Dhimiter Zguro
Dhimitër Zguro është student në ciklin e dytë të studimeve shkencore Master në “E drejtë penale” pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Paralelisht me studimet, ai është angazhuar në organizata të ndryshme të shoqërisë civile si: European Law Students Association Albania (ELSA Albania), GUXO etj. Në vitin 2021, Asambleja e Përgjithshme e shoqatës “ELSA Albania” e zgjodhi në pozicionin e zëvendëspresidentit për aktivitetet akademike, ndërsa nga 1 gushti i këtij viti mban pozicionin e presidentit të kësaj shoqate. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për arritjet e tij profesionale si dhe angazhimin në organizata të ndryshme.
Dhimiter Zguro gjate nje aktiviteti
CMG: Dhimitër pëshëndetje dhe falemnderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Dhimitër Zguro: Ju falenderoj për ftesën dhe për mundësinë që ju jepni të rinjve, por dhe gjithë shoqërisë për tu shprehur në momentin që ata kanë diçka për të thënë.
CMG: Jeni student në master shkencor në Fakultetin e Drejtësisë, por si ju lindi dëshira për të studiuar në këtë degë?
Dhimitër Zguro: Ka qenë diçka e menduar mirë besoj dhe kur e shoh tani në retrospektivë, them që ka qenë zgjedhja më e mirë që mund të bëja sepse e kam gjetur veten shumë mirë dhe kam gjetur degën dhe profesionin, që ndoshta mund të jap maksimumin tim. Faktikisht drejtësia ka qenë një ndikim qoftë nga familja për shkak të babait që punon si përmbarues gjyqësor privat, qoftë dhe një ndikim personal nga fakti që kam dashur të studioj ligjet, por edhe për të qenë sa më afër dhe për të kontribuar, duke vendosur për aq sa mundem drejtësi dhe për të bërë një shoqëri sa më të mirë.
CMG: Përveç pasionit tuaj për drejtësinë a ka qenë dhe mbështetja nga babai juaj për të studiuar në këtë degë?
Dhimitër Zguro: Babai ka qenë një mbështetje shumë e madhe, ka qenë deri diku kritik në këtë zgjedhje sepse ka pasur frikën dhe pasiguritë e tij, duke qenë se e ka provuar vetë dhe është në profesion ligjor, dhe e di se çfarë do të thotë të punosh në industrinë ligjore. Kështu që ka qenë edhe mbështetje, por ndoshta e kushtëzuar deri diku duke njohur dhe natyrën time, megjithatë është një nga mbështetjet më të pakushtëzuara që unë të hyj në fakultet. Para se të hyja në fakultet ka qenë edhe ai me dilemat e tij.
Dhimiter Zguro gjate nje diskutimi me studente te tjere
CMG: Ju keni përfunduar studimet në tre vite bachelor me rezultate të shkëlqyera, dhe vazhdoni studimet në master shkencor po me këto rezultate.
Dhimitër Zguro: Që të mbarosh Fakultetin e Drejtësisë ndoshta qarkullon një shaka mes studentëve që kanë mbaruar ose mes pedagogëve se çdokush e merr fakultetin e drejtësisë. Ndoshta deri diku mund të jetë e vërtetë sepse nuk është shumë i vështirë programi akademik, por unë mendoj se ka pasur goxha vështirësi gjatë rrugës, dhe ka akoma vështirësi, por gjithmonë e shoh që asgjë nuk është e pamundur në këndvështirmin tim. Ka dhe gjëra të vështira, por jo të pamundura dhe falë punës dhe përpjekjes që një student bën në fakultet, duke qëndruar dhe me orare të tejzgjatura, duke mos njohur limite dhe gjithmonë duke u përpjekur për më mirë, mendoj se ja arrin sepse gjithçka është te puna, vullneti dhe pasioni.
CMG: Gjatë kohës së studimeve ju jeni marrë paralelisht edhe me aktivitete të ndryshme me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Këtë gjë e keni bërë më shumë për të marrë eksperienca në fusha të ndryshme?
Dhimitër Zguro: Fatkeqësisht ndoshta ose fatmirësisht, nuk di sesi ta gjykoj, por mendoj se vetëm fakulteti i drejtësisë dhe gjithmonë e kam pasur këtë mendim, nuk më ka përmbushur dhe kam dashur të angazhohem me gjëra të tjera të cilat kanë qenë aktivitete që organizojnë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, qoftë të krijoja punë vetë edhe të merresha me angazhim dhe ndihmë në komunitet. Mendoj që një jurist i mirë, por së pari një qytetar i mirë duhet të jetë një ndërthurje mes profesionistit të mirë dhe mes një qytetari të mirë në mënyrë që të japësh më të mirën e mundshme të vetes. Ka qenë një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë, që jam angazhuar me shoqërinë civile, por jam angazhuar dhe në komunitet duke ndihmuar komunitetin tim për aq mundësi sa kam pasur dhe për aq nevoja sa komuniteti ka pasur. Kështu që mendoj se ka qenë një ndërthurje shumë e mirë që mua më ka bërë të formohem dhe të jem ky që jam sot për të cilën unë jam krenar.
