Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) mbajti një mbledhje të martën mbi studimin, promovimin dhe zbatimin e parimeve udhëheqëse të Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë.
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së Xi Jinping e kryesoi këtë mbledhje, ku u diskutuan gjithashtu rregulloret mbi ruajtjen dhe forcimin e udhëheqjes së centralizuar dhe të unifikuar të Komitetit Qendror të Partisë dhe rregullat e hollësishme për zbatimin e vendimit me tetë pika mbi sjelljen në punë.
Studimi, promovimi dhe zbatimi i parimeve udhëheqëse të Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së është një detyrë kryesore politike për Partinë dhe vendin tani dhe në të ardhmen, u theksua në mbledhje. Aty u kërkua po ashtu që të kuptohet thellë rëndësia vendimtare e pozicionit qendror të shokut Xi Jinping në Komitetin Qendror të PKK-së e në Parti në tërësi dhe e rolit udhëheqës të Mendimit të Xi Jinping-ut mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për një Epokë të Re.
Mbledhja e vuri gjithashtu theksin në të kuptuarit e çështjeve madhore, duke përfshirë Mendimin e Xi Jinping-ut mbi Socializmin me Karakteristika Kineze për një Epokë të Re, përshtatjen e marksizmit me kontekstin kinez e me nevojat e kohës dhe rrugën kineze të modernizimit.
Edhe kuptimi i vendimeve strategjike të marra prej Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së për kthimin e Kinës në një vend socialist modern në të gjitha aspektet u nënvizua në mbledhje, duke vënë në dukje gjithashtu se duhet të zbatohen kërkesat e parashtruara nga Kongresi në të gjitha aspektet e zhvillimit ekonomik-shoqëror dhe se duhet të bëhen përgatitje për përballimin e të gjitha çështjeve komplekse.
Mbështetja dhe forcimi i udhëheqjes së centralizuar dhe të unifikuar të Komitetit Qendror të PKK-së është përgjegjësia e përbashkët politike e të gjithë Partisë, u theksua në mbledhje, duke kërkuar ruajtjen e një shkalle të lartë uniteti ideologjikisht, politikisht dhe në veprim me Komitetin Qendror të PKK-së me shokun Xi Jinping në krye.
Mbledhja bëri thirrje po ashtu për përpjekje të vazhdueshme lidhur me trajtimin e problemeve të formalitetit për hir të formalitetit e të burokracisë, dhe për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me popullin.