Presidenti Begaj dekreton datën, zgjedhjet vendore më 14 maj
2022-10-26 10:31:04

Foto: VCG

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar 14 majin si datën për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2023. Presidenti Begaj thekson se është momenti për të demonstruar përkushtim, bashkëpunim institucional dhe pjekuri politike, citon “RTSH”. 

“Presidenti e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare. Presidenti Begaj nxit të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë ”,- thuhet në njoftim.

Presidenti u ka bërë thirrje partive politike që të shkojnë drejt zgjedhjeve të 14 majit me alternativa serioze dhe konkurruese. Ndër të tjera, presidenti Begaj nënvizon se Komisioni i Reformës Zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. (Elona)