Seria e Cufos - foto Bukinist.al
“Çufoja dhe Bubi Kaçurrel” është një nga librat që konsiderohet si perlë e letërsisë shqiptare, që mund të lexohet nga fëmijë, por edhe nga të rritur, që duan të përkujtojnë fëmijërinë e tyre. Është libri për fëmijë më i lexuar në 40 vjet.
Në fundin e viteve ’70 –‘80, në libraritë e kryeqytetit, u shfaq një libër i ri, romani për fëmijë, “Aventurat e Çufos dhe Bubit Kaçurrel”, i shkrimtarit Gaqo Bushaka. Në një hark të shkurtër kohor, libri që ishte në duart e shumë fëmijëve, do të ndizte fantazinë e tyre, duke i zhytur në një botë përrallash kaq të bukura dhe mahnitëse, sa nuk e lëshuan nga dora. Personazhet e përrallave me ndodhitë e bukura u bënë miq e shokë të fëmijëve.
sekuence nga filmi i animuar - foto Konica
Personazhi i Çufos lindi në një kohë kur letërsia për fëmijë po kalonte një moment jo të mirë. Ai u krijua si një nevojë për të shpërfillur zymtësinë e të përditshmes, për të jetuar me më shumë ngjyra dhe në mënyrë gazmore. Ishte koha kur ende nuk kishte dalë celulari dhe magjia e librit ishte ngjitëse.
“Çufo dhe Bubi Kaçurrel” është libri i parë i ciklit të “Çufos”, cikël i cili do të bëhej simbol i lindjes së “përrallës së re” shqip. Arsyeja pse fëmijët e donin dhe vazhdojnë ta duan Çufon është se fëmijët tek Çufo dhe Tipi shohin vetvete me aventurat e tyre, por edhe shndërrimin nga fëmijë trazovaçë në nxënës model. Çufo është simboli i shpirtit të lirë dhe aventurierit që e jeton jetën si t’i vijë e që gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet që has.
sekuence nga filmi i animuar Ndodhite e Cufos
Çufo si personazh përcjell te fëmijët shpirtin e lirë dhe aventurën, nxit fantazinë dhe pasuron botën e lexuesve të vegjël parreshtur. Kurrë letërsia për fëmijë nuk ka pasur një personazh kaq të dashur për fëmijë, e për më tepër ky personazh me moshë fëmijësh, të jetë një derrkuc. Derrkuci Çufi, fillimisht erdhi i projektuar nga shkrimtari për fëmijët Gaqo Bushaka, mes të cilëve u krijua një lidhje e fortë që nisi me librin “Çufo dhe Bubi kaçurrel” dhe vijoi me librat “Pushimet e Çufos” dhe “Çufo në shtëpinë e çudirave”. Kur shkrimtari Gaqo Bushaka vendosi që personazhi i tij për fëmijë të ishte një derrkuc dhe shoku i tij i ngjushtë një qen, donte në fakt që historitë e tyre të ishin të ngjashme me historitë e fëmijëve, të kishin të njëjtat sjellje dhe problematika mes tyre. Ai donte që fëmijët të mësonin diçka nga librat e tij, por edhe të argëtoheshin në të njëjtën kohë.
Shkrimtari Gaqo Bushaka- Foto Botimet Pegi
Eshtë interesant fakti që shumë ngjarje që rrëfehen tek Çufo, janë ngjarje të jetuara në fëmijërinë e shkrimtarit nga vetë ai, si për të vertetuar edhe një herë se sa të rëndësishme janë eksperiencat jetësore në krijimtarinë e një një shkrimtari. Çufo në stadium, Çufo tek berberi, Çufo që “vjedh” mollët e fshatit, janë në fakt histori fëmijësh çapkënë që shkrimtari i rrëfen kaq bukur, nën petkun e derrkucit Çufo. Historia e parë e Çufos, nisi të shkruhej në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, ku shkrimtari kishte zakon të shkonte e të punonte me orë. Për 100 faqet e librit të parë, shkrimtari punoi për 4 vite. Subjekti i librit flinte brenda tij, bashkë me kujtimet e fëmijërisë së shkrimtarit, i cili historitë e tij dhe të shokëve, i kaloi tek libri i tij, si histori të Çufos me shokë. Kështu po lindte libri, ndërsa mungonte emri i personazhit, emri i Çufos së dashur. Asnjë emër nuk po e bindte dot shkrimtarin për të pagëzuar heroin e tij në përrallë, ndërsa rastësisht gjeti emrin tingull imitues, “Çufo”, nisur nga çaf- çufet e trenit, zhurma e të cilit vinte nga Stacioni i Trenit deri te Biblioteka, ku Gaqo Bushaka punonte. Asnjë emër nuk mund të ishte më i gjetur dhe prezantues se emri i Çufos, emër që jetoi bashkë me fëmijët e çdo brezi, duke ngelur përherë çamarok.
Ilustrime nga botimi i pare i librit realizuar nga piktorja Safo Marko-foto konica.al
Duhet shtuar edhe një detaj, se libri nuk do të ishte ai që është, pa ilustrimet e mrekullueshme të piktores Safo Marko.
“Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash, avash”; “ndalohet të hidhesh me parashutë nga aroplani pa puthur mamanë”; “i shkundi të tëra mësuese, të bëra e të pa bëra, la gjithë fshatin pa mollë”; “ti pastron dhe unë bëj pis/ se ke rradhën e pastërtisë”; “të ndalova qarkullimin e gjakut, apo qarkullimin e mollëve, more bukurosh?!", “një ngatërresë e tillë nuk ka ndodhur në familjen tonë që nga epoka e gurit”, et, janë veç disa nga baututat e librit, i cili është bërë edhe film, nga sektori i Filmit të Animuar në Kinostudio Shqipëria e Re. Pjesë të ndryshme të librit u kthyen edhe në shfaqje në Teatrin e Kukullave për fëmijë dhe u transmetua në TVSH.
Cufoja dhe Tipi si personazhe ne Tetarin e Kukullave- foto Ministria e Kultures
Libri u pasua nga librat “Pushimet e Çufos”, Çüfoja në shtëpinë e çudirave” dhe “Çufo president”. Gaqo Bushaka është një nga autorët më të suksesshëm në Shqipëri. Ka kontribuar në lëvrimin e një lloj përralle "të re" për fëmijët që e bën të pëlqyeshme dhe tepër interesante. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhjet me përralla: “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”.
Ndërkohë, kjo histori e Çufos, ka kapërcyer faqet e librit dhe është shndërruar edhe në vepër urbane. Një instalacion me dy personazhet e dashur, Çufo dhe Tipi, të lindur në vitin 1978, me rastin e 40 vjetorit të librit, janë vendosur në një hapësirë të gjelbëruar të lulishtes përballë Presidencës.
Neritana Kraja