Dhimiter Zguro gjate nje eventi
CMG: Tani ju jeni President i ELSA Albania, Shoqata Europiane e Studentëve të Drejtësisë. Flasim për këtë shoqatë dhe lidhjet me shoqatat e vendeve të tjera?
Dhimitër Zguro: “ELSA Albania” është Shoqata Europiane e Studentëve të Drejtësisë dhe ne jemi seksioni për Shqipërinë. Kjo shoqatë në vizionin e saj qëkur është themeluar ka pasur një botë sa më të drejtë ku respektohet dinjiteti njerëzor, por dhe diversiteti kulturor ndërmjet gjithsecilit prej nesh. ELSA kryesisht merret me studentët e drejtësisë dhe profesionistët e rinj të ligjit me qëllim për t’i bërë ata sa më të aftë në tregun e punës, por dhe për t’i bërë juristë shumë të mirë dhe për të kuptuar që të drejtat e njeriut, diversiteti kulturor ndërmjet gjithsecilit prej nesh duhet respektuar sepse vetëm kështu mund të kemi një botë sa më të drejtë. Është një shoqatë e shtrirë në 43 shtete të Këshillit të Europës, partner zyrtarë të Këshillit të Europës përsa i takon kompeticionit që organizohet të gjyqit stimulues, përsa i takon të drejtave të njeriut dhe partnere me shumë organizata të ndryshme jofitiprurëse ndërkombëtare, por qoftë dhe me studio shumë të njohura ligjore apo universitete që ofrojnë programe studimi në drejtësi jashtë.
Dhimiter Zguro ne nje aktivitet me studente
CMG: Kjo besoj që ju jep mundësinë dhe studentëve të drejtësisë për shkëmbime eksperiencash me studentë të vendeve të tjera në Europë?
Dhimitër Zguro: Një nga gjërat më të mira që bën ELSA është të zgjerosh rrjetin e kontakteve kudo. Praktikisht kur unë kam qenë anëtar i kësaj shoqate kam njohur shumë studentë në fakultetin e drejtësisë, ndërkohë që pas antarësimit tim në ELSA, që ka qenë në fillimet e mia në drejtësi, kam pasur një rrjet shumë të zgjeruar kontaktesh jo vetëm në Shqipëri por dhe në aktivitetet ndërkombëtare sepse kjo shoqatë të ofron mundësinë për tu njohur me simotrat e saj që janë në 43 shtete të Këshillit të Europës. Jo më larg se një muaj ne do të kemi një aktivitet në Beograd, ku do të takohen të gjithë ELSA-t e rajonit. Fatkeqësisht Kosova nuk ka një ELSA të veten, kështu që jemi vetëm 5 ELSA të Ballkanit Perëndimor dhe do të takohen të gjithë të rinjtë e rajonit për të kontribuar dhe diskutuar mbi rëndësinë e pronësisë intelektuale në epokën digjitale në të cilën ne po jetojmë.
CMG: Cilat kanë qenë vlerësimet që ju keni marrë gjatë viteve të studimit në universitet, por dhe angazhimve tuaja me këto organizata?
Dhimitër Zguro: Kam përfunduar Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të shkëlqyera dhe me modesti e them se jam një ndër studentët më të mirë në programin e masterit shkencor në profilin “E drejtë penale”. Njëherazi jam duke punuar si jurist në një nga studiot më prestigjoze në Shqipëri, që ka një rrjet kontaktesh të shtrirë në 12 shtete të Europës. Për mua kjo ka qenë një nga mundësitë më të mira që më është ofruar dhe për të cilën jam mirënjohës ELSA-s sepse kjo shoqatë më ka prezantuar me tregun e punës dhe që më ka mësuar dhe ndërmjetësuar punësimin tim pranë njërës prej studiove më të mira ligjore e cila më ka formuar në të njëjtën kohë po aq sa shkolla, duke më dhënë mësime shumë të vlefshme për tregun e punës.
Dhimitër Zguro në intervistë për CMG
CMG: Shumë të rinj pasi diplomohen këtu synojnë të ikin jashtë shtetit, duke e parë si mundëi më të mirë për të bërë karrierë. Ju vetë e shikoni karrierën tuaj në Shqipëri apo jashtë ?
Dhimitër Zguro: Nëse do të largohesha jashtë do të ishte vetëm për të kryer një specializim apo për t’u profilizuar në ndonjë lëndë më specifike të së drejtës penale. Megjithatë karrierën time e shoh të pandarë nga Shqipëria, pra edhe pse ka shumë të rinj që ikin dhe unë i mirëkuptoj të gjithë, qoftë e drejta e lëvizjes apo kushtet këtu nuk janë aq të mira, por ndonjëherë më pëlqen ta sfidoj veten. Mendoj se të jetuarit në Shqipëri apo të zhvilluarit e një karriere në Shqipëri është deri diku një sfidë, por një sfidë shumë e mirë sepse rritesh profesionalisht dhe gjithashtu ke mundësi të punosh e kontribosh për vendin tënd, gjë që për mua është një nga gjërat më të mira që unë dua të bëj dhe uroj që në të ardhmen e afërt ose të largët të kem mundësi të kontribuoj në profilin tim në fushën e të drejtës penale, por dhe në fushën e të drejtës në përgjithësi.
Intervistoi: Gazmend Agaj