"Mengtian", pjesa e fundit kryesore e stacionit hapësinor kinez, është planifikuar që të lëshohet në disa ditët e ardhshme, për t'u bashkuar me modulin bazë "Tianhe" dhe modulin tjetër laboratorik "Wentian", duke formuar një kompleks në formë T-je deri në fund të këtij viti.
Në disa ditët e ardhme, sipas planit, do të kryhen në vendin e lëshimit testime të përbashkëta dhe kontrolle të ndryshme funksionale para lëshimit.
I gjithë procesi i transportimit u krye në tre orë dhe u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme pas një dite me shi në Wenchang, ndërkohë që të tëra sistemet në vendin e lëshimit po funksionojnë mirë.
Raketa bartëse "Marshimi i Madh-5B Y4" ka kaluar të gjitha procedurat në zonën teknike dhe të gjitha pjesët e saj janë në kushte shumë të mira," tha Su Lei, kryeprojektuesi i Sistemit të Kontrollit të Raketës "Marshimi i Madh-5B" në Akademinë e Teknologjisë së Mjeteve të Lëshimit të Kinës.
Mbi modulin laboratorik "Mengtian"
"Mengtian" në gjuhën kineze do të thotë "Ëndrra Qiellore". Ky modul laboratorik peshon mbi 20 tonë dhe ka një gjatësi 17.9 metra e një diametër maksimal prej 4.2 metrash. Ai mund të ndahet më tej në modulet e punës, burimeve e ngarkesës dhe kabinën e presionit të ajrit për mallra.
"Mengtian" është projektuar kryesisht për eksperimente shkencore. Ndryshe nga "Tianhe" dhe "Wentian", ai nuk ka një kabinë fjetjeje, por në vend të saj përmban shumë kabinete ku mund të kryhen qindra eksperimente.
Ky modul do të fokusohet në studimet shkencore të mikrogravitetit. Ai është i pajisur me kabinete laboratorike shumëdisiplinore për eksperimentet e fizikës së lëngjeve, të shkencës së materialeve dhe të djegies, të fizikës bazë dhe teknologjisë hapësinore.
"Qysh nga koha e mbërritjes në vendin e lëshimit, moduli laboratorik 'Mengtian' ka kaluar nëpër prova të ndryshme, si montimi përfundimtar, furnizimi me lëndë djegëse shtytëse dhe një kontroll i përbashkët. Tani ai është gati për lëshimin," tha Meng Yao, zv.kryeprojektuesi i planifikimit të përgjithshëm për Modulin Laboratorik "Mengtian" në Akademinë e Teknologjisë së Fluturimeve Hapësinore të Shangait.
Nisja e modulit laboratorik "Mengtian" do të jetë misioni i 9-të për ndërtimin e stacionit hapësinor kinez. Që nga ndërtesa e montimit e deri te platforma e lëshimit, kudo mund të ndihej entuziazmi i stafit të përfshirë në këtë mision.
"Ndihem i emocionuar dhe shumë krenar, meqenëse pasi 'Mengtian-i', laboratori i dytë hapësinor, të dërgohet në orbitë dhe të lidhet me stacionin hapësinor të Kinës, stacioni hapësinor në thelb do të marrë formë," tha Wang Yumeng, projektues menaxhues i Sistemit të Kontrollit të Raketës "Marshimi i Madh-5B" në Akademinë e Teknologjisë së Mjeteve të Lëshimit të Kinës.
Ndërsa Zhang Yu, zv.kryeprojektuesi i Sistemit të Kontrollit të Pozicionimit të Raketës "Marshimi i Madh-5B" po në këtë akademi, u shpreh: "Kam ardhur këtu qysh nga fluturimi i parë i raketës bartëse 'Marshimi i Madh-5B'. E kemi traditë t'i shoqërojmë raketat për në pikën e lëshimit. Tani, si gjithmonë, jam i emocionuar." (Xu Guang)