshillimin drejtuar Qeverisë”- thekson Sejko.

E nësë kriza e infacionit vazhdon, Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se do të vazhdojë me normalizimin e kursit të politikës monetare në raport me rritjen e inflacionit.

“Bankat qendrore, jo vetëm Banka e Shqipërisë, por bankat qendrore qoftë të rajonit apo dhe më gjerë, kanë vazhduar një kurs normalizimi të politikës monetare. Pra ju keni vënë re që normat e interesit kanë vijuar të rriten nga të gjitha bankat qendrore, në Evropë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Dhe Banka e Anglisë ka vazhduar t’i rrisë normat e interesit. Rritja e normës së interesit apo shpejtësia e normalizimit të politikës monetare kushtëzohet nga inflacioni, pra nga rritja e tij. Të njëjtën gjë do të bëjmë dhe ne si bankë qendrore. Shifra e inflacionit do të përcaktojë reagimin tonë. Pra, nëse inflacioni do të rritet me ritme më të shpejta, dhe ne do t’i përgjigjemi me politikën tonë monetare normalizuese.”- thote Sejko.


Guvernatori Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Guvernatori Gent Sejko (Foto Banka e Shqipërisë)

Objektivi i Bankës Qëndrore është është parandalimi ose frenimi i inflacionit dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, por njëkohësisht edhe ruajtja e  nivelit të  rritjes ekonomike.

“Pra po ta vini re, normalizimi gradual që ne kemi bërë është në funksion të mospengimit të rritjes ekonomike. Por kjo varet, ne nuk mund të sakrifikojmë stabilitetin e çmimeve, pasi në rast se ne nuk do ta bënim këtë, efekti negativ që do të vinte nga rritja e çmimeve më pas në rritjen ekonomike, do të ishte shumë i lartë, si për individët ashtu dhe për bizneset, po edhe dhe për buxhetin e shtetit. Kjo është shumë e qartë pasi historia e ka provuar këtë gjë. Praktikisht, bankat qendrore po reagojnë në drejtim të rritjes së normës së interesit. Nuk mund ta themi saktësisht se si do të vazhdojë ecuria e politikës monetare pa pasur shifrat që do të vijnë”- shton Guvernatori i BSH